Ujësjellësi dhe rruga në Pallçisht drejt realizimit

    Një vit pasi që banorët e fshatit Pallçisht të komunës së Bogovinës protestuan për shkak se komuna nuk bënte investime në këtë fshat, si duket tashmë gjakrat janë qetësuar. Sepse, në këtë fshat krahas punës për ndërtimin e ujësjellësit të ri që filloi të ndërtohet në fund të viti të kaluar, para një muaji, kanë filluar punimet edhe për rrugën nga ky fshat e deri në autostradën Tetovë-Gostivar.

    Kryetari i komunës së Bogovinës Besnik Emshiu, thotë se është duke u realizuar projekti për ujësjellësin, por ai shton se megjithatë në të ardhmen do të duhet të investohet edhe në rrjetin shpërndarës të ujit sepse është mjaft i vjetruar. “Në fund të vitit të kaluar filluan punimet për rregullimin e ujësjellësit në fshatin Pallçisht. Atje punimet vazhdojnë dhe afati është që deri në fund të këtij viti të rregullohet ujësjellësi. Por, në të ardhmen do të duhet të intervenohet edhe në rrjetin shpërndarës brenda fshait sepse është shumë i vjetër me qëllim që këta banorë të kenë rregullisht ujë të mjaftueshëm për pije”, tha Emshiu.

    Poashtu punohet edhe në hapjen e rrugës prej këtij fshati e deri në autostradën Tetovë-Gostivar që ishte një kërkesë e banorëve të këtij fshati gjatë protestave të vitit të kaluar. Këtë rrugë e financon Ministria e Pushtetit Lokal dhe pritet që deri në fund të vitit të përfundojë. Rruga do të ketë dalje në këtë autostradë kur do të fillojë të ndërtohet korridori tetë. Vitin e kaluar komuna nuk kishte mjete që të realizonte këtë rrugë, kurse këtë vit janë siguruar mjetet dhe është duke u punuar. ”Kjo rrugë ka qenë kërkesë e banorëve të fshatit Pallçisht, por vitin e kaluar ne nuk kishim mjete që të njëjtën ta realizojmë, por më pas kemi siguruar mjete përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe tashmë në atë rrugë është duke u punuar dhe shpresojmë që kjo rrugë të përfundojë deri në fund të vitit të kaluar. Do të jetë një rrugë me të gjitha standardet dhe kap vlerën prej 14 milion denarëve”, deklaroi kryetari i komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu.

    Banorët e këtij fshati këtë verë, për dallim nga vera e kaluar nuk kanë dalur në protesta, sepse thonë se paralelisht për këta dy projekte punohet pandërprerë. Presin që projektet e filluara të përfundojnë. “Ne si bashkësi lokale, kemi dalur në teren dhe kemi parë se atje është duke u punuar për sa i përket projektit të ujësjellësit dhe shpresojmë se do të përfundojë në kohë. Poashtu presim që edhe në të ardhmen të vazhdohet me investime në këtë rrjet që është i vjetër dhe ka defekte të vazhdueshme. Edhe për sa i përket rrugës që do të lidh fshatin tonë me autostradën është duke u punuar dhe shpresojmë se e njëjta do të përfundojë. Si fshat kemi besim se kryetari i komunës do të mbajë premtimet”, tha Vullnet Akiki, nga bashkësia lokale e fshatit Pallçisht.

    Të dy projektet janë premtuar se do të përfundojnë këtë vit, ndërsa banorët shpresojnë se në të ardhmen do të gjenden mënyra që të bëhet financimi edhe i rrjetit shpërndarës për ujësjellësin brenda në fshat, për shkak se i njëjti është shumë i vjetruar dhe ka shumë defekte ne ndërkohë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    VETINTEGRIM APO VETIZOLIM! Ngushtohen afatet për ndryshimet kushtetuese

    Lajmi i rradhës

    Gjysma e Ballkanit mendon të emigrojë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë