Ibraimi: Ka indikacione se ndikimi rus do të vazhdojë në Ballkan, pavarësisht të luftës në Ukrainë

    Në përgjithësi, nuk besoj se fushata e dezinformimit rus dhe mbështetja aktuale e perceptimit të gabueshëm të luftës në Ukrainë, do të ndikojë në ndryshimin e mundshëm të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut. Aktualisht, mundësi reale për luftë në Ballkan nuk ka. Dezinformimi rus me mjetet hibride, vazhdon të shpërndahet më tej, duke ju dhënë shpresë të kotë një shtrese të caktuar qytetarësh se një ditë Rusia do t’i shpëtojë nga Perëndimi.
    Kështu mes tjerash deklaroi eksperti i politikës ndërkombëtare, autori dhe gazetari, me fokus në gjeopolitikën dhe çështjet e sigurisë së Evropës dhe Ballkanit, Selim Ibraimi në një intervistë për Portalb.mk.

    Intervistoi: Suad Bajrami

    Para ca kohësh, kryeministri bullgar Kiril Petkov informoi se agjentë rus në Bullgari po punojnë vazhdimisht kundër marrëdhënieve të mira mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe rrjedhimisht të mbyllet ardhmëria evropiane për vendin tonë. Nëse shohim në perspektivë, sa janë treguar të suksesshme ndikimet e këtilla dhe sa ka rrezik që këto aktivitete ta varrosin ardhmërinë evropiane?

    Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimorë mori hov aty nga viti 2008 dhe u manifestua në format hibride në vitin 2017 në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi në vitin 2016 dhe në Bullgari në partitë politike, universitetet dhe në mediat bullgare. Po e njëjta, është zhvilluar në Maqedoninë e Veriut gjatë qeverisjes së dikurshme të Nikolla Gruevskit, duke u paraqitur si bllokues i të gjitha proceseve integruese dhe zhvillimit të raporteve armiqësore më shtetet fqinjë. Ndikimi rus atëherë si në Shkup dhe në vendet fqinjë ishte i padukshëm dhe askush nuk besonte se Rusia ishte një ndër aktorët e jashtëm që kishte zënë rrënjë në politikat dhe vendimmarrjet qeveritare të Shkupit. Nga këndvështrimi i sotëm, lirisht mund të themi se ndikimi rus i ka pasur pasojat e veta në rikthimin e mendjeve të vjetra në politikëbërje në vendet ballkanike.

    Po të mos ishin SHBA kur së fundi ata intervenuan me gjetjen e një zgjidhje të shpejtë të kontestit me Athinën, gjendja sot do të ishte e mjerueshme apo fatale për Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe në tërësi Ballkanin Perëndimorë. Në drejtim të faktorit rus në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, jo vetëm kryeministri bullgar, por, edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se si në Shkup dhe në Sofje ka njerëz që punojnë kundër arritjes së një marrëveshje në mes dy qeverive. Duhet pranuar se pasojat e ndikimit të mëhershëm rus në MV, ka zënë rrënjë të thella, dhe këtu pavarësisht se vendi është anëtar i NATO-s dhe vendi është kandidat për në BE. Vendet e përziera, multietnike dhe fetare, janë një ndër pikat nxitëse të Moskës në rajon. Këtë mbështetje të heshtur që e shohim në Ballkan për luftën e Putinit, vjen pikërisht nga strategjia afatgjate e Moskës për t’u përzier në shumë punë dhe për të mbajtur të përbashkët “vëllazërinë ortodokse”. Mirëpo, me luftën në Ukrainë dhe agresionin rus, koha është që “bota ortodokse”, të ndërgjegjësohet dhe të marrë në duart e veta unitetin dhe bashkëpunimin me fetë e tjera dhe kombet tjera.

    Ka indikacione, se ndikimi rus do të vazhdojë, pavarësisht të luftës në Ukrainë. Ky ndikim duhet të shihet nga forma se si dezinformohen popujt e Ballkanit, jo vetëm nga Rusia dhe mbështetësit e saj, por, edhe nga Serbia e cila fatkeqësisht po e mbështet këtë fushatë të rrejshme. Tani e tutje, qeveritë progresive të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duhet të vazhdojnë të punojnë në zgjidhjen e konflikteve dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme ndër -fqinjësore dhe të brendshme, pavarësisht rolit të Rusisë dhe aktorëve të saj në Shkup dhe në Sofje apo gjetiu.

    Sa kanë ndikuar dezinformatat ruse në perceptimin e popullatës së Maqedonisë së Veriut për atë se çfarë po ndodh në të vërtetë në Ukrainë dhe sa është e rrezikshme që ky perceptim me kalimin e kohës të kanalizohet në drejtim të zbutjes së politikave sanksionuese të RMV-së ndaj Rusisë?

    Përhapja e dezinformatave dhe shfrytëzimi taktikave hibride nga Kremlini është bërë dhe zhvilluar më herët në Ballkan dhe në Maqedoninë e Veriut. Tani kemi rastin t’i shohim vetëm pasojat që për fat të keq kanë ndikim të njëanshëm në mendjet dhe zemrat e një shtrese të konsiderueshme të popullatës në Maqedoninë e Veriut. Nuk është për tu habitur se pse një kategori e caktuar e grup moshave jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe më gjerë, në rrjetet sociale dhe në forma tjera e shprehin haptazi mbështetjen e luftës ruse në Ukrainë. Në proces afatgjatë me zbulimin e veprave kundër njerëzimit të ushtrisë ruse në Ukrainë, me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe njoftimeve për krime lufte, popullata ortodokse në Ballkan dhe në vendet ku aty Rusia ka ndikim ende, do të ndryshojë perceptimin ndaj luftës së Kremlinit. Në këtë dekadë, nuk është koha e veprave të Stalinit dhe të Bollshevizmit.

    Shoqëritë dhe shtetet multietnike të rajonit tonë duhet të përcaktohen qartë se lufta në Ukrainë nuk sjell asgjë të mirë për qytetarët maqedonas, për serbët dhe asnjë popull tjetër në Ballkanin Perëndimorë.

    Në përgjithësi, nuk besoj se fushata e dezinformimit rus dhe mbështetja aktuale e perceptimit të gabueshëm të luftës në Ukrainë, do të ndikojë në ndryshimin e mundshëm të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut. Vetëm në një skenarë të pamenduar mirë të përhapjes së një luftë të përgjithshme në Evropë, do të mund të mendonim për zhvillime që do të mund të sjellin ndryshime në politikat e mbrojtjes dhe natyrisht atë të jashtmen të vendit tonë. Tani për tani, në kontekst të luftës në Ukrainë, ky ndikim do të vazhdojë të ketë këto nivele të ndryshme, duke i manipuluar kokat e vetëm atyre personave dhe politikanëve që dëshirojnë ta shohin realitetin ndryshe nga pjesa tjetër e botës demokratike dhe të civilizuar.

    Pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, teza që qarkullonte në opinion ishte se lufta mund të përhapet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por tani kjo tezë kohëve të fundit nuk po përmendet. A ishte kjo një mundësi reale për përhapjen e luftës, apo vetëm pjesë e strategjisë dezinformuese të Rusisë?

    Lajmet që u përhapën në mediat online para dhe pas pushtimit rus të Ukrainës, kishin për qëllim fillimisht nxitjen e krijimit të një opinioni në favor të sulmit të Rusisë dhe vazhdimin e thellimit të hendekut apo mosbesimit në mes etnive dhe feve në Ballkan, se ja lufta do të përhapet pas Ukrainës edhe në Ballkanin Perëndimor. Teza ka qenë e vjetër, dhe ka pasur për qëllim të testojë ambientin e sigurisë nëse forcat radikale dhe shërbimet inteligjente ruse bashkë me pjesëtarë lokal të përhapjes së politikave ruse në Ballkan, mundësisht të ndërmarrin aksione të fshehta për destabilizim qoftë të Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Kosovës Veriore. Fillimisht mediat apo rrjetet sociale bashkë me “trollët” e tyre në rrjetet sociale, kanë bërë përpjekje vazhdimisht të përhapin informacione të rrejshme për luftën kinse të drejtë të Putinit në Ukrainë dhe përsëritjes së të njëjtës situatë në Ballkan. Ky fakt mbështetet edhe nga veprimet konkrete të diplomacisë ruse.

    Dhe këtu nuk ishte i kotë kërcënimi i diplomatit rus në Bosnjë se në qoftë se Sarajeva zyrtare do të tentonte të anëtarësohej në NATO, sipas tij Bosnja do të pësonte njëjtë si Ukraina. Përkundër rrëfimeve të njohura të propagandës ruse, strategjia e Kremlinit bashkë me infrastrukturën e saj për tensionimin e atmosferës dështoi. Tani, ka mbetur që qeveritë pro reformatore, të parandalojnë veprimet online të aktorëve jo shtetërorë dhe këtu duhet vepruar shpejt duke vënë në zbatimin ligjin. Aktualisht, mundësi reale për luftë në Ballkan nuk ka. Dezinformimi rus me mjetet hibride, vazhdon të shpërndahet më tej, duke ju dhënë shpresë të kotë një shtrese të caktuar qytetarësh se një ditë Rusia do t’i shpëtojë nga Perëndimi. Në fakt, kjo është një propagandë e rrejshme dhe nganjëherë parandalon që qeveritë progresive t’i kryejnë reformat. Vetëm një luftë e përgjithshme në Evropën Perëndimore dhe atë Lindore, lë hapësirë për skenarë të frikshëm në Ballkanin Perëndimor.

    Ditët e kaluara bota është tronditur nga skenat e tmerrshme në Buça të Ukrainës. Si e vlerësoni qasjen e Rusisë për mospranim të fakteve për krimet e kryera ndaj popullatës civile në Ukrainë madje duke akuzuar se pamjet janë të montuara?

    Për specialistët e politikave të BRSS-së dhe të Rusisë së Putinit, gënjeshtrat apo mospranimi i fakteve nuk është diçka e re. Gjatë ” Urisë së Kuqe” në vitet e 30 ta të shekullit XX, mbi 3-4 milionë ukrainas vdiqën nga politikat e Stalinit, e lidhur më vonë me planet e kolektivizimit të pronës private. Në fakt, kjo ishte vdekje e qëllimshme apo vdekje masive për banorët e Ukrainës të zënë ngushtë nga sovjetikët. Ky gjenocid, asnjëherë nuk u pranua nga Kremlini. Rasti tjetër i quajtur si ” Masakra e Katlynit” në Poloni, ushtarët sovjetikë në fillim të pranverës së vitit 1940, me urdhër të Stalinit dhe ushtarakëve sovjetikë, pushkatuan mbi 22.000 oficerë dhe ushtarë polakë, dhe intelektualë. Këtë masakër sovjetike, Stalini u mundua ta paraqesë si vepër të ushtarëve gjermanë. Asnjëherë maskara nuk u pranua nga BRSS-ja. Vetëm në vitin 1991 pas shembjes së BRSS-së, Jelcini e pranoi si vepër të sovjetikëve, por askush nuk u përgjigj për këtë vepër. Kurse masakra në Buça të Ukrainës dhe në qytetet tjera është vetëm një vazhdimësi e politikave të vjetra ruse ndaj fqinjëve. Me këtë vepër, Rusia e Putinit po armiqësohet me të gjitha popujt përgjithmonë, duke e izoluar popullin rus nga bota. Megjithatë, përkundër gjithë mohimeve ruse, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe, i kanë dokumentuar mirë veprat ruse të krimit dhe gjenocidit.
    Si p.sh. “MAXAR TECHNOLOGIES” me imazhet satelitore inteligjente, ka treguar saktë dhe qartë për varrezat masive dhe veprat tjera kundër njerëzimit të ushtrisë ruse në Ukrainë. Janë të kota kundërshtimet e Ministrisë së Jashtme të Rusisë për të paraqitur imazhe të rrejshme dhe të redaktimit po ashtu të rrejshëm të fotografive me souftverëve, rreth masakrës në Buça dhe në qytetet tjera. Pa dyshim se Rusia do të vazhdojë t’i hedhë poshtë të gjitha faktet dhe masakrat e bëra në Ukrainë, duke akuzuar SHBA dhe NATO-n, se po pengojnë arritjen e një marrëveshje në mes dy vendeve.

    Për shkak se popullata ruse është e privuar, madje edhe me ligj, të informohet nga burime tjera pos atyre të kontrolluara nga shteti për ndodhitë në Ukrainë, sa ka gjasa që po e njëjta popullatë ta rrëzojë Putinin. Apo, ndoshta rrëzimi i tij mund të pritet nga pasojat që vijnë prej luftës?

    Duhet pranuar gjithashtu se popullata ruse është në izolim dhe ligjet e reja të aprovuara nga Kremlini edhe më tepër do të përkeqësojnë situatën e brendshme të lirive individuale, të shprehjes dhe shtypit. Dihet se gjendja e shtypit edhe ashtu e vështirësuar në Rusi është rënduar më shumë me kufizimet e reja. Redaktorë dhe gazetarë rusë kanë dhënë dorëheqje nga mediat shtetërore në protestë kundër politikave redaksionale dhe të luftës në Ukrainë. Për sa u përket zhvillimeve të brendshme politike, qeveria ruse do të vazhdojë të mbajë të shtypur qytetarët rusë me metoda të ashpra deri në një izolim të skajshëm. Mbetet që populli rus në muajt në vazhdim të mos pajtohet me këtë luftë dhe të kërkojë ndryshime ashtu njëjtë si në vitin 1990. Një Rusi demokratike e lidhur përsëri me botën e zhvilluar, mbetet në duart dhe mendjet e popullit rus, i cili duhet të punojnë për rrëzimin e autokratëve dhe kthimin e lirisë. Ndryshe, vazhdimi i mëtutjeshëm i kësaj Rusie, do të ketë pasoja për të ardhmen e popullit dhe mirëqenien e tij. Ndryshimet në Rusi duhet të nisin nga brenda. Dhe lufta në Ukrainë që e gjeti të papërgatitur mirë Rusinë, duhet të shpërbejë për popullin rus, si moment historik për ndryshime rrënjësore, me rrënimin e autokratëve, me dhënien fund të mendësisë së mbrapshtë në qeverisjen ruse me shtetet fqinjë dhe botën. Ndryshime të vërteta për një Rusi të hapur dhe larg ngjarjeve të 1917-tës.

    Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari.

    Lajmi Paraprak

    90.8% e të anketuarve në Kosovë mendojnë se duhet të ketë Vetting në sistemin e Drejtësisë

    Lajmi i rradhës

    EKONOMIA GRI – ka gëlltitur mbi 2.5 miliardë euro, mjete këto që përfundojnë në xhepat e personave privatë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë