Një Këshill për parandalimin e drogës në shkollat e Tetovës

    Foto: Nistori

    Në Tetovë dhe jo vetëm, kohëve të fundit dukshëm është rritur delikuenca e fëmijëve nëpër shkolla, sidomos me përdorimin e lëndëve narkotike. Për të luftuar këtë fenomen, së fundmi është propozuar që në kuadër të Komunës së Tetovës të krijohet një Këshill për parandalimin e delikuencës së fëmijëve. Propozues i këtij Këshilli është profesoresha Blerta Ahmedi.

    Në arsyetimin e saj, ajo sqaron se krahas asaj që formimi i këtij Këshilli është edhe obligim ligjor, në anën tjetër – duke analizuar situatën aktuale të kriminalitetit të manifestuar nga të rinjtë në vend, konstatohet shfaqja e tendencës së rritjes së numrit të veprave penale të raportuara në Ministrinë e Punëve të Brendshme, veçanërisht muajve të fundit në qytetin e Tetovës, raste të cilat lidhen me fenomenin e narkomanisë dhe vepra të tjera penale që kanë të bëjnë me raportim të personave të rinj si të dyshuar për kryerje të këtyre veprimeve të kundërligjshme.

    “Përfshirja e të rinjve në grupe kriminale, të cilat zhvillojnë veprimtarinë e tyre në trafikimin me lëndë narkotike ndikon drejtpërdrejtë edhe në rritjen e numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike në vend, sidomos të qytetarëve të grupmoshave të reja, e ky fakt paraqet çështje mjaft shqetësuese në vendin tonë dhe nevojë për intervenim urgjent nga subjektet kompetente për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen”, thotë për gazetën KOHA, Blerta Ahmedi, docente e të drejtës penale dhe sigurisë në UEJL. Sipas saj, kohëve të fundit dukshëm është rritur delikuenca e fëmijëve nëpër shkolla, sidomos me përdorimin e lëndëve narkotike.

    “Problemi i narkomanisë në vend, konkretisht nëse marrim shembull qytetin e Tetovës, është thelluar, sepse këto veprime kriminale kanë depërtuar në të gjitha lokacionet të cilat frekuentohen nga të rinjtë, e veçanërisht kohëve të fundit edhe në objektet edukative-arsimore. Ditëve të fundit kemi raste të paraqitura nëpër shkollat fillore dhe ato të mesme të vendit ku nxënës të këtyre shkollave fëmijë të grupmoshave 14 deri 18 vjeç janë zbuluar se brenda hapësirave të shkollës kanë poseduar me vete sasi të caktuara të substancave narkotike”, shprehet profesoresha Ahmedi.

    Sipas saj, në bazë të ndryshimeve ligjore që janë miratuar në vitin 2019, nëse komunat nuk themelojnë Këshill të kësaj natyre, do të kenë gjobë prej 500 euro. Kryetarët e komunave janë të detyruar që t’u propozojnë Këshillave të komunave, të themelojnë Këshill për Delikuencë të Fëmijëve dhe duhet që të zbatohet në afat prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

    Nga Komuna e Tetovës janë shprehur të gatshëm të ndajnë mjete për themelimin e këtij Këshilli, i cili do të merret me fëmijët problematikë nëpër shkolla. Në vitin 2020 në vendin tonë kanë funksionuar vetëm 18 këshilla për parandalimin e delikuencës së fëmijëve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ulja e papunësisë në RMV vjen si rrjedhojë e ikjes së fuqisë punëtore jashtë vendit

    Lajmi i rradhës

    ZEJTARËT DHE BIZNESET E VOGLA TË SHQETËSUAR: Tatimet e reja, goditje për biznesin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë