Trendafilova pret që brenda muajsh të nisë gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm, pret të nisë gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.

    Ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

    E pyetur për vonesën në nisje të procesit, ajo ka thënë se gjykatësi i procedurës paraprake është duke punuar shumë në këtë rast “voluminoz” për të trajtuar të gjitha çështjet.

    Ajo i ka bërë këto deklarata në një takim online me shoqërinë civile dhe organizatat qeveritare në Kosovë, pas paralajmërimeve të Partisë Socialdemokrate (PSD) për protesta, në rast se ajo do të realizonte vizitën e paraparë në qytetin e Gjilanit.

    Protesta ndaj vizitës së saj janë realizuar edhe në shtator të vitit të kaluar nga e njëjta parti politike.

    Megjithatë, Trendafilova e ka përsëritur se Gjykata Speciale nuk do të përfshihet në çështje politike dhe se do të përmbushë mandatin e paraprarë sipas Kushtetutës së Kosovës.

    Ajo ka thënë se nuk është ndjerë e kërcënuar për sigurinë e saj personale dhe ka thënë se do ta vizitojë sërish Kosovën.

    “Do të jem atje sërish, por nuk e di kur, dhe kur them se po vij, nuk jam duke sfiduar askënd. Qëllimi i këtyre takimeve është ofrimi i informacioneve subjektive nga ana institucionale”.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

    Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.

    Rastet tjera që trajton Gjykata Speciale

    Përveç rastit të ish-krerëve të UÇK-së, Gjykata Speciale tashmë ka bërë deklaratat përmbyllëse në rastin e Salih Mustafës, ish-pjesëtar i UÇK-së.

    Mustafa akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 dhe është personi i parë kundër të cilit është konfirmuar akuza.

    Më 18 maj të këtij viti, kjo Gjykatë ka shqiptuar dënimet edhe ndaj ish-udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj për pengim të administrit të drejtësisë.

    Ata janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe gjobë prej 100 eurosh.

    Të dy e kanë apeluar vendimin. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia ka çmimin më të lartë të bukës, krahasuar me vendet e Europës

    Lajmi i rradhës

    Kontratat e tenderëve në RMV shoqërohen me korrupsion

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë