VLEN dhe BDI me akuza për jurisprudencën dhe përdorimin e gjuhës shqipe

    Debati politik mes koalicionit VLEN dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) është ashpërsuar pas akuzave të ndërsjella lidhur me provimin e jurisprudencës dhe përdorimin e gjuhës shqipe në këtë proces, shkruan Nistori.

    VLEN ka publikuar një dokument të datës 27 gusht 2019, të nënshkruar nga atëhershmi kryetar i Kuvendit, Talat Xhaferi, duke pretenduar se ai ka kontribuar në mosharmonizimin e ligjeve që lidhen me provimin e jurisprudencës me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Sipas VLEN-it, kjo situatë ka sjellë pasoja për studentët shqiptarë.

    Në reagimin e tyre, VLEN deklaron:

    “Dokumenti i datës 27 gusht 2019 është dëshmi se problemi nuk është rastësi, por pasojë e neglizhencës politike. Në atë kohë, Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte në fuqi, por nuk u kërkua harmonizimi i dispozitave për provimin e jurisprudencës me gjuhën shqipe.”

    Koalicioni shton se do të angazhohet që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, duke theksuar se “gjuha shqipe është çështje dinjiteti dhe barazie institucionale”.

    Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si politike dhe të pabazuara në ligj. Në komunikatën e tyre, BDI thekson se nuk ekziston ndalesë ligjore për gjuhën shqipe në këtë proces dhe se ligji aktual nuk përmban dispozita që e kufizojnë përdorimin e saj.

    BDI deklaron:

    “Në atë ligj nuk ekziston fare dispozitë për gjuhën. As ndalim për shqipen, as rregullim specifik për gjuhët. Pretendimet janë të pasakta dhe përdoren për qëllime politike.”

    Më tej, BDI i referohet Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se sipas tyre, në rast mospërputhjesh me ligje të tjera, duhet të zbatohen dispozitat e atij ligji.

    “Baza juridike ekziston, e drejta ekziston, obligimi ekziston,” thuhet në reagimin e tyre.

    Lajmi Paraprak

    “ShBA nuk do të largohet nga NATO”

    Lajmi i rradhës

    Çfarë do të sillte hapja e Çakorrit për qytetarët e Kosovës dhe të Malit të Zi?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë