Ulet numri i fëmijëve të vaksinuar në Dibër

    Njësia për vaksinim pranë Spitalit të përgjithshëm në Dibër gjatë viteve të kaluara ishte një ndër njësitë të cilët informonin se Dibra është mes qyteteve me vaksinim shumë të lartë të fëmijëve. Kështu ishte deri vonë, por viteve të fundit dukshëm është ulur numri i fëmijëve që vaksinohen. Në këtë institucion thonë se analizat tregojnë që në këtë situatë ka ndikim vonesa e dorëzimit të thirrjeve për vaksinim por edhe qëndrimi i disa prindërve të cilët nuk pranojnë që fëmijët e tyre të vaksinohen sidomos nga vaksina e meningitit, që sipas disa thashethemeve, shkakton autizëm tek fëmijët. Por, njohësit e mirë të procesit të vaksinimit potencojnë se një ndikim në uljen e vaksinimit ka edhe migrimi masiv i popullatës.

    Rreth këtij problemi biseduam me Dr Shqiponja Turkeshi e cila është e angazhuar për procesin e vaksinimit në Spitalin e Dibrës. Ajo në këtë pozitë është vendosur para disa muajve dhe thotë se ka ulje të numrit të fëmijëve të vaksinuar.

    “Spitali i Dibrës rregullisht vazhdon të lëshoj thirrje për vaksinim të fëmijëve si në qytet ashtu edhe në fshatra. Kjo njësi mbulon me vaksinim komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Thirrjet lëshohen në kohë por kemi informata që ata thirrje nëpërmjet postës nuk arrijnë në kohë tek familjet. Kjo normalisht ndikon tek procesi i vaksinimit”, thotë Turkeshi e cila shton se poashtu në uljen e numrit të fëmijëve të vaksinuar ndikon edhe qëndrimi i disa prindërve që të mos pranojnë fëmijët e tyre disa vaksina sepse sipas tyre ata shkaktojnë autizëm. Ajo potencon se Dibra tradicionalisht ka qenë si qytet së bashku me komunën Qendër Zhupë ku vaksinimi ka qenë mbi 90 për qind .

    “Shpresojmë se do të tejkalohen këta probleme dhe përsëri vaksinimi të ketë përqindje të lartë”, thotë Dr. Turkeshi.

    Sa i takon vaksinimit në qytete dhe fshatra, sipas saj në fshatra ka një përqindje më të lartë të vaksinimit në krahasim me qytetin. Në këtë njësi duke komentuar mosvaksinimin me qëndrimet e disa prindërve dhe frika nga paraqitja e autizmit, sqarojnë se vaksinat janë të sigurta dhe se asnjë vaksinë nuk ndikon në paraqitjen e autizmit.

    Por, duke marrë parasysh migrimin masiv të popullatës së re jashtë kufijve, është krejt normale që ulja e përqindjes të fëmijëve të vaksinuar të ketë ndikim edhe nga migrimi. Tani kur e dimë se nga viti në vit rritet numri i lindjeve të banorëve të të dy komunave në shtet të tjera, është normale që vaksinimet ata fëmijë t’i bëjnë në shtete ku jetojnë. Ulja e përqindjes së vaksinimit në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë ka filluar sidomos pas paraqitjes së pandemisë Kovid-19. Sipas kompetentëve, pandemia ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në uljen të përqindjes së vaksinimit të fëmijëve në Dibër dhe rajon. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mbeturuinat në Tetovë do t’i menaxhojë kompania sllovene

    Lajmi i rradhës

    Bexheti tani e mbron Ali Ahmetin: Familja e tij po njolloset nga kuzhinat “antishqiptare”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë