VAKSINIMI – nuk ka interesim për dozën e tretë

    Infermieret qëndrojnë në hyrje të sporteleve të vaksinimit në pritje të qytetarëve. Foto: Lirim Shabani

    Depot e frigoriferëve janë të mbushura plot me vaksina anti kovid, por pikat e vaksinimit mbeten bosh nga mosinteresimi i qytetarëve për imunizim. Në muajin shkurt vërehen një rënie drastike në Poliklinikat e Shkupit. Në Çair gjatë ditës së sotme u dhanë rreth 100 doza, ndërkaq në krahasim me dhjetorin, aty jepeshin mbi 600 doza në ditë. Korridori i kësaj pike të vaksinimit duket i zbrazët vetëm me personelin mjekësor. Ato pak pacientë që takuam gjatë kohës që ishim aty, apeluan që të imunizohen të gjithë.

    “E kam kaluar kovidin, mora dy vaksina dhe kjo është doza e tretë. Mirë kalova nuk kisha efekte anësore nga gjilpëra e parë më dhimbtë pak krahu mu skuq, me të dytën s’kam ndjerë gjë. E sheh si është, po bëhet më keq. Duhet të vaksinohen të gjithë ndryshe nuk e heqim qafe koronën nëse nuk imunizohemi.”

    “Çdo ditë punojmë nga 8 mëngjesit deri në 6 të mbrëmjes. Më tepër vijnë paradite dhe pak në ndërrimin e dytë mes orës 1-3. Por në përgjithësi, në këtë periudhë është ulur interesimin, njerëzit vijnë më rrallë”, tha Simona Serabinovska, Vullnetare e “Kryqit të Kuq”.

    “Po mund të themi ashtu për dallim nga ditët dhe muajt tjerë kur kishte 2-300 vaksinime në një turn, tani vetëm nga 100 doza. Nuk di, mbase njerëzit tani më e kanë kaluar kovidin dhe vlerësojnë se nuk duhet të vaksinohen, mendoj se kjo është arsyeja, tani me omicron janë infektuar shumë njerëz dhe presin tu kaloj koha e vaksinimit”, deklaroi Vesna Dinevska, Personel në Poliklinikën e Çairit.

    Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kanë marrë leja nga Agjencia e Barnave MALMED për fillimin e procedurës së asgjësimit të 15,348 dozave të vaksinave Pfizer si pasojë e skadimit të afatit të tyre. Nga ky dikaster zotohen se do të fuqizojnë fushatën e sensibilizimit për marrjen e dozës së tretë, ku aktualisht e kanë marrë vetëm 5% e popullsisë, ndërkaq dozën e dytë e kanë marrë 40% e popullsisë.

    “Aktualisht posedojmë 447,070 doza të vaksinave anti-kovid nga prodhuesi Pfizer/BioNtech dhe 250,000 doza të siguruara përmes mekanizmit ‘kovaks’ si ndihmë nga Italia për rritjen e imunizimit në vend”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Qeveria ende nuk ka marr në shqyrtim rekomandimet e djeshme të Komisionit për Sëmundje Infektive që mes tjerash ekspertët shëndetësor kërkuan zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatave se pacientët kanë kaluar kovidin në 6 muajt e fundit. Në Shtabin e krizës kanë rritur rekomandimet dhe për të njëjtat do të vendoset në seancën e radhës së ekzekutivit. KSI gjithashtu kërkon që imuniteti kolektiv të llogaritet vetëm me dozën III-të, ndërkaq pritet të afatizohet në 9 muaj edhe certifikata e vaksinimit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kompanitë më të vogla do të kenë probleme serioze me sigurimin e parave për pagat minimale

    Lajmi i rradhës

    Ilire Dauti: ASK nuk është kompetente për kontrollin e kërkesave për shtetësi, keqpërdor me detyrën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë