VETËM KROACIA NA SHPËTON NGA KRIZA | Qytetarët e RMV për punë sezonale në Zadar

    Pakënaqësia me pagat dhe çmimet kanë bërë që një numër i madh i të rinjve t’ju drejtohen vendeve Evropiane apo edhe atyre rajonale. Një numër i madh i tyre si destinacion përfundimtar edhe këtë vit kanë zgjedhur Kroacinë. Disa tashmë kanë arritur atje ndërsa pjesa tjetër pritet që të largohet deri në fund të majit. Një nga ta është edhe A. M. i cili po përgatitet që këto ditë të udhëtojë për në Zadar. Ai tha se herën e parë që ka shkuar në Kroaci për të punuar ka qenë me ndërmjetësimin e një kompanie, ndërsa tani negocion drejtpërdrejtë me pronarët e lokalit ku ka punuar si kamerier.

    “Hera e parë që shkova ishte viti 2021, shkova përmes një kompanie ndërmjetësimi, ndërsa vitin e kaluar nuk kisha më nevojë pasi negociova drejtpërdrejtë me pronarët e lokalit ku punoja si kamerier. Unë isha i kënaqur me kushtet dhe pagën si dhe ata ishin të kënaqur me punën time”, tha ai duke treguar se edhe këtë verë shkon tek i njëjti vend.

    Kompanitë e ndërmjetësimit në Maqedoninë e Veriut janë të lidhura mirë me organizatat e atjeshme partnere të cilat u shërbejnë komuniteteve rajonale për profile specifike të punëtorëve. Edhe pse duket se fillimi i sezonit veror i bënë më të kërkuar kamerierët, kuzhinierët, punonjësit e kuzhinës, stafin e hoteleve dhe higjienës, në fakt ata që kërkohen më shumë janë punonjësit e ndërtimtarisë, infermierët, shitësit, kujdestarët, shoferët, dhe punëtorët e magazinave.

    Nga kompanitë ndërmjetësuese vendase thonë se më shumë punë ka nga janari kur edhe fillon “orteku” i kërkesave për punëtor maqedonas, kur edhe fillojnë procedurat e zakonshme, intervistat për të kontrolluar kompetencat, njohuritë e gjuhëve, përvojën në profesion e deri tek sigurimi i dokumenteve dhe procedurave për marrjen e lejes së punës. Ata thonë gjithashtu se ka edhe familje të tëra të cilat largohen për punë sezonale jashtë vendit.

    “Për shembull, babai punon në një gurore në Benkovac, gruaja si ndihmës kuzhiniere në një qytet të afërt bregdetar, njëri djalë punon shofer e tjetri në treg”, tregojnë ata. Sipas tyre jo gjithmonë bëhet fjalë për persona që për shkak të papunësisë largohen për punë sezonale. Ka punonjës të sektorit publik të cilët marrin pushim pa pagesë për të punuar si punëtor sezonal jashtë vendit”, theksojnë nga atje.

    Kjo nuk është edhe aq për tu habitur pasi jo më larg se vitin e kaluar LSDM zbuloi se një udhëheqës i një njësie në Ndërmarrje Publike mori pushim pa pagesë dhe shkoi të punojë si kamerier në Kroaci, si pasojë e të cilit edhe punëtorët e asaj ndërmarrje mbeten pa paga për 3 muaj. Të ndryshme janë arsyet për të cilat punëtorët marrin pushim pa pagesë këtu dhe shkojnë për të punuar jashtë vendit. “Në shumicën e rasteve motivet janë “dy në një”. Një kombinim i nevojës për të fituar dhe për të lënë mënjanë disa para të cilat nuk mund t’i bënin me rrogat këtu, dhe në të njëjtën kohë për tu çlodhur duke qëndruar në një ambient afër detit”, sqarojnë ata.

    Vitin e kaluar për punëtorët e huaj në Kroaci janë dhënë 124.000 leje për qëndrim dhe punë, që në krahasim me vitin 2021 ishin 42.166 leje më shumë. Numri më i madh i tyre në 2022 janë dhënë për punë në ndërtim (53.772), turizëm dhe hotelieri (32.306),  industri (16.932), transport dhe komunikim (7.336), dhe në bujqësi dhe peshkim (2.957). Si punëtor sezonal në Kroaci dominojnë qytetarët e Bosnje Hercegovinës. Në vitin 2022 atyre ju është dhënë numër më i madh i lejeve të punës (36.783), të ndjekur nga qytetarët e Serbisë me 19.176 leje pune, Nepali me 12,222, ndërsa vendin e katërt e zënë qytetarët e Maqedonisë së Veriut me 10.053 leje për qëndrim dhe punë. Pas RMV-së vijnë qytetarët e Kosovës (8.979), Indisë (7.690), Filipinet (5,935), Bangladeshit (4.381), dhe Shqipërisë (4.257). Ajo që mund të konstatohet lehtësisht është se numri i lejeve për punëtorët nga Maqedonia e Veriut në vitin 2022 (10,053) është dyfishuar, në krahasim me vitin 2021 kur numri i lejeve të dhëna ishte 5.925. Përveçse në Kroaci qytetarët e RMV-së për punë sezonale shkojnë edhe në Slloveni si dhe në Sllovaki. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dhuna në shkolla, në Maqedoninë e Veriut 1 në 3 fëmijë nuk ndihet i sigurt

    Lajmi i rradhës

    PËRJASHTIMI I GRUPIT TË ZJARRIT | Faton Ahmeti: Statuti i BDI parasheh që kryetari ka të drejtë të përjashtojë persona të caktuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë