Tri arsyet kryesore të protestave në Kubë

    Kuba është përfshirë në trazira, si pasojë e protestave më të mëdha kundër Qeverisë komuniste në dekada.

    Mijëra persona kanë dalë nëpër qytete e qyteza në gjithë ishullin, duke bërë thirrje për “liri” dhe “rrëzim të diktaturës” nga dita e diel.

    Protesta shihen tejet rrallë në këtë vend, ku kundërshtimi ndaj Qeverisë është i shtypur.

    “Nuk jemi të frikësuar. Ne duam ndryshim, nuk duam më shumë diktaturë”, ka thënë një protestues në San Antonio për transmetuesin britanik, BBC.

    Çfarë ka nxitur këto protesta?

    Kriza me pandeminë

    Protestat e së dielës duket se janë rezultat i lodhjes shoqërore që buron nga kriza ekonomike dhe ajo e shëndetësisë. Pandemia dhe masat ekonomike, të marra nga Qeveria, e kanë bërë jetën në Kubë jashtëzakonisht të vështirë.

    Ishulli, që ka mbajtur nën kontroll pandeminë më 2020, është përballur me shpërthim të infektimit në javët e fundit.

    Të dielën, ky ishull ka raportuar zyrtarisht 6,750 raste dhe 31 vdekje, ndonëse shumë grupe opozitare besojnë se shifrat e vërteta mund të jenë shumë më të larta.

    Javën e kaluar, ky shtet ka thyer rekorde për shifrat ditore të infektimeve dhe vdekjeve, duke shtyrë qendrat për kujdes publik, buzë kolapsit.

    BBC ka biseduar me disa banorë të Kubës, të cilët kanë thënë se të afërmit e tyre kanë vdekur nëpër shtëpi, pa pranuar kujdesin mjekësor që u është dashur.

    Lisveilis Echenique, ka thënë se vëllai i saj, 35-vjeçar, ka vdekur në shtëpi, sepse nuk ka pasur dhomë të lirë në spital, derisa Lenier Miguel Pérez, ka thënë se gruaja e tij shtatzënë ka vdekur, dhe ka përmendur dyshimet për “neglizhencë mjekësore”.

    Në disa postime në rrjetet sociale së fundmi janë bërë thirrjet #SOSCuba, duke kërkuar intervenim njerëzor, për të kuptuar më shumë për situatën, që është cilësuar kritike në këtë vend.

    Mijëra banorë të Kubës u janë bashkuar thirrjeve, derisa dhjetëra video me gjendje të rënduara nëpër spitale, janë shpërndarë gjithandej.

    Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, ka thënë se e konsideron situatën me koronavirus në këtë shtet, të krahasueshme me atë të vendeve tjera.

    Ai po ashtu ka theksuar se Kuba ka prodhuar vaksinat e veta kundër koronavirusit, ndonëse dhënia e dozave është ende e kufizuar në disa vende.

    Situata ekonomike

    Me turizëm – një prej makinave të ekonomisë së Kubës – pothuajse të paralizuar, pandemia e koronavirusit, ka pasur ndikim të madh në jetën ekonomike dhe atë shoqërore në këtë vend.

    Kjo situatë më pas është përcjellë me rritje të inflacionit, probleme me energji elektrike, mungesa të ushqimit, ilaçeve dhe produkteve bazike.

    Në fillim të këtij viti, Qeveria ka propozuar një paketë të re me reforma ekonomike, e cila ndonëse përfshinte rritje të pagave, ka nxitur rritje të çmimeve.

    Ekonomistë si Pavel Vidal nga Universiteti Pontificia Javeriana në Kolumbi, vlerësojnë se çmimet mund të rriten në mes të 500-900 për qind në muajt e ardhshëm.

    Prej vitit të kaluar, Qeveria ka hapur dyqanet ku banorët mund të blejnë ushqime dhe gjëra tjera të domosdoshme me valuta të huaja.

    Mirëpo këto dyqane kanë zemëruar shumicën e banorëve lokalë, të cilët paguhen në monedhën kombëtare, pesos.

    Radhët e gjata të banorëve të Kubës, duke pritur për të blerë ushqime si vaji, sapuni apo pula, janë bërë të zakonshme gjatë pandemisë.

    Edhe në listën e ilaçeve të domosdoshme është vërejtur mungesë, dhe në disa provinca është raportuar për shitje të bukës me bazë të farave të kungullit, për shkak të mungesës së miellit të bardhë.

    Muajin e kaluar, Qeveria ka thënë se do t’ua ndalojë bankave që të pranojnë dollarë si para të gatshme, njëherësh valuta e vetme që pranojnë banorët e Kubës si remitenca nga jashtë.

    Ky hap është parë nga disa ekonomistë si më i ashpri ndaj valutës amerikane, prej Qeverisë së ish-presidentit Fidel Castro.

    Qeveria ia ka atribuuar këtë vendim sanksioneve të ashpra amerikane, që janë duke ia kufizuar këtij shteti përdorimin e valës jashtë vendit.

    Presidenti Díaz-Canel, ka thënë se ky është “problemi kryesor që kërcënon shëndetin dhe zhvillimin e njerëzve tanë”.

    Qasja në internet

    Para së dielës, protestat më të mëdha në Kubë, prej nisjes së revolucionit komunist të Castros, janë parë në gusht të vitit 1994.

    Shumë banorë të këtij shteti, as nuk kanë qenë në dijeni se çfarë ka ndodhur në kryeqytet.

    Megjithatë, 30 vjet më vonë, ky skenar është shumë më ndryshe.

    Nën presidencën e Raúl Castros, Kuba është bërë më liberale, dhe kjo gjë ka ndikuar në qasje më të mirë në internet.

    Prej atëherë, banorët e Kubës kanë përdorur rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj Qeverisë.

    Në ditët e sotme, një pjesë e madhe e popullsisë kanë qasje në rrjetet sociale si Facebook, Twitter dhe Instagram, të cilat janë burimi kryesor i informacionit, përveç mediave shtetërore.

    Këto platforma janë kthyer në gjë shumë me rëndësi për artistët, gazetarët dhe intelektualët, që kërkojnë më shumë të drejta, apo bëjnë thirrje për protesta.

    Edhe protestat, që kanë shpërthyer të dielën, janë organizuar në rrjetet sociale.

    Qeveria e Kubës ka thënë se rrjetet sociale janë duke u shfrytëzuar nga “armiqtë e revolucionit”, për të krijuar “strategji destabilizuese”, që përcjellin manualet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara (CIA).

    Ndonëse protestat kanë qenë relativisht të parashikueshme, marrë parasysh shkaqet, çfarë do të ndodhë më vonë, nuk dihet.

    Ndërkohë që Kuba përballet me krizë të pashembullt, bota do të shikojë sesi Qeveria – dhe banorët e këtij vendi – do të reagojnë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Atlantida jetëshkurtër e Mesdheut

    Lajmi i rradhës

    Përtej të magjishmes, princeshat Disney dhe ndikimi i tyre në narrativat gjinore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë