Vjosa drejt shpalljes si Park Kombëtar | Rama bën ironi me DiCaprion

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar sot nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit me organizatën globale mjedisore “Patagonia” për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar. 

    Në një postim në Facebook, Rama është shprehur se ky bashkëpunim me organizatën me qendër në SHBA “vulos një kurorëzim të pandashëm të Natyrës me Njeriun, si projekti ynë më i ri dhe më ambicioz për zhvillimin e qëndrueshëm të vizionit”.

    Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Rama ka bërë ironi me aktorin e Hollivudit, Leonardo DiCaprio, i cili disa herë ka bërë apel për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

    “Më kanë shënuar diçka për Leo DiCaprion, por nuk po e them, sepse u bë i gjallë për të goditur qeverinë, por jo për ta mbështetur qeverinë. E ka shok të mirë ministrja e Turizmit, prandaj nuk po i bie më shumë. Mbase këto goditjet do t’i shkojnë në vesh, se mund ta kishim lavdëruar një orë dhe nuk do ta merrte vesh, mbase duke e sharë pak do t’ia kapi veshi. Se aty ku të lavdërojnë me miliona njerëz, se të lavdëron edhe një tjetër nuk bëhet lajm. Por kur miliona të lavdërojnë dhe të thonë që të ka sharë njëri, atëherë ka të ngjarë që të zgjohet edhe Nardi”, tha Rama.

    Në fjalën e tij Rama tha se pavarësisht faktit që lumi shtrihet në një hapësirë tepër të madhe gjeografike, që prek jetët e shumë fshatrave dhe qyteteve, në hapësirën rreth saj nuk do të lejohet ngritja e bizneseve që e cenojnë atë.

    “Na thonë që Vjosa është lumi i fundit i egër i Europës, bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre. Kurse këtu e duan të egër. Ne nuk jemi kundër, por këta që e duan Vjosën të egër, duhet të keni parasysh që nuk mund të ndërtojmë një rezervat ku edhe njerëzit t’i egërsojmë për t’ia përshtatur kënaqësisë së tyre për një lum të egër në Europë, por të ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që do t’ia lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës. Vjosa është egërsira e fundit lumore që nuk do të hyjë në cirkun e kafshëve të zbutura të sistemit energjetik të Europës. Të gjithë lumenjtë e tjerë janë bërë si ata qentë dhe macet e cirkut që prodhojnë energji”, tha Rama.

    Lajmi Paraprak

    Disa fraza që mund t’u thoni fëmijëve kur qajnë

    Lajmi i rradhës

    PDK dhe AAK kërkojnë sërish heqjen e Projektligjit për pagat nga diskutimi në Kuvend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë