Vuçiqi, Shesheli dhe marrëdhëniet nga të cilat nuk heqin dorë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte fundjavën e kaluar në festën e të dënuarit për krime lufte dhe babait të tij politik, Vojisllav Sheshel.

    Më 12 qershor, në rrjetet sociale u bë virale një video nga një restorant në Beograd, ku Vuçiq duket i ulur në shoqërinë e Sheshelit, teksa u këndojnë këngë çetnike.

    Në të njëjtën ditë, Vuçiq tha për Televizionin Happy të Serbisë se ishte në dasmën e djalit të Sheshelit, edhe pse, siç tha, ata ndjekin “politika të ndryshme”.

    “Nuk më vjen turp që shkova t’i uroj kumbarët për pagëzimin dhe dasmën e tyre”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur kritikave të publikut në Serbi dhe në rajon.

    Ai shtoi se nuk dëshiron që askush t’i thotë “nëse ai duhet të heqë dorë nga dikush që ia pagëzoi djalin e madh dhe vajzën”.

    Lidhjet private dhe politike të Vuçiqit dhe Sheshelit datojnë nga vitet e luftës, më 1990, kur ata ishin së bashku në Partinë Radikale Serbe.

    Politika e bashkimit të “të gjitha vendeve serbe” në të ashtuquajturën “Serbi të madhe”, fjalimet me nxitje luftarake dhe organizimi i njësive paraushtarake e çuan Sheshelin në bankën e të akuzuarve të gjykatës ndërkombëtare.

    Në vitin 2018, në Hagë, ai u dënua me dhjetë vjet burgim për krime lufte kundër popullatës kroate në fshatin Hërtkovci të Vojvodinës.

    Vuçiq u nda nga Shesheli në vitin 2008, kur presidenti aktual i Serbisë formoi Partinë Përparimtare Serbe.

    Ata ishin bashkëpunëtorë të afërt, kaluan edhe akuza dhe ofendime të ndërsjella, ndërsa sot Sheshel mbështet publikisht politikën e Vuçiqit.

    Çfarë u këndua në festën e Sheshelit?

    Duke folur për këngën që madhëron ish-dukën çetnike, Pavlle Gjurishiq, e që shoqëron videon e festës, Vuçiq tha për Televizionin Happy se “ai nuk është redaktor muzikor që të zgjedhë muzikën”.

    Një ditë më vonë, në të njëjtin televizion ishte i ftuar edhe nikoqiri i festës.

    “Unë kam qenë i pari që kam porositur këngë çetnike, dhe më pas disa të tjerë. Vuçiq nuk ka porositur asnjë këngë”, tha Sheshel më 13 qershor.

    Mediat në rajon, ashtu si edhe ministri kroat i Mbrojtjes, Tomo Medved, reaguan ndaj këtyre pamjeve.

    Ai tha se Vuçiq duhet “t’i përkushtohet situatës në Serbi dhe çështjeve që kanë të bëjnë me Serbinë”.

    Drejtori i Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi dhe ish-zëdhënësi i Tribunalit të Hagës, Nenad Gollçevski, thotë se Vuçiq mban postin më të lartë shtetëror dhe se prania e tij në festën e të dënuarit për krime lufte nuk mund të shihet si një akt privat.

    “Një person që kryen një funksion të tillë, nuk ka të drejtë të bëjë gjëra në cilësinë e tij private që kërcënojnë integritetin dhe besueshmërinë e funksionit që ka”, thotë Gollçevski për Radion Evropa e Lirë.

    Për çfarë u dënua Shesheli?

    Në prill të vitit 2018, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, i cili pasoi Tribunalin e Hagës, e dënoi Sheshelin me dhjetë vjet burgim për nxitje të persekutimit, dëbimit dhe zhvendosjes së detyruar të kroatëve në fshatin Hërtkovci të Vojvodinës, në vitin 1992.

    Ai ishte në paraburgim në Sheveningen që nga viti 2003 dhe u lirua në nëntor të vitit 2014, për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij.

    Koha e kaluar në paraburgim iu llogarit në dënimin e tij, ndërsa ai nuk u kthye në gjykatë kur iu shqiptua dënimi.

    Politikën për të cilën u dënua, vazhdoi ta ndjekë edhe pas kthimit në Serbi.

    Pavarësisht gjykimit të Gjykatës së Hagës, ai ishte deputet i Parlamentit republikan të Serbisë deri në vitin 2020, kur radikalët e tij nuk e kaluan pragun zgjedhor.

    Në vitin kur u dënua për krime në Hërtkovci, policia e ndaloi të hyjë në këtë fshat të Vojvodinës me radikalët e tij.

    Megjithatë, ata u mblodhën në hyrje të Hërtkovcit, saktësisht 26 vjet pas një tubimi të Partisë Radikale Serbe dhe pas fjalimit të Sheshelit, i cili u pasua me dëbime masive të popullatës kroate.

    Shtëpia e Sheshelit në Hërtkovci.
    Shtëpia e Sheshelit në Hërtkovci.

    Në të njëjtin vit, radikalët mbajtën edhe një kongres të partisë në shtëpinë në Hërtkovci, të blerë nga Shesheli.

    “Politika e tij është ndërtuar mbi mbjelljen dhe nxitjen e urrejtjes ndërkombëtare dhe ndërfetare. Ai e ndërton qëndrimin e tij mbi këtë urrejtje dhe mbledh pikë politike”, thotë Gollçevski.

    Djegia e flamujve të vendeve fqinje, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, pastaj sulmet verbale, kërcënimet dhe ofendimet e disidentëve politikë ishin vetëm disa prej angazhimeve politike të liderëve radikalë, pas gjykimit të Hagës.

    Sheshel e zbaton këtë edhe përmes veprës së tij letrare. Që nga viti 2001, ai botoi gati 200 libra. Ne mesin e tyre edhe titujt: “Hërtkovci, fshat ku më njohin të gjithë” dhe “Hërtkovci, rinia ime”.

    Mohimin e gjenocidit të Srebrenicës e hodhi në tri vëllime, të cilat i promovoi në disa qytete të Serbisë në vitin 2020.

    Shtëpia botuese e Sheshelit “Serbia e Madhe”, e cila mori emrin nga programi politik i radikalëve në vitet ‘90, u vendos viteve të fundit në qendër të vëmendjes në Panairin e Librit në Beograd, që është ngjarja më e madhe letrare në Serbi.

    Historia e marrëdhënieve mes Vuçiqit e Sheshelit

    Vuçiqin dhe Sheshelin i lidh koha kur u zhvilluan luftëra në ish-Jugosllavi dhe Serbia, nën regjimin e presidentit të atëhershëm, Sllobodan Millosheviq, ishte e izoluar dhe nën sanksione.

    Presidenti aktual i Serbisë iu bashkua radikalëve të kohës së luftës në vitin 1993 dhe, dy vjet më vonë, ai avancoi në postin e sekretarit të përgjithshëm të partisë.

    Lufta për një “Serbi të madhe”, asokohe, ishte një politikë e pamaskuar e radikalëve ndaj fqinjëve të tyre, ndërsa brenda vendit u reflektua me persekutimin e popullatës joserbe dhe me kërcënime ndaj opozitës dhe mediave.

    Në shkurt të vitit 2003, Vuçiq e shoqëroi Sheshelin në paraburgimin e Tribunalit të Hagës dhe e vizitoi atje si këshilltar ligjor.

    Ndarja ndodhi në vitin 2008, kur Vuçiq dhe kolegu i tij partiak, Tomisllav Nikolliq, u larguan nga radikalët dhe themeluan Partinë Përparimtare Serbe.

    Arsyeja e ndarjes u shpjegua zyrtarisht me “mospajtimet në lidhje me miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Serbisë me BE-në”, të cilën Vuçiq dhe Nikolliq e mbështetën.

    Që nga ai moment, Shesheli, nga paraburgimi në Hagë, botoi libra ku sulmoi dhe ofendoi ish-bashkëluftëtarët dhe i akuzoi ata për tradhti dhe komplote.

    Vuçiq i përgjigjej duke e quajtur “gënjeshtar të zakonshëm” dhe “përbindësh”.

    Retorika nga të dyja anët filloi të ndryshojë pas kthimit të Sheshelit nga Haga, në vitin 2014, kur edhe paralajmërimet e liderit radikal për rrëzimin e Qeverisë së Vuçiqit u heshtën.

    Sot, Sheshel është shpesh mysafir në televizionet me frekuencë kombëtare, ku sulmon dhe fyen opozitën dhe diskuton për të gjitha temat socio-politike.

    Në zgjedhjet e vitit 2022, ai mbështeti kandidaturën presidenciale të Vuçiqit.

    Cili është qëndrimi i Qeverisë së Serbisë ndaj kriminelëve të luftës?

    Rendi i pjesëmarrjes së kriminelëve të luftës në jetën politike dhe publike të Serbisë filloi në vitin 2015, me kthimin e të dënuarve nga Haga, pas vuajtjes së dënimit.

    “Nuk mund as t’i numërojmë rastet kur të dënuarit për krime lufte bëhen deputetë, zyrtarë të lartë, prej tyre ka komentues dhe analistë të dalluar në televizion. Madje, kemi një rast kur një i dënuar për krime lufte ka dhënë mësim në Akademinë Ushtarake”, thotë Gollçevski.

    Ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, u kthye në Serbi në vitin 2015 me një aeroplan qeveritar dhe u mirëprit nga disa ministra.

    Pas kësaj mori pozitën e ligjëruesit në Akademinë Ushtarake të Serbisë dhe titullin e qytetarit të nderit të një komune në jug të Serbisë.

    Në prill të këtij viti, Nebojsha Pavkoviq, i cili po vuan dënimin në Finlandë për krime kundër popullatës shqiptare në Kosovë, iu drejtua nga burgu nxënësve të një shkolle fillore në Vojvodinë, përmes video-lidhjes.

    Në këtë orë mori pjesë edhe drejtorja e shkollës, ashtu si edhe kryetari i komunës së Novi Sadit nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe.

    Edhe Pavkoviq, edhe Llazareviq janë autorë të librave të botuar nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Serbisë.

    Vesellin Shlivançanin gjithashtu shkruan dhe promovon libra.

    Pasi u kthye në Serbi në vitin 2011, pas vuajtjes së dënimit për krime në Ovçara të Kroacisë, ai mori pjesë në forume të Partisë Përparimtare Serbe.

    Ai e shoqëroi presidentin e Serbisë në hapjen e një fabrike në vitin 2017.

    “A doni që ta lidhim? Ta vrasim? Kështu dëshironi?”, tha asokohe Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se pse ishte me një kriminel të dënuar lufte.

    Shlivançanin dhe i dënuari tjetër i Hagës, Vinko Pandureviq, janë fitues çmimesh nga ushtria serbe dhe mysafirë të shpeshtë të televizioneve me frekuencë kombëtare.

    Ne nuk mund t’i mbështesim viktimat kur serbët janë viktima, dhe kriminelët e luftës kur serbët janë kriminelë lufte.


    Ngjashëm ndodhi edhe me Nikolla Shainoviqin, i cili pas burgut për krime në Kosovë, u bë pjesë e Socialistëve në pushtet.

    “Shtrohet pyetja nëse Serbia është një vend që mbështet drejtësinë dhe viktimat apo krimet e luftës… Ne nuk mund t’i mbështesim viktimat kur serbët janë viktima, dhe kriminelët e luftës kur serbët janë kriminelë lufte. Ne duhet të qëndrojmë në njërën anë ose në tjetrën dhe duhet të vendosim”, thotë Gollçevski.

    Për trendin e madhërimit të kriminelëve të luftës, nga viti në vit, paralajmërojnë edhe raportet e Komisionit Evropian për përparimin e Serbisë.

    Në dokumentin e fundit, në të cilin REL-i ka pasur qasje, thuhet se “një numër i caktuar i partive dhe personaliteteve politike serbe, përfshirë ata të nivelit ministror, kanë vazhduar të ofrojnë mbështetje dhe hapësirë publike për kriminelët e dënuar të luftës”.

    Komisioni gjithashtu paralajmëron se kriminelët e dënuar të luftës vazhdojnë të përhapin gjuhë të urrejtjes në hapësirat publike. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Fushata, imunizohen mbi një mijë fëmijë

    Lajmi i rradhës

    Kandidatët për rektor në Universitetin e Tetovës prezantuan platformat programore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë