Edhe pse Komuna e Dibrës, por edhe rajoni më i gjerë, ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit malor, liqenor, rural, fetar, kulturor, aventuristik etj., deri më tani nuk është arritur ndonjë sukses në nivelin e dëshiruar. Dibra, me historinë e saj dhe me bukuritë që posedon, meriton më shumë vëmendje për të pasur një turizëm në përputhje me potencialin që ajo ka. Gjatë sezonit veror vihet re një rritje e dukshme e numrit të turistëve të huaj, por një nga problemet kryesore që shfaqet gjatë prezencës së tyre është mungesa e ciceronëve, kuadër i domosdoshëm që mungon në Dibër dhe rrethinë. Ky problem është debatuar prej kohësh në shumë institucione dhe shoqata, por megjithatë vazhdon të mbetet një barrierë e madhe për rritjen e numrit të vizitorëve.
Edhe gjatë vitit 2025, sidomos muajve të fundit, në Dibër kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë turistë nga Gjermania, Holanda, Italia, Franca, shtetet e Beneluksit dhe vende të tjera. Shumica e tyre udhëtojnë të organizuar përmes agjencive turistike. Ata vizitojnë destinacione tërheqëse si Banjat e Dibrës – Capa, objektet fetare myslimane, veçanërisht xhaminë e Inqarit, respektivisht xhaminë e Mbretit, e cila është një nga më të vjetrat në Ballkan, pastaj objektet ortodokse, sidomos manastiret e Rajçicës dhe Bigorskit; Liqenin e Dibrës, Lumin Radikë, urën e Drenit, hamamet etj. Por, sipas reagimeve të turistëve, mungesa e ciceronëve turistikë mbetet problemi kryesor që pengon prezantimin profesional të pasurive të Dibrës.
Në qendër të qytetit, pranë shtatoreve të Skënderbeut dhe Elez Isufit, takuam një grup turistësh nga Holanda. Ata kishin ardhur në Dibër me një përfaqësues të një agjencie nga Ohri. Përfaqësuesi i kësaj agjencie tha për gazetën KOHA se, pas vizitës në Ohër dhe Strugë, dëshira e turistëve nga Holanda ishte që të vizitonin edhe Dibrën.
“Por këtu në Dibër, kur vijmë me turistë, kemi gjithmonë problem me mungesën e një ciceroni, sepse turistët kërkojnë informacione për qytetin. Një qytet si Dibra duhet patjetër të ketë ciceronin e vet”, tha T. B., udhëheqësi i grupit.
Turistët na thanë se kishin dëgjuar për Dibrën, sidomos për Banjat e saj, për historinë dhe për luftërat kundër Perandorisë Osmane të udhëhequra nga heroi kombëtar Skënderbeu, por edhe për bukuritë natyrore që ofron ky rajon. Pranë bregut të liqenit të Dibrës takuam gjithashtu një grup turistësh nga Shqipëria. Agnesa F., nga Tirana, e cila udhëhiqte një grup pensionistësh, u shpreh se kishte tentuar të gjente një ciceron lokal, por ishte informuar se qyteti nuk kishte të tillë.
“Dibra, pa ciceronin e saj, nuk mund t’i prezantojë bukuritë dhe monumentet historike në mënyrë profesionale. Kuadrot e tillë janë shumë të nevojshëm, sepse përndryshe ekziston rreziku që ciceronët e huaj, në mungesë të informacionit të saktë, të përhapin të dhëna jo të sakta që nuk janë në interes të Dibrës. Zhvillimi i turizmit nuk mund të bëhet me sukses nëse mungon një strategji e mirëfilltë për këtë fushë. Edhe pse ka pasur propozime, qyteti, megjithëse i mbushur me histori kombëtare, ende nuk ka një shoqatë turistike. Mungesa e ciceronëve dhe e një shoqate të tillë përbëjnë barriera serioze për zhvillimin e turizmit në këtë rajon të rëndësishëm të vendit”, tha ajo.






