Gjatë muajve korrik dhe gusht rrugët e Tetovës përfshihen nga frekuentimi i madh i automjeteve. Duke patur parasysh se në Tetovë, ka mbi 40 mijë vetura të regjistruara, shtuar këtu edhe kthimin e mërgimtarëve që zakonisht vijnë me veturat e tyre, rrugët e Tetovës përfshihen nga një kaos i cili vështirë menaxhohet. Problem në vete është edhe mungesa e vendeve të parkimit dhe hapja e bulevardeve të reja në Tetovë. Kjo situatë shpesh herë ka bërë që të ketë edhe bllokim të komunikacionit me radhë të gjatë të automjeteve.
Policia e Tetovës ka bërë të ditur se ka hartuar një plan veprimi në rast të ndonjë kaosi më të madh në trafikun rrugor. “SPB-Tetovë si çdo vit edhe këtë vit ka plan për të menaxhuar këtë situatë gjatë muajve të verës dhe ka caktuar patrulla policore në hyrje –daljet e qytetit, në rast nevoje apo kaosi më të madh në komunikacion, atëherë ata do të devijojnë trafikun që mos vjen deri tek kolapsi në rrugët e Tetovës. Kohëve të fundit hapja e bulevardit ‘Bllagoja Toska’, do të ndihmojë sadopak në zbutjen e kaosit në trafik”, deklaroi Fatmir Rexhepi zëdhënës i SPB-Tetovë.
Zakonisht, në mungesë të vendeve të parkimit, ndodh që vozitësit të parkohen në vende jo adekuate, sidomos përgjatë zonave të parkimit, duke krijuar rreshta të dyfishtë, që edhe më shumë e rëndon komunikacionin. Në këtë drejtim, Policia e Tetovës pret mirëkuptim dhe kujdes të shtuar nga vozitësit. “Kërkojmë nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm, të mos dalin nëse nuk kanë ndonjë nevojë urgjente dhe të mos parkojnë veturat e tyre vend e pa vend. Kjo, pasi që një veturë e parkuar gabimisht, si pasojë e infrastrukturës që është në qytet, shkakton kaos në trafik dhe të mos flasim në rast të ndonjë aksidenti atëherë mund të bllokohet tërësisht trafiku. Kërkojmë që vozitësit të respektojnë shenjat e komunikacionit, urdhrat e policisë së trafikut dhe të mundësojnë qarkullim të lirshëm për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, njëkohësisht t`ju mundësojmë edhe mërgimtarëve që të kalojnë sa më mirë për pushime në vendlindje”, tha Fatmir Rexhepi.
Nga policia e Tetovës thonë se në bashkëpunim me komunën e Tetovës kanë lëshuar për parkim oborret e disa shkollave fillore dhe të mesme në pjesën qendrore të qytetit të Tetovë për t`iu dalur në ndihmë vozitësve të automjeteve që të kenë një vend parkim falas. Kjo bëhet me qëllim që të reduktohet kaosi në trafik gjatë verës dhe bëhet fjalë për oborret e shkollës fillore “Liria”,”Istikball”, “Goce Dellçev” dhe gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”. Këto masa Komuna e Tetovës së bashku me policinë i ndërmerr çdo vit gjatë sezonit të verës kur qytetarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit kthehen për pushime dhe numri i veturave që qarkullojnë në qytet dukshëm është më i madh. “Me hapjen e oborreve të shkollave qytetarët do ta kenë më shumë vend-parkime dhe kështu qarkullimi në komunikacion do të lehtësohet”, njoftuan nga komuna e Tetovës. /koha/