Uji mineral në Banjën e Tetovës mund të konsumohet

     Analizat e fundit për kualitetin e ujit mineral në Banjën e Tetovës tregojnë se uji i plotëson të gjitha parametrat dhe është i pijshëm. Për dallim nga vitet e mëparshme, ku qytetarët nuk mund të shfrytëzonin ujin tek xhamia e vogël, sipas analizave të fundit edhe ky ujë mineral mund të konsumohet. Mjeku Ratko Davidovski, thotë se të dy burimet në Banjën e Tetovës mund të shfrytëzohen për pije. “Rezultatet e fundit për ujin mineral në Banjën e Tetovës me kënaqësinë më të madhe mund të them se rezultatet janë të mira dhe I plotësojnë kushtet, pra edhe tek uji mineral tek Xhamia edhe uji mineral që ndodhet tek kthesa. Për nga përmbajtja kimike këta dy burime nuk janë të njëjta. Uji mineral tek xhamia është shumë e pasur me minerale, sidomos me kalcium dhe magnezium, ndërsa tel kthesa uji mineral ka më pak minerale. Kjo sa i përket aspektit kimik. Ndërsa sa i përket aspektit mikrobiologjik, rezultatet janë të mira dhe uji mund të shfrytëzohet edhe për pije”, deklaroi mjeku Ratko Davidovski.

    Por, ai apelon që qytetarët të mos konsumojnë sasi të madhe të ujit mineral në këto burime. Ai apelon që të mos teprohet me pirje. “Ne vazhdimisht apelojmë që qytetarët të mos konsumojnë sasi të madhe të ujit mineral, sepse hasim gjithnjë qytetarë që mbushin ujë mineral me ambalazh prej plastike në sasi të madhe. Pra, uji mineral nuk duhet të jetë zëvendësim për ujin tjetër. Mund të konsumohet një gotë ose dy, pra qytetarët për rekreim mund ta shfrytëzojnë këtë ujë. Nga ana tjetër shohim qytetarë që mbushin shumë shishe plastike por qëndrimi i ujit më shumë se 48 orë mund të kontaminohet. Rekomandoj që qytetarët ujin e mbushur në këta dy burime të mos e shfrytëzojnë pas dy ditëve”, theksoi Davidovski.

    Rajoni i Pollogut është i pasur me ujëra mineral. Brenda vitit bëhen katër herë analiza në këto ujëra nga ana e Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë në bazë të programës nacionale për cilësinë e ujit. Më shumë se katër herë analiza bëhen në ujërat minerale në Banjën e Tetovës për shkak se ky vend është më shumë i vizituar dhe më i frekuentuar. Por, në disa vende tjera uji nuk duhet të shfrytëzohet për konsum dhe në ato vende vendosen njoftime publike se uji nuk duhet të konsumohet për pirje, por sipas mjekut Davidovski, njoftimet largohen menjëherë. Ai apelon që në ato vende ku janë larguar njoftimet se uji mineral nuk duhet të konsumohet, qytetarët të kenë kujdes dhe shumë pak të shfrytëzojnë për konsum. Edhe pse këta ujëra në aspektin mikrobiologjik janë të mira, megjithatë ndonjëherë parametrat në aspektin fizik nuk janë të mira, prandaj edhe rekomandohet më shumë kujdes. Sipas ekspertëve, uji për pije duhet të jetë i pastër dhe ai nuk duhet të përmbajë substanca të cilat mund të shkaktojnë probleme gjatë përdorimit. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Korrupsioni, njolla e errët për investitorët

    Lajmi i rradhës

    Mjekët paralajmërojnë për probleme shëndetësore afatgjate, pas tërmetit në Turqi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë