Si krijohet magjepsja nga fuqia e Rusisë në mediume dhe rrjetet sociale

    Një nga mënyrat më të thjeshta për të ndikuar në një numër më të madh njerëzish është të lavdërosh një vend. Glorifikimi pozitiv mund të ngjallë admirim, ndjenjën e përkatësisë dhe komunitetit, ndjenjë mbrojtjeje, strehë gjithnjë të pranishme, si dhe alternativë që është në dispozicion të qytetarëve dhe shtetit… Kjo është veçanërisht e mundur në kohë stagnimi ose pritjesh të paplotësuara ose pakënaqësia nga shpejtësia me të cilën lëvizin gjërat, në rastin konkret negociatat e anëtarësimit me BE-në.

    Shkruan: prof-dr Mirjana Najçevska, eksperte e shtetit juridik dhe të drejtave njerëzore

    Demonstrimi i fuqisë së një shteti mund t’i referohet fuqisë kulturore, shkencore ose ndonjë lloji tjetër, por është më e habitshme kur korrespondon me theksimin e fuqisë ushtarake. Pikërisht ky segment i ndikimit të mundshëm është interesant dhe bie në sy kur analizohet ndikimi që ka Rusia në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

    Në përgjithësi, Maqedonia e Veriut nuk është shumë e ekspozuar, as nuk është nën ndonjë ndikim të dukshëm dhe të fortë të Rusisë. Monitorimi i rregullt i cenimit të vendit nga ky lloj ndikimi që e bën “GLOBSEK” nga Bratislava, tregon se ajo është mesatarisht e cenueshme dhe se ka mekanizma me të cilët arrin të përballet.

    Magjepsja me fuqinë e Rusisë ekziston dhe transmetohet si përmes mediave formale, ashtu edhe përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të internetit, por është e vështirë të matet.

    Në këtë ndikojnë disa faktorë.

    Së pari, gazetaria analitike dhe investigative nuk është e zhvilluar në vend, por praktikohet, mbi të gjitha, kopjimi dhe transmetimi i lajmeve/informacioneve/analizave nga media të tjera, kryesisht të huaja. Duke pasur parasysh se edhe në këtë transmetim nuk citohen mediat nga e cila është marrë teksti dhe aq më rrallë jepen linke me tekstet specifike, mund të supozohet se nga cili burim është marrë një lajm/informacion i caktuar sipas përmbajtjes së tij.

    Së dyti, ekziston traditë e dëgjimit/shikimit/leximit të mediave që vijnë nga Republika e Serbisë fqinje. Është shumë e vështirë të përcaktohet shkalla e ekspozimit të qytetarëve ndaj këtyre mediave (shumë prej të cilave janë pozitive dhe shumë jo selektive kur bëhet fjalë për transmetimin e informacionit që lidhet me Rusinë dhe fuqinë e saj ushtarake). Situata përkeqësohet me blerjen e disa mediave në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga pronarë serbë. Nëse kjo vihet në kontekstin e analizave që tregojnë për ndikimin e madh të Rusisë në mediat serbe, mund të nxirret një përfundim për të pasqyruar atë ndikim edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

    Së treti, rrjetet sociale janë një burim i rëndësishëm informacioni që është i vështirë për t’u llogaritur. Besimi në media që plasojnë lajme burimi i të cilëve nuk mund të verifikohet, është i rëndësishëm dhe pa mëdyshje i rrezikshëm. Pikërisht për shkak të mënyrës kryesisht joformale të përcjelljes së informacionit, pikëpamjeve, opinioneve, nuk është e lehtë të vlerësohet niveli i ndikimit i tyre në një rreth më të gjerë njerëzish.

    Ajo që mund të konstatohet nga analiza e mediave në Republikën e Maqedonisë së Veriut është se për fuqinë ushtarake të Rusisë flitet në mënyrë dhe në sasi që nuk mund të gjendet kur bëhet fjalë për ndonjë vend tjetër. Njëanshmëria e informacionit theksohet nga fakti se në media nuk ka matje dhe të dhëna përkatëse nga të cilat mund të shihet fuqia ushtarake e vendeve/aleancave të veçanta.

    Ilustrim: Lista e vendeve sipas fuqisë ushtarake sipas GlobalFirepower (GFP).

    Kjo magjepsje (në mënyrën se si portretizohet në media) mund, por jo gjithsesi të korrespondojë me të dhënat e situatës faktike (duke qenë se shumë pak artikuj tregojnë të dhëna ose burime përkatëse për pretendime të caktuara). Në çdo rast, në media nuk kundërshtohen burimet e ndryshme të të dhënave.

    Në disa artikuj mungesa e burimeve dhe e të dhënave përkatëse zëvendësohet duke dhënë detaje të llojeve specifike të armëve dhe/ose armatimeve që duhet të krijojnë përshtypjen e rëndësisë dhe njohurive. Për shembull, një artikull i tillë titullohet “Bartësi vrasës do ta bëjë Rusinë një forcë të fuqishme hipersonike“, në të cilin është dhënë përshkrim shumë i detajuar i armës “së re” që po zhvillohet nga Rusia. Ose “Sistemet ruse kundërajrore S-350 që vijnë në Krime së shpejti“, “Kalaja e Kaliningradit: Ushtria ruse po formon me shpejtësi një divizion të fuqishëm për të mbrojtur enklavat e rëndësishme“.

    Disa nga artikujt janë të strukturuar në atë mënyrë që në pamje të parë duket se dërgojnë mesazh shqetësimi (nga fuqia ushtarake e Rusisë), megjithatë në një sërë rastesh të tilla i gjithë teksti rrezaton admirim.

    Zakonisht, fuqia ushtarake e Rusisë nuk është pjesë e ndonjë analize të gjerë ose të thelluar, përmendja shpesh bëhet jashtë kontekstit (lidhur me ndonjë ngjarje – festë, manovër, deklarata nga zyrtarë të lartë të qeverisë ruse) dhe nuk ka elemente krahasuese ose tregim të balancuara të fuqisë ushtarake të shteteve tjera.

    Edhe kur media i referohet analizave eksperte apo specifike të ndërmarra nga media të tjera, është shumë e rrallë të jepet link që do të verifikonte formën e tyre origjinale. Në çdo rast, nuk ka asnjë këndvështrim apo referencë të balancuar për analiza të ndryshme (disa që lavdërojnë fuqinë e Rusisë dhe gatishmërinë e saj për të mposhtur Shtetet e Bashkuara, e të tjerë pretendojnë të kundërtën).

    Numri i vogël i analizave serioze të shpërndarjes së fuqisë ushtarake në mediat e Maqedonisë së Veriut japin të dhëna krejtësisht të kundërta (për fuqinë ushtarake dhe pafuqinë, por edhe më shumë për situatën ekonomike në Rusi) me ato të përhapura nga portalet dhe mediat që e ushqejnë magjepsjen me fuqinë ushtarake të Rusisë.

    Është interesante se kur flitet për renditjen e fuqisë ushtarake në mbarë botën (madje edhe për ndonjë konflikt të mundshëm), zakonisht flitet për Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, dhe jo për balancën e fuqisë ose për ndonjë një konflikt të mundshëm midis Rusisë (ose një strukture të udhëhequr nga Rusia) dhe NATO-s.

    Informacionet që kanë të bëjnë me fuqinë ushtarake të Rusisë, shpesh janë pjesë e lajmeve të transmetuara përmes rrjeteve sociale, por nuk është e pazakontë që ato të gjejnë vend në mediat e njohura të shkruara dhe elektronike. Pjesë e këtij trendi janë edhe gazetat më të vjetra në Maqedoninë e Veriut si “Nova Makedonija” me shkrime të llojit si “Rusia është sërish e fuqishme dhe Perëndimi duhet ta përballojë” dhe “Vecer” me “VIDEO | Rusia teston me sukses një tjetër raketë hipersonike“.

    Ndonjëherë bëhet fjalë për mesazhe indirekt lidhur me shitjen e armëve fqinjëve apo “miqve” ose thjesht tentohet të arrihet efekti i duhur me një qëndrim përçmues ndaj NATO-s.

    Në këtë kuptim, zgjedhja e termave të përdorur për të përshkruar fuqinë ushtarake të Rusisë është gjithashtu interesante. Për shembull, flitet për “E gjithë fuqia dhe bukuria e ushtrisë ruse: E gjithë fuqia dhe bukuria e ushtrisë ruse në një video: Kanali televiziv ushtarak rus transmeton një video spektakolare“:

    Video incizimi është përgatitur nga ekipi i kanalit televiziv “Zvezda”. Në të tregohet mjeshtëria e pilotëve ushtarakë rusë, tenkave, parashutistëve, artilerisë dhe mitralozëve. Janë shfaqur skena nga lëshimi i raketave “Kalibri” nga anijet, si dhe skena të sulmit nga helikopterët sulmues dhe avionët që hedhin raketa ndaj objektivave. Skenat me ngritjen e bombarduesve strategjikë Tu-160 ‘Mjellma e Bardhë’ meritojnë vëmendje të veçantë.

    Pjesa më e madhe e lajmeve që lidhen me pajisjet ushtarake dhe fuqinë ushtarake të Rusisë, të cilat më tej transmetohen në portale të caktuara apo edhe në media me reputacion në Maqedoninë e Veriut, merren nga portali Russia Beyond. Më shpesh në raste të tilla, ky portal nuk tregohet fare si burim informacioni/të dhënash dhe as nuk përmendet se informacioni është pjesë e rrjetit mediatik të financuar nga qeveria ruse, ku përfshihet botimi mëmë “Российская газета” dhe Russia Today (RT).

    Снимка на екранот од напис на Infomax.mk.

    Për të krijuar përshtypjen e madhështisë dhe për të nxitur magjepsje me fuqinë ushtarake të Rusisë, shpesh flitet për disa armë sekrete dhe krejtësisht të reja.

    Asnjë përfundim specifik nuk mund të nxirret nga artikujt që paraqesin fuqinë ushtarake të Rusisë (natyrisht ky nuk është qëllimi i artikujve), as nuk përmendet ndonjë konotacion negativ i një fuqie të tillë ushtarake. Zakonisht mbetet vetëm përshtypja e madhështisë.

    Ky lloj i artikujve është i shpeshtë në situata konflikti të mundshëm ku përfshihet Rusia si palë në konflikt, siç është shembulli i fundit me Ukrainën.

    Në fillim të rritjes së tensioneve lidhur me Ukrainën, në mediat në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk kishte shumë analiza për këtë temë. Është interesant fakti se në disa nga ato që u bënë, më shumë flitej për atë që i shqetëson rusët sesa për atë që shqetëson vendet e Evropës Perëndimore. Në disa nga informacionet në lidhje me konfliktin për Ukrainën, shumë hapur u mbajt anë duke përdorur formulimin dhe kontekstin e duhur në të cilin transmetohen deklaratat e zyrtarëve të lartë nga të dyja palët (“Të kujtojmë, zëdhënësi i Pentagonit John Kirby” (sipas Portali “Lokalno”) deklaroi se Rusia dyshohet se po përgatit justifikim për pushtimin e Ukrainës, pa ofruar prova për këto pretendime”, … ndërsa nuk jepen dëshmi, do të konsiderohet se bëhet fjalë për lajm të rrejshëm dhe akuza të rrejshme kundër Rusisë, shkruan portali Observer).

    Numri i kolumnave që analizonin marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës në dritën e vlerave evropiane ishte edhe më i vogël. Një nga kolumnat e pakta në të cilat tentohet një qasje e balancuar, e cila tenton të ndërlidhet me zhvillimet në Maqedoni dhe qëndrimin e vendeve evropiane ndaj saj, është publikuar nga portali “Faktor” në vitin 2019.

    Niveli tjetër ishte zhvillimi i një perceptimi pozitiv për ushtrinë ruse dhe pranimi i veprimeve të tyre si të dëshiruara. Në artikuj të tillë si “Paqeruajtësit tërhiqen nga Kazakistani” botuar nga portali “Express” në janar 2022, ata bëhen paqeruajtës, me rol të qartë për paqe. Ndonjëherë perceptimi pozitiv është i paketuar mirë në tekst kinse objektiv.

    Kjo përshtypje theksohet nga admirimi i qetë për taktikat e Putinit ose “përçarja e NATO-s” dhe vendet e Evropës Perëndimore, gjegjësisht mosinteresimi “perëndimor” për Ukrainën, si dhe nga portretizimi i njëanshëm i Rusisë si viktimë.

    E gjithë kjo mund të nxisë qëndrim përgjithësisht pozitiv ndaj Rusisë, duke zbutur perceptimin e Rusisë si dikush që përdor fuqinë e saj ushtarake për të zgjeruar ndikimin e saj dhe krijon perceptim të Rusisë si mbrojtës i mundshëm, jo ​​agresor i mundshëm.

    Në kontekstin e prezencës së madhe të artikujve nga mediat serbe që ushqejnë qasje negative ndaj NATO-s, kjo po merr vrull.

    Numri i informacioneve dhe artikujve mbi marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës që tregojnë situatën e përgjithshme dhe nga një këndvështrim tjetër rritet me rritjen e mundësisë së konfliktit, pra hyrjen e forcave ushtarake ruse në territorin e Ukrainës, që në javët të merr përmasa të mëdha. Në janar 2022, u shfaqën për herë të parë artikuj që flisnin për fuqinë ushtarake dhe ndihmën ushtarake që Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë filluar të manifestojnë / ofrojnë në lidhje me konfliktin.

    Mungesa e analizave origjinale

    Ende nuk ka analiza nga autorë vendas, por burimi i informacioneve (të paktën në mediat më të njohura) është, mbi të gjitha, mediat perëndimore.

    Informacionet që përpiqen të japin pasqyrë objektive të situatës po rriten gradualisht në numër (dhe në masë të madhe “mbulon” ata që vazhdojnë të transmetojnë përmbajtje anti-NATO në disa prej mediave dhe përmbajtje që nënvlerësojnë çdo formë sanksioni në rast të agresionit të mundshëm nga Rusia, pra agresioni i tillë paraqitet si moral dhe i justifikuar.

    Megjithatë, mbetet problemi me transmetimin e përmbajtjeve që promovojnë shumë hapur mbështetjen për Rusinë në konfliktin me Ukrainën përmes rrjeteve sociale. Domethënë, informacionet zyrtare dhe transmetimi i përshkallëzimit të konfliktit, të përcjella në një sërë mediash nuk transmetohen më tej nga rrjetet sociale, për dallim nga përmbajtjet me të cilat mbështetet Rusia, të cilat transmetohen përmes grupeve në Facebook dhe grupeve joformale që organizojnë protesta dhe deklarohen si kundërshtar të hapur të NATO-s dhe përkrahës të heshtur të Rusisë. Për më tepër, në portalet dhe faqet e internetit joformale që nuk kanë informacion të printuar dhe transparent për pronësinë, përmbajtje të tilla prodhohen nga njerëz që disa qytetarë i perceptojnë si gazetarë seriozë.

    Informimi për qëndrimet e politikanëve maqedonas në lidhje me Rusinë

    Në vitet e fundit, politikanët maqedonas në pushtet rrallë kanë folur për marrëdhëniet me Rusinë. Kur e bëjnë këtë, zakonisht përpiqen të ulen në dy karrige dhe në asnjë rast nuk bëjnë akuza të hapura kundër Rusisë. Kështu, për shembull, në vitin 2019, kryeministri Zoran Zaev për aferën me shakaxhinjtë rusë, e cila zyrtarisht u cilësua si “sulm hibrid” nga zyrtarë të qeverisë, deklaroi se “nuk është akt i Federatës Ruse, vend që është miku ynë”.

    Lidhur me konfliktin e Rusisë me Ukrainën, ministrja e sapoemëruar e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, dha mbështetje të hapur Ukrainës për herë të parë. Kjo deklaratë u transmetua nga një sërë mediash në Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu shkaktoi ortek fyerjesh dhe poshtërimi (të cilat përdoren përsëri për të theksuar fuqinë ushtarake të Rusisë).

    Përkundër kësaj, mbështetje e hapur për Rusinë (edhe në konfliktin me Ukrainën) jepet nga një numër shumë i vogël politikanësh dhe ata zakonisht janë jashtë pushtetit. Një numër edhe më i vogël i politikanëve të përfshirë aktualisht në strukturat qeveritare bëjnë deklarata që mbështesin hapur Rusinë dhe kundërshtojnë orientimin e Maqedonisë në NATO.

    Njëri prej tyre është deputeti Apasiev, i cili i përket partisë “E Majta” (parti që fitoi dy deputetë në zgjedhjet parlamentare të 2020-ës dhe që në programin e saj zgjedhor thekson qartë se është e përkushtuar që Maqedonia të largohet nga NATO).

    Lideri i “Të Majtës”, Dimitar Apasiev, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Shkup, Sergei Bazdnikin, në përfaqësuesen “Dhoma e Strugës” në Kuvend. Nga partia e deputetit thonë se profesori dhe diplomati, ndër të tjera, kanë diskutuar për postimin e famshëm në Twitter, me të cilin ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani i ka dhënë mbështetje SHBA-së në përballjen me tensionet në kufirin ruso-ukrainas.

    Deklaratat e Apasiev kanë për qëllim perceptimin pozitiv ndaj Rusisë.

    Mund të konstatohet se në disa nga mediat, portalet dhe faqet e internetit brenda rrjeteve sociale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është ndërtuar kanal për ndërtimin e vazhdueshëm të qëndrimit pozitiv ndaj fuqisë ushtarake të Rusisë dhe nxitjen e magjepsjes për përmasat e saj.

    Është shumë e vështirë të përcaktohet ndikimi i vërtetë që kanë këto lloj informacione në publikun e gjerë, por fakt mbetet prania e vazhdueshme e këtij lloj perceptimi që mund të hidhet lehtësisht në sipërfaqe dhe të shumëfishohet në kohë krize dhe veçanërisht në kushte të pakënaqësisë në rritje në vend nga (mos)përkrahja që merr në proceset integruese evropiane.

    Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari.

    Lajmi Paraprak

    Hiperbolizim dhe glorifikim i panevojshëm mediatik i një pajisje ushtarake ruse

    Lajmi i rradhës

    Çfarë është Këshilli i Evropës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë