Tre vite nga rasti “Llaskarca” dhe akoma nuk ka filluar superekspertiza

    Foto: Borçe Popovski, Kolektif

    Byroja e Ekspertizës Gjyqësore ende nuk ka nisur superekspertizën, se si ka ndodhur aksidenti i rëndë i trafikut në Llaskarcë. Sipas informacioneve, ende është duke u formuar një ekip nga sfera mekanike dhe e trafikut, dhe janë duke u konsultuar se cili ekspert do të angazhohet për të bërë superekspertizën e kërkuar nga Gjykata penale. Ky lloj mendimi i ekspertëve bëhet me kërkesë të gjykatës në rast se prokuroria dhe mbrojtja kanë paraqitur më parë ekspertiza të ndryshme.

    “Ndërkohë, në Gjykatën Penale të Shkupit për momentin dyert janë të mbyllura për rastin Llaskarca. Derisa nuk bëhet superekspertiza se si ndodhi aksidenti i rëndë i trafikut në autostradën Shkup – Tetovë para tri viteve, në të cilin humbën jetën 16 pasagjerë të “Durmo Tours”, gjykata nuk do të mbajë seanca, sepse deri më tani janë paraqitur të gjitha provat përveç superekspertizës, e cila u kërkua nga gjykata nëntorin e kaluar”.

    Zakonisht këtë ekspertizë duhej ta bënte Fakulteti Teknik i Manastirit, Universiteti i Shtipit ose Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Shkup. Asnjëri prej tyre nuk pranoi ta bënte këtë me arsyetimin se nuk kanë mjaftueshëm ekspertë të autorizuar. Seanca e fundit gjyqësore është mbajtur dhjetorin e kaluar. Nëse deri në fund të marsit kjo ekspertizë nuk është gati, rasti “Llaskarca” do të duhet të nisë nga fillimi. Sipas Ligjit për Procedurën Penale, gjykimi mund të rikthehet nga fillimi në rast se shqyrtimi kryesor nuk është mbajtur për 90 ditë me radhë.

    Në këtë rast gjykohet pronari i “Durmo Toursit”, Durmish Beluli, shoferi i autobusit, si dhe katër punonjës të tjerë të kompanisë dhe Qendrës Teknike të Gostivarit në pronësi të Belulit, ku realisht është ekzaminuar korrektësia e autobusit, dhe ku prokuroria konstatoi parregullsi. E diela shënon saktësisht tre vjet nga tragjedia. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    U votua “për” miratimin e Propozim-ligjit për pagë minimale

    Lajmi i rradhës

    Ankesa të shumta për pritje me muaj ose vjet në klinikën e hematologjisë në Shkup

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë