Uji i pakloruar në fshatrat e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë

    Dekada me radhë pjesa dërmuese e fshatrave në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë ballafaqohen me problemin e mirëmbajtjes të ujësjellësve. Sidomos problemi primarë është mosklorimi i ujit edhe pse atë e përdorin për pije mijëra banorë. Për këtë problem është debatuar shpeshherë nga pushtet vendore në të dy komunat, por situata mbetet e pa ndryshuar. Mosklorimi i ujërave në ujësjellësit që kanë vet fshatrat, shkakton shumë sëmundje infektive, thonë institucionet kompetente që veprojnë në Dibër. Sugjerime fshatrat kanë edhe nga inspektorët por në bashkësitë vendore të fshatrave japin sqarime se ata nuk kanë mundësi të bëhen investime për të kloruar ujërat të ujësjellësve.

    Problemi i mosklorimit të ujësjellësve në fshatra është një problem shumë serioz. Ai zvarritet një kohë të gjatë por deri sot situata mbetet e pandryshuar. Këtë e thekson epidemiologu dibran Mentor Mela i cili shton se në 17 fshatra të komunave Dibër dhe Qendër Zhupë nuk bëhet klorimi i ujësjellësve. “Problemet sidomos paraqiten gjatë sezonit veror kur normalisht paraqiten edhe sëmundjet infektive. Në fshatrat Mogorçë, Kosovrast i Epërm, Xhepisht, Otishan etj, vazhdon mosklorimi i ujit. Poashtu nuk klorohen as ujësjellësit të fshatrave të komunës rurale Qendër Zhupë siç janë Novak, Koxhaxhik, Breshtan, Dollgash, Zhitinen, etj. Është një numër i madh i banorëve që shfrytëzojnë dhe përdorin ujë pa kloruar”, thotë Mela dhe shton se për situatën të kualitetit të ujërave nga Enti për shëndet publik jepen në kontinuitet të dhënat nga kontrollet. Por, siç thotë ai, pastaj aktivitetet i ndërmerr inspektori që ka kompetenca për këtë gjë. Për shkak të mos klorimit të ujërave në fshatra janë paraqitur infektime të shumta, shpeshherë edhe me pasoja për shëndetin e banorëve. Dy vitet e fundit sëmundjet infektive kanë qenë të lehta dhe kryesisht bëhet fjalë për barkqitje, etj. Në këtë drejtim duhet theksuar edhe faktin se më të goditur janë fëmijët.

    Për fat të keq kjo situatë përsëritet me vite. Kohëve të fundit ka patur debate edhe në nivel të pushteteve vendore të të dy komunave rreth fillimit të klorimit të ujit të ujësjellësve në fshatra. Duke marr parasysh se bashkësitë vendore në fshatra nuk kanë kompetenca e as mjetet për të mirëmbajtur ujësjellësit në fjalë, ligjërisht këta kompetenca i kanë pushtetet vendore. Në një nga fshatrat e komunës Dibër biseduam në lidhje me situatën në fjalë. Banorë të fshatit Otishan të Dibrës thonë se me vite sjellin vendime që uji të mos përdoret për pije, por ata shtojnë se nuk kanë rrugëdalje tjetër. E njëjta situatë është edhe në fshatrat të tjerë. Edhe përkundrejt ndalesës që uji pa klorim të mos përdoret, fshatarët e të dy komunave duan apo nuk duan, nuk kanë zgjidhje tjetër. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nuk ka entuziazëm për reforma në administratën publike të RMV

    Lajmi i rradhës

    BE-ja u ka bërë thirrje rrjeteve sociale që të raportojnë përmbajtjen e krijuar nga inteligjenca artificiale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë