Trump ngrin fondet e universitetit elitë Harvard

    Donald Trump po ushtron presion mbi universitetet amerikane, përfshirë edhe Harvardin. Universiteti i famshëm ndjek kurs konfrontimi. Qeveria amerikane reagon duke ngrirë fondet.

    Universiteti elitar i Harvardit refuzon të zbatojë ndryshimin e kursit të kërkuar nga presidenti Donald Trump, si për shembull në pranimin e studentëve në këtë universitet. Në një letër nga presidenti i universitetit Alan Garber thuhet, se “asnjë qeveri – pavarësisht se cila parti është në pushtet – nuk duhet të diktojë se çfarë mund të ofrojnë si mësim universitetet private, kë mund të pranojnë dhe punësojnë, dhe cilat fusha studimi dhe kërkimi mund të ndjekin.” Universiteti i Harvardit nuk do të heqë dorë nga pavarësia dhe të drejtat e tij kushtetuese.

    Garber është shprehur më tej se liria e mendimit dhe e kërkimit shkencor, si edhe angazhimi shumë i gjatë i qeverisë për t’i respektuar dhe mbrojtur këto liri, i kanë mundësuar universiteteve të kontribuojnë në mënyrë vendimtare për një shoqëri të lirë.

    Qeveria e Trump ngrin miliarda

    Kjo ka pasoja financiare për universitetin. Administrata amerikane nën Trump reagoi menjëherë dhe njoftoi se tani do të shkurtojë fondet federale prej 2.2 miliardë dollarë amerikanë (rreth 2 miliardë euro) për universitetin e njohur botëror. Edhe fondet nga kontratat ekzistuese që arrijnë në 60 milionë dollarë amerikanë (rreth 53 milionë euro) do të ngrijnë po ashtu. Kjo masë u argumentua me mospërfilljen me gjasë të të drejtave qytetare dhe përpjekje të pamjaftueshme kundër antisemitizmit në universitetin e njohur. Në një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Arsimit thuhet, se “deklarata e sotme e Harvardit përforcon mentalitetin shqetësues pretendues të të drejtës që është përhapur në universitetet dhe kolegjet më prestigjioze të vendit tonë.

    Çfarë ka kërkuar qeveria amerikane nga Harvard?

    Qeveria nën Trump i kishte kërkuar universitetit, me qendër në Kembrixh, në shtetin Massachusetts, në një letër të premten të bënte ndryshime dhe të plotësonte disa detyrime. Në kërkesën nga qeveria kërkohej që universiteti të raportojë mbi studentët e huaj tek autoritetet federale në rast të shkeljes së rregullave të sjelljes. Të shqyrtonte diversitetin e qëndrimeve mes studentëve dhe stafit të universitetit. T’i jepte fund pranimit të studentëve dhe rekrutimit të stafit bazuar në kriteret e diversitetit. Programi i diversitetit u vendos për të luftuar disavantazhet historike që kishin ekzistuar për shembull kundër njerëzve me ngjyrë ose grave. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Nga duhet të vijnë paratë për mbrojtjen e Europës?

    Lajmi i rradhës

    Khedira zbulon dy skuadrat më të forta në Ligën e Kampionëve, nuk e përfshin Real Madridin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë