Vetëm një numër i vogël i fëmijëve të moshës 6 muaj deri 5 vjeç janë vaksinuar kundër gripit sezonal vitin e kaluar, pavarësisht faktit se mjekët rekomandojnë vaksinën falas edhe për këtë kategori, me qëllim mbrojtjen nga gripi dhe ftohjet e tjera. Si rezultat, ambulancat dhe klinikat e fëmijëve në të gjithë vendin mbushen çdo vit kurse një numër i mirë i fëmijëve shtrohen në spital si pasojë e gripit të rëndë ose komplikimeve të gripit. Por tani për tani, interesi për vaksinimin e fëmijëve është shumë i ulët.
“Është shumë dobët, numri është shumë i ulët. Vitin e kaluar, kishim 36 fëmijë të këtij grupi në nivel të shtetit dhe për këtë arsye apelojmë, sepse jemi dëshmitarë të asaj që do të thotë kur fëmijët sëmuren me grip. Shumë studime tregojnë përfitimet e vaksinimit, siç janë më pak sëmundje, më pak vizita në urgjencë, më pak shtrime në spital, veçanërisht tek fëmijët e vegjël rreziku i formave të rënda që kërkojnë kujdes intensiv zvogëlohet pothuajse 70%. Kështu që, ata janë të sigurt dhe duhet të vaksinohen”, deklaroi Katerina Stavriq – pediatre në Klinikën e fëmijëve, Shkup.
Stavriq shton se interesi i ulët ka të bëjë edhe me dezinformatat e shumta.
“Ndoshta dezinformatat e shumta. Njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin dezinformat të përgjithshme në lidhje me vaksinimin dhe imunizimin dhe kjo ndikon në uljen e numrit të atyre që pranojnë vaksinë kundër gripit. Gratë shtatzëna janë gjithashtu grup rreziku sepse jo vetëm për shëndetin e tyre, por edhe për fetusin, sepse një formë e rëndë e gripit mund të provokojë lindje të parakohshme dhe zhvillim më të dobët të fetusit. Vaksina nuk jepet në 6 muajt e parë, por me vaksinë gruaja shtatzënë transferon antitrupa dhe mbron të porsalindurin gjatë atyre 5-6 muajve nga sëmundja e gripit”, tha Katerina Stavriq – pediatre e Klinikës së fëmijëve, Shkup.
Mjekët pediatër thonë se vaksinimi kundër gripit është menduar veçanërisht për ata fëmijë që kanë probleme me shëndetin e tyre, siç janë bronkiti kronik, astma infantile dhe sëmundje të tjera virale, të cilat mund të çojnë madje në inflamacion të trurit dhe të jenë fatale. Këtë sezon, janë siguruar 80,000 vaksina. Vaksinimi sezonal kundër gripit kryhet gati 70 vite në të gjithë botën. Fakti që gripi po fiton ngadalë vrull dëshmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, ku gjatë javës së 42-të të vitit 2025 (nga 13-19.10.2025), janë raportuar 83 raste me grip, që është rritje prej 5.1% krahasuar me javën e kaluar. Krahasuar me javën e 42-të të sezonit të kaluar, ka rritje prej 66%, ndërsa krahasuar me 15 sezonet e fundit ka rritje prej 55.5%. ISHP thotë se pragu për hyrjen në sezonin e gripit ende nuk është arritur. /Alsat/






