UNIVERSITETI I TETOVËS ANULON KONKURSIN PËR REKTOR, SHKAK SHKELJET LIGJORE DHE STATUTARE

    Universiteti i Tetovë ka anuluar konkursin për zgjedhjen e rektorit të ri, të shpallur më 18.5.2023 dhe solli vendim për shpalljen e konkursit të ri për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tetovës për periudhën kohore 2023-2026. Sipas UT, procedura për zgjedhjen e rektorit duhet të kryhet pa presion nga publiku dhe palët e treta, shkruan Nistori.

    “Arsyet pse është marrë një vendim i tillë janë vetëm për faktin se procedura për zgjedhjen e rektorit duhet të kryhet pa presion nga publiku dhe palët e treta, gjë që njollos integritetin institucional të Universitetit dhe lë vend për qëllime të fshehta. Megjithëse Senati ka të drejtë kushtetuese, ligjore dhe statutore për autonomi në marrjen e vendimeve në lidhje me zgjedhjen e rektorit, në këtë rast kjo është e përcaktuar qartë me nenin 9 paragrafi (4) të Ligjit për arsimin e lartë dhe nenin 9 paragrafi (4) të Statutit të Universitetit të Tetovës, për arsyen e cekur më lart, u vendos që kriteret që do të përmbahen në konkursin e ri publik do të jenë vetëm ato që citohen fjalë për fjalë në ligj”, kumton UT.

    Procedurën e mëtejshme për zgjedhjen e rektorit do ta realizojë komisioni zgjedhor i universitetit, i cili është krijuar nga Senati i Universitetit.

    Nga ana tjetër, edhe Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka kritikuar konkursin e zgjedhjes së rektorit të ri në Universitetin e Tetovës, kjo për shkak të një sërë parregullsish.

    “Procedura e zgjedhjes së rektorit të ri në Universitetin e Tetovës nisi me një sërë parregullsish dhe mesa duket ashtu do të përfundojë. Fillimisht, duhet theksuar se i gjithë ky proces është dashur të ketë epilog që në qershor të vitit 2021 dhe jo të prolongohet në mënyrë të vazhdueshme dhe në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë. I cili në nenin 100 obligon të gjithë ushtruesit e detyrës së rektorit që në afat prej 30 ditëve nga zgjedhja e tyre, të publikojnë shpallje për konkurs. Asnjëri prej ish UD.Rektorëve si Reshat Qaili, Vullnet Ameti apo Kushtrim Ahmeti nuk e bënë këtë, që përbën shkelje ligjore dhe statutore. Por edhe tani që u publikua shpallja, në të lirshëm mund të shihet se kriteret shtesë janë vendosur në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë, sipas së cilit i vetmi kriter për të kandiduar për pozitën e rektorit, është që kandidatë të jetë nga radhët e profesorëve të rregullt. Pyesim UT-në se cila dispozitë ligjore ua mundëson atyre vendosjen e kritereve shtesë”, thonë për Nistori nga FNA. 

    Nga FNA presin që shkeljet potenciale të konkursit sipas Ligjit për Arsim të Lartë dhe statutar, të çojnë në ripërpilimin e kriteriumeve dhe përsëritjen e konkursit.

    “Forumi për Ndryshime në Arsim është në pritje të raportit të Inspektoratit të Arsimit dhe meqë shkeljet potenciale janë të dukshme, presim që kompetentët të veprojnë në kuadër të Ligjit dhe të ndërmarrin të gjitha masat që do të parandalonin shkeljet e mëtejme të Ligjit për Arsim të Lartë por edhe Statutit të Universitetit të Tetovës. Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që rektori i ardhshëm të jetë profesional dhe të punojë për të mirë të universitetit”, shtojnë nga FNA.

    Disa nga kriteret kontestuese, të cilat janë në kundërshtim me Ligjin për arsim të lartë dhe statutin e universiteti:

    Në këtë konkurs si kritere të domosdoshme kërkoheshin:

    1) Të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut;
    2) Të jetë nga radhët e profesorëve të rregullt (ordinar), me së paku 15 vjet përvojë pune si
    kuadër mësimor;
    3) Kompetenca për kryerjen e funksionit rektor, edhe atë: menaxhimi i proceseve në arsimin e lartë, gjë që konfirmohet edhe nga mosdhënia e dorëheqjes nga ndonjë pozicion drejtues të bartur brenda njësive të Universitetit.

    Çfarë thotë në të vërtetë statuti i Universitetit të Tetovës:

    Kriteret, udhëzimet dhe shpallja publike për zgjedhje të rektorit
    Neni 103
    (1) Zgjedhja e Rektorit bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me Ligjin për arsimin e lartë.
    (2) Kriteret për zgjedhje të rektorit janë pjesë përbërëse e shpalljes publike.

    Çfarë thuhet në Ligji për arsim të lartë
    Rektori dhe prorektorët
    Neni 97
    (1) Rektori është organ udhëheqës i universitetit.
    (2) Rektori e paraqet dhe përfaqëson universitetin në vend dhe jashtë.
    (3) Rektori zgjidhet nga radhët e profesorëve të rregullt me publikimin e shpalljes publike.
    (4) Rektori zgjidhet për periudhë prej tre vitesh, me të drejtë për zgjedhje të sërishme.
    (5) Rektori zgjidhet në zgjedhje të lira, të drejtpërdrejta dhe sekrete nga anëtarët e këshillave
    mësimorë-shkencorë, shkencorë dhe të mësimdhënësve të njësive.

    Pra, në ligjin për arsim të lartë dhe statutin e UT nuk ka asnjë nen që lejon vendosjen e kritereve shtesë përveç atij që kandidati të jetë profesor ordinar. Për këtë mjafton të verifikoni konkurset e universiteteve tjera publike në RMV, të cilat kanë vetëm një kriter, atë të qenurit profesor ordinar. Për një veprim të tillë të jashtëligjshëm janë njoftuar edhe inspektorati shtetëror për arsim.

    Pyetjet e Nistorit që nuk morën përgjigje nga institucionet:

    Inspektoratit shtetëror për arsim:

    1. A është ligjor konkursi për rektorin e ri të UT-së (pasi në konkurs janë vendosur kritere që nuk janë në suaza të ligjit të Arsimit të lartë, por edhe të statutit të UT-së, sepse askund me ligj nuk përmendet kushti prej 15 vitesh mësimdhënie). Ligji dhe statuti kërkojnë qartë vetëm një kusht, që kandidati për rektor të jetë nga radhët e profesorëve ordinar.

    2. Në konkursin për rektor, ka kusht i cili thotë “Mosdhënia e dorëheqjes nga ndonjë pozicion drejtues të bartur brenda njësive të Universitetit”. A është ligjor ky kriterium?

    Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe ministrit Jeton Shaqiri:

    1.Kemi njohuri se Inspektorati i Arsimit dje (22 maj) u ka dërguar një raport ku thekson shkeljet ligjore që janë bërë nga ana e UT-së në konkursin për rektor të shpallur më datë 18.05.2023. Shkeljet kanë të bëjnë me kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, ndërkaq nuk janë sipas ligjit për Arsim të lartë dhe statutit të UT-së. Si ministër i arsimit a do ta anuloni konkursin?

    Universitetit të Tetovës (UT):

    Ju drejtohemi në lidhje me konkursin për rektor të shpallur më datë 18.05.2023, në webfaqen e UT, të përgjigjeni në pyetjet:

    1. Çfarë nënkuptoni prej 15 vjet mësimdhënie dhe ku e dalloni nga përvoja mësimore-shkencore? Pse mësimdhënie dhe jo procese mësimore-shkencore?

    2. Në cilat nene dhe ligje të Arsimit të Lartë bazohet konkursi për zgjedhjen e rektorit të UT “me së paku 15 vjet përvojë pune si kuadër mësimor?

    3. Ku bazoheni në ligj apo në statutin e UT-së kur thoni: …dorëheqjes nga ndonjë pozicion drejtues të bartur brenda njësive të Universitetit?

    Nderim Zeqirit, kryetar i Komisionit qendror zgjedhor të UT-së:

    I nderuar kryetar i Komisionit qendror zgjedhor të UT, prof. Dr. Nderim Zeqiri. Ju drejtohemi në lidhje me konkursin për rektor të shpallur më datë 18.05.2023, në webfaqen e UT. Ju lutemi si kryetar i Komisionit qendror, përgjegjës për shpalljen e konkursit si dhe për plotësimin e kritereve të konkursit nga kandidatët, të përgjigjeni në pyetjet:

    1. Çfarë nënkuptoni me 15 vjet mësimdhënie dhe ku e dalloni nga përvoja mësimore-shkencore? Pse mësimdhënie dhe jo procese mësimore-shkencore?

    2. Në cilat nene dhe ligje të Arsimit të Lartë bazohet konkursi për zgjedhjen e rektorit të UT “me së paku 15 vjet përvojë pune si kuadër mësimor”?

    3. Ku bazoheni në ligj apo statut të UT kur thoni: …dorëheqjes nga ndonjë pozicion drejtues të bartur brenda njësive të Universitetit?

    Ndryshe, zgjedhja e një rektori të ri është dashur të ketë epilog që në qershor të vitit 2021 dhe jo të prolongohet në mënyrë të vazhdueshme dhe në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë. Sipas FNA në nenin 100 obligon të gjithë ushtruesit e detyrës së rektorit që në afat prej 30 ditëve nga zgjedhja e tyre, të publikojnë shpallje për konkurs. Asnjëri prej ish UD.Rektorëve si Reshat Qaili, Vullnet Ameti apo Kushtrim Ahmeti nuk e bënë këtë, që përbën shkelje ligjore dhe statutore. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    FNA kërkon që të anulohet konkursi për rektor të ri në Universitetin e Tetovës

    Lajmi i rradhës

    Gjatë përleshjes me protestuesit, lëndohen disa ushtarë të KFOR-it në Zveçan të Kosovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë