Hidrocentralet po dëmtojnë Malin Sharr

    Gjithsej në territorin parkut Kombëtar në Malin Sharr janë ndërtuar 13 hidrocentrale dhe që janë funksionalë. Një është përfunduar së ndërtuari por ende nuk është funksional. Ndërkaq, sipas drejtorit të Parkut Kombëtar Mali Sharr Ibrahim Dehari, për fat të keq po bëhet shtypje e vazhdueshme për realizimin edhe të tetë hidrocentraleve të reja. Sipas tij, bëhet fjalë për hidrocentralet Pena 84, Pena 85, Sheliçe dhe ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në lumenjtë e Bogovinës, Jellovjanit, Mazraçës dhe Dufit.

    Javën e kaluar, deri tek Parku Kombëtar Mali Sharr ka arritur edhe një kërkesë e re për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël nën fshatin Lisec, por është mendim negativ për ndërtimin e të njëjtit. Hidrocentralet e vogla në rrjedhën e lumenjve në Bogovinë, Jellovjan, Mazdraçë dhe Dufjanë ende në proces të lidhjes së kontratave koncesionare për ndërtim. Për këto, Qeveria ka marrë një vendim, por nuk ka marrë një mendim pozitiv nga Parku Kombëtar Mali Sharr dhe nuk është lidhur asnjë marrëveshje koncesioni. Për disa nga këto hidrocentrale kemi marrë të njëjtën kërkesë edhe tri herë dhe mbetemi të bindur se nuk duhet të ndërtohen, tha mes tjerash drejtori Dehari.

    Problem mbeten dy kontratat për ndërtim të hidrocentraleve, Pena 84 dhe Pena 85. Nga Paku Kombëtar Mali Sharr, thonë se kontratat janë vazhduar në kohën kur ky institucion ende nuk kishte marrë pëlqim për planin e menaxhimit, kurse nëse lejohet ndërtimi atëherë do të dëmtohet edhe sistemi i ujësjellësit të qytetit të Tetovës.

    “Ne shprehim shqetësimin tonë për jotransparencën në proceset që po zhvillohen, të cilat ndikojnë në përdorimin e resurseve, biodiversitetin dhe popullsinë lokale në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr dhe në të gjithë rajonin e Pollogut. Pena 84 e cekur me trasën e planifikuar të sajë kalon tërësisht në zonën e menaxhimit aktiv, që është shkelje e Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës. Njëkohësisht, në të njëjtën rrugë kalon edhe sistemi i ujësjellësit të qytetit të Tetovës me ujë të pijshëm“ deklaroi Ibrahim Dehari drejtor i Parkut Kombëtar Mali Sharr.

    Për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës në këtë zonë, Parku Kombëtar Mali Sharr, në marrëveshje me Ndërmarrjen Publike Komunale ka vendosur një ndalim të lëvizjes së asaj zone në mënyrë që të mbrojë ujin e pijshëm.

    Ndërtimi i infrastrukturave të tilla do të thotë praktikisht një ndërhyrje në këtë sistem shumë të rëndësishëm për popullsinë në të gjithë rajonin e Pollogut.

    “Duhet të theksohet gjithashtu se popullata lokale është një faktor thelbësor në procesin e vendimmarrjes për zbatimin e projekteve të tilla ose të ngjashme të infrastrukturës. Në takimet që kemi në baza ditore, ata ndajnë mospajtueshmërinë për ndërtimin e hidrocentraleve dhe ata kanë mbështetje të madhe kundër ndërtimit të tyre gjithashtu nga të gjithë dashamirët e natyrës. Shprehim falënderim të madh për përpjekjet që u bënë në vitin 2021 për të anuluar 6 hidrocentrale të vogla: Bellovishtë, Vratnicë, Lubotenit, Pena 82, Leshkë 100 dhe Leshkë 101. Këto angazhime na japin shpresë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha ministritë përkatëse kanë vetëdijen dhe fuqinë për të përmbushur deri në fund përpjekjet e tyre për të ruajtur burimet natyrore të vendit tonë. Hidrocentralet e planifikuara janë të vendosura në Luginën e Leshnicës, në zemër të Malit Sharr si vendi më i vizituar në masivin e Malit Sharr për shkak të vlerës së tij biologjike dhe pejsazhit”, sqaroi Dehari.

    Nga ky institucion presin që qeveria të merr vendim për prishjen e kontratave për dy hidorocentralet Pena 84 dhe Pena 85, si dhe të gjitha procedurat e tjera të ndalohen menjëherë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Pasuria e Kamçevit nga lista e zezë, përtej kufijve

    Lajmi i rradhës

    VERË E NXEHTË POLITIKE! 80 vota ose zgjedhje të parakohshme?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë