Vitet kalojnë, borxhet e ndërmarrjeve shtetërore publike në RMV mbesin

    Borxhi i ndërmarrjeve shtetërore publike, komunave, ministrive… arriti në afër 700 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhëna e Ministrisë Financave tregojnë se deri në muajin mars 2026, borxhet e tyre të papaguara tejkalojnë 676 milionë euro. Me vite, kompanitë hekurudhore ajo e transportit dhe infrastrukturës kanë secila nga 80 milionë euro borxh të shtresuar me vite. Një borxhli jo i vogël është një kompani tjetër në pronësi të shtetit nga sfera e energjetikës, ElektroEkonomia e Maqedonisë që e mbylli tremujorin e parë me një borxh gati 56 milionë eurosh. Një borxh të madh prej 33 milionë euro ka edhe kompania tjetër e ElektroEkonomisë për shpërndarjen e ngrohjes, e pasuar nga shërbimet e përbashkët spitalore që përfaqëson logjistikën e Klinikave të Shkupit me borxh prej 30 milionë euro.

    Ndër debitorët më të mëdhenj janë Ndërmarrja e Transportit Urban në Shkup dhe Ujësjellësi në Shkup, pothuajse të gjitha komunat, disa ministri, konviktet studentore, institucionet publike, Qendra Tregtare e Shkupit, Radiotelevizioni i Maqedonisë, shkollat dhe të tjera.

    Sipas raportit, borxhet e ndërmarrjeve publike shtetërore, bashkive dhe ministrive janë mbi baza të ndryshme, për paga, kontribute, shërbime kontraktuale, punësime të përkohshme, materiale, inventar, interesa kredish, blerje mobiljesh, automjetesh e të ngjashme. Ky nivel i borxh i ngjason sipas shumës dhe strukturës, borxheve të nëntë muajve më parë. Raportet e mëparshme tregojnë se në fund të qershorit 2025, ishte akumuluar një borxh prej 700 milionë eurosh nga komunat, ndërmarrjet publike dhe shtetërore dhe atë kryesisht për shërbime, ngrohje, transport, por edhe për fatura të papaguara ndaj sektorit privat, individëve dhe kredive. Ato kishin gjithashtu borxhe për paga, kontribute, riparime, blerje makinerish, pajisjesh, automjetesh e të tjera.

    Trendi i borxhit të lartë të ndërmarrjeve dhe institucioneve të shtetit nuk është i ri, dhe është prezent me vite si dukuri. Në fund të vitit 2023, pjesa më e madhe e borxheve është për faturat e papaguara të shërbimeve, ngrohjen dhe telefonat, të ndjekura nga transporti, prokurimi i materialeve, inventari i vogël dhe të ashtuquajturat shërbime kontraktuale. Gjashtë vite më parë, borxhi total i ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare të themeluara nga shteti dhe komunat ishte pothuajse një miliard euro, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Këto ndërmarrje rregullisht, pothuajse çdo vit, shënojnë humbje operative, ndërsa në të njëjtën kohë rrisin borxhet e tyre.

    Gjithashtu, në vitet e fundit, komunat janë kritikuar vazhdimisht për menaxhimin e dobët të punëve të tyre, për mungesën e auditimeve të brendshme, për mbingarkesën me staf krejtësisht të panevojshëm dhe për shpenzimin e pjesës më të madhe të buxheteve të tyre për paga. Sipas ekspertëve, për të kapërcyer problemin, nevojiten ndryshime në rregulloret e brendshme, si dhe futja përfundimtare e Ligjit për Përgjegjësinë Fiskale. “Ky ligj përcakton nënshkrimin e një deklarate fiskale të përgjegjësisë fiskale nga çdo zyrtar sapo të marrë detyrën. Kjo do të thotë që rregullat i paraqiten qartë, nëse dikush shkel ligjin, dorëheqja e tij shkaktohet automatikisht”, shtojnë ekspertët. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Blerjet online në RMV rriten, fitimet mbeten peng!

    Lajmi i rradhës

    Sistematizimi në MPB / Kritika për kriteret e arsimit, ministri nuk sheh problem

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë