Sipas njoftimit të MPB-së, 25 vjeçari ka therë me thikë të atin e tij 48 vjeçar, i cili më vonë ka vdekur nga plagët e shkaktuara, përcjell Nistori.
“Më 16.06.2021 në fshatin Vraneshnica të Kërçovës, zyrtarët policorë të SP Kërçovë kanë arrestuar A.K (25), për shkak të dyshimeve se rreth orës 20:30, në shtëpinë e tij me thikë i ka shkaktuar lëndime të atit të tij J.K (48), i cili më vonë ka humbur jetën. Pas ndërmarrjes së masave është vërtetuar se rasti ka ndodhur pas një përballje gojore dhe fizike ku viktima me pushkë ka kërcënuar birin e tij”, thuhet në raportin e policisë.
Për rastin është njoftuar edhe Prokurori Publik, ndërsa me urdhër të tij trupi është çuar për autopsi. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur edhe pushka dhe municione të tjera.