VLEN ndërmjet bashkimit dhe përçarjes politike

    Zhvillimet e fundit rreth procesit të shkrirjes së koalicionit VLEN në një parti të vetme politike kanë nxitur reagime të reja edhe brenda kampit politik shqiptar. Përderisa paralajmërimet janë që shumë shpejtë pritet të bëhet zyrtarizmi i shkrirjes së koalicionit në një parti politike të quajtur VLEN, përçarjet e fundit që kanë ndodhur brenda VLEN-it po i japin një shije të hidhur këtij bashkimi. Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, reagoi publikisht në rrjetet sociale pasi mbeti jashtë këtij procesi, duke bërë një krahasim simbolik mes situatës në këtë subjekt politik dhe Revolucioni Francez.

    “Revolucioni i ha bijtë e vet… dhe në fund e han kokën e vet”, shkruan Fetai, duke theksuar se kjo shprehje lindi pikërisht gjatë revolucionit që rrëzoi monarkinë absolute në Francë nën parullat e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë, por që më pas përfundoi në përçarje dhe spastrim politik, duke bërë kështu një paralele me situatën që ndodhi në kampin e ASH-së në VLEN e cila së fundmi u përça në dy fraksione. Ai rikujton se fraksionet kryesore revolucionare, si Zhirondinët, Jakobinët dhe të moderuarit, fillimisht u bashkuan rreth qëllimit për rrëzimin e monarkisë, por më vonë nisën përplasjet mes tyre që çuan në eliminime politike dhe gijotinime të ndërsjella.

    “Intrigat, spastrimet dhe lufta për pushtet shkatërruan elitën revolucionare dhe krijuan një vakum politik, i cili më pas u shfrytëzua nga Napoleon Bonaparte, që në vitin 1799 përmbysi revolucionin dhe më pas u shpall perandor. Mësimi është i thjeshtë: kur një lëvizje fillon të konsumojë njerëzit e saj për shkak të apetiteve të fraksioneve, ndonjëri prej tyre mund të forcohet përkohësisht, por në fund, lëvizja e han kokën e vet”, shkruan ai.

    Reagimi i Fetait vjen në një moment kur drejtuesit e VLEN-it kanë intensifikuar procesin për transformimin e koalicionit në një parti të vetme politike, proces që po shoqërohet me debate dhe përplasje të brendshme mes figurave të ndryshme të këtij formacioni politik. Edhe ministri i politikës sociale, rinisë dhe demografisë Fatmir Limani kishte përçuar një mesazh indirekt udhëheqësve të VLEN-it, pas vizitës së tyre në Prekaz gjatë Epopesë së UÇK-së.

    Limani, duke aluduar te krerët e VLEN-it që vizituan Jasharajt, kishte shkruar se “historia nuk matet me buqeta mbi lapidarë, por me vendin ku qëndrove kur hapeshin varret”.

    “E lehtë përkulja mbi varre kur rrethimi ka mbaruar. E lehtë sfilata pranë gjakut të fëmijëve kur historia është shkruar. E lehtë edhe rruga me vetura drejt Prekazit kur pushkët kanë heshtur”, është shprehur Limani, pas vizitës së VLEN-it në Prekaz. Nga ana tjetër, drejtuesit më të lartë të VLEN-it deklarojnë se çështja e shkrirjes së koalicionit në një parti të vetme politike është drejt finalizimit. Njëri ndër krerët e këtij koalicioni Izet Mexhiti, në një intervistë për Alsat disa ditë më parë konfirmoi se ata kanë rënë dakord edhe për modelin me bashkëkryetar, ndërsa në parim janë pajtuar edhe në lidhje me kryesinë e ngushtë të partisë. Postet e nënkryetarit do t’u takojnë Aleancës për Shqiptarët dhe Vetëvendosjes, ndërsa sekretari i përgjithshëm do të jetë nga partia Alternativa. “Pas shumë debateve dhe argumenteve, pro dhe kontra u dakoduam se modeli më i përshtatshëm për VLEN është të jetë me bashkëkryetarë, bashkë me Bilall Kasamin”, tha ai.

    Në parim, shtoi ai, jemi dakorduar rreth ideologjisë së VLEN, që do jetë më tepër qendër e djathtë, ndërsa të gjitha vendimet do të merren me konsensus të kryesisë së ngushtë. “Është zgjedhur modeli i lidershipit që është një risi rreth ndryshimit, karakteristikë e VLEN është dialogu dhe jo vendimet autokrate. Edhe pse është modeli i bashkëkryetarëve, brenda kryesisë do të vendoset me konsensus, nëse ka ndonjë dilemë duhet të shkohet më shumicë absolute, jo të thjeshtë, krejt kjo në funksion të demokratizimit të skenës politike”, ka thënë Mexhiti.

    Kujtomë se bashkimi i partive LD, BESA, ASH dhe Alternativa po paralajmërohet me muaj. Më 7 mars 2026, në Kosovë liderët e partive u takuan me kryeministrin kosovar, Albin Kurti nga ku dhanë mesazhin që më në fund po bëhen një parti. Më herët, partitë në fjalë morën vendime për shkrirjen e organeve partiake me qëllim të bashkimit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë thotë se ndalimi njëvjeçar i TikTok-ut ishte antikushtetues

    Lajmi i rradhës

    Investitorët e huaj kritikojnë institucionet në RMV, ankohen për ndihmën shtetërore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë