Unifikimi i faqeve të institucioneve, Aliti: Projekt ka, por nuk ka asnjë lëvizje

    Procesi i unifikimit të ueb faqeve të institucioneve si qeveria, ministrive dhe organeve që janë nën ombrellën e tyre, nuk u realizua sipas parashikimeve dhe do të marrë edhe disa muaj të tjerë.

    Ky projekti ishte premtuar dy vjet më herët dhe u tha se do të zgjidhte problemin me mungesën e përdorimit të shqipes në faqet e internetit të institucioneve. Ministri i ri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Haliti, sqaron se projekti ndahet në dy faza. Faza e parë eksperimentale pritet të përfundojë në prill.

    “Aty parashihen pesë ministri, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, gjegjësisht ministria jonë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Ekonomisë. Faza e parë, sipas projeksioneve tona duhet të kryhet deri në fund të prillit kurse faza e dytë që nënkupton edhe të gjitha ministritë e tjera dhe në fund si faqe qendrore edhe ajo e qeverisë, të kryhet deri në fund të këtij viti”, tha Admirim Haliti, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

    Ish-ministri Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, e kishte premtuar këtë projekt që në vitin 2020. Atëkohë, në dhënien e llogarisë për mungesën e zbatimit të dygjuhësisë në faqet elektronike të institucioneve, Shaqiri por edhe vetë qeveria, pretendonin se një gjë e tillë do të ishte zgjidhje e shpejtë.

    “Besoj që më së voni pas 6 muajsh do të kemi unifikim të faqeve të institucioneve, duke filluar nga Qeveria dhe ministritë. Është në dobi të të gjithë përdoruesve të informacioneve që duhet t’i marrin nga ueb faqet, të jenë më mirë të përshtatshme nga të gjithë elementët, qoftë nga elementet përmbajtëse dhe nga aspekti i gjuhës. Të kenë mundësi për të marrë informacione në gjuhën maqedonase, por edhe në gjuhën shqipe”, u shpreh Jeton Shaqiri, ish ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

    Dy vjet nga paralajmërimet e para të këtij projekti dhe katër vjet nga miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, me të cilin institucionet janë të detyruara të ofrojnë në dy gjuhë materialet dhe përmbajtjet në ueb faqet e tyre, realiteti është ndryshe. Shumë institucionet nuk i ofrojnë të gjithë përmbajtjet në shqip kurse ka edhe prej tyre që shqipen nuk e kanë as si opsion për ta klikuar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nuk është e vërtetë se vaksina, maskat, karantinat nuk funksionojnë

    Lajmi i rradhës

    “Gjoba më të larta për dëmtuesit e mjedisit jetësorë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë