Vuçiq e pranoi se Radoiçiq ishte në grupin terrorist që vrau rreshterin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se Milan Radoiçiq komandon me grupin terrorist që vrau pjesëtarin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, më 24 shtator.

    Siç raporton “Danas”, Vuçiq, në pyetjen e gazetarit të Radiotelevizionit Serb të mërkurën, “Sa dini për organizimin e atyre njerëzve, kush komandon ata njerëz nga Kosova [grupin terrorist në veri], a i njihni ata njerëz”, Vuçiq, që dukej i hutuar u përgjigj:

    “Si të mos e njihja Milan Radoiçiqin”.

    “A i komandon ai?” e pyeti gazetari.

    “Nuk e di nëse ai komandon, por ju më pyetët nëse i njihja ata njerëz. E njoh Milan Radoiçiqin. Nuk e di kush ishin këta të tjerët dhe as nuk njoha ndonjërin. Tani kam dëgjuar për këta njerëz”, është përgjigjur Vuçiq.

    Këtë deklaratë presidenti serb e kë bërë të mërkurën në një intervistë për RTS, duke komentuar videon e publikuar nga ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në të cilën shihet Milan Radoiçiqi bashkë me një grup terroristësh serb në oborrin e Manastirit të Banjskës në Zveçan, në ditën kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

    Vuçiq në të njëjtën intervistë gjithashtu ka thënë se Radoiçiq ndodhet në Serbinë qendrore dhe se do të intervistohet [lidhur me pjesëmarrjen e tij në grupin terrorist që vrau pjesëtarin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit].

    Ai e ka mohuar se Radoiçiq është plagosur gjatë përleshjes së armatosur të grupit terrorist serb me Policinë e Kosovë në Banjskë të Zveçanit.

    “Milan Radoiçiq asnjëherë nuk u fsheh dhe nuk u turpërua për rolin e tij. Ai patjetër do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë”, tha Vuçiq.

    “Kam besim se ai do të merret në pyetje. Gjendet në territorin e Serbisë qendrore dhe vendi ynë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, shtoi Vuçiq./Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    CERTIFIKATA E LINDJES | Lloga: Gjykata Kushtetuese ka hapur kutinë e pandorës, do të ketë udhëzim të ri administrativ

    Lajmi i rradhës

    Ballistët e KF Shkëndija me kritika deri te Kasami për mos përmbushjen e premtimit për stadiumin e qytetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë