Pyetjet që kërkojnë qartësim po bëhen gjithmonë e më të zëshme: A ka dalë koronavirusi nga një laborator kinez në Wuhan?
Një gjë e tillë sugjerohet edhe nga një raportim i ri dhe ekskluziv nga ‘Wall Street Journal’.
Tre shkencëtarë nga instituti i virologjisë në Wuhan u sëmurën në nëntor të vitit 2019, përpara se të raportohej shpërthimi zyrtarisht në Kinë. Ata u shtruan për mjekim në spital.
Kështu thuhet në një dokument sekret të papublikuar më parë të shërbimit sekret amerikan.
Ky dokument i ri shkon përtej raportimeve të publikuara nga Departamenti i Shtetit në fund të presidencës së Donald Trump. Aty thuhej se disa shkencëtarë të këtij laboratori, që studionin koronaviruset, u sëmurën në vjeshtën e vitit 2019. Simptomat megjithatë mund të tregonin se ishte koronavirus, por edhe sëmundje të tjera sezonale. Me fjalë të tjera, mund të ishte edhe grip.
Por në dokumentin e ri flitet me një gjuhë tjetër. Zbulimi i ri është numri i shkencëtarëve dhe fakti se ata duhet të shtroheshin në spital për trajtim.
David Asher, një ish-punonjës i Departamentit të Shtetit, që ka drejtuar task forcën për të hetuar origjinën e virusit, i tha ‘Wall Street Journal’ në lidhje me dokumentin e ri: “Nuk mendoj se tre persona, që punojnë në kushte shumë të rrepta laboratorike, mund të sëmurën njëkohësisht. Aq më tepër në një laborator ku studiohen koronaviruset, vështirë të flasësh për grip të zakonshëm. Sidomos kur shkencëtarët shtrohen në spital me simptomat më të rënda”.
Ky zbulim vjen në vigjilje të një takimi të rëndësishëm të OBSH. Nga e hëna, trupa më e rëndësishme vendimmarrëse në Organizatën Botërore të Shëndetësisë do takohet në Gjenevë. Atje duhet të qartësohet kjo pyetje: Nga erdhi koronavirusi? /Nistori/