ZBATIMI I SHQIPES | Komuna e Gazi Babës funksionon në çdo aspekt vetëm në gjuhën maqedonase

    Komuna e Gazi Babës funksionon në çdo aspekt vetëm në gjuhën maqedonase. Dokumentacioni, mbledhjet e këshillit, vulat dhe tabelat janë vetëm në gjuhën maqedonase. Deri para publikimit të rezultateve nga regjistrimi i fundit i popullsisë kjo Komunë nuk ishte e obliguar të zbatonte Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Rezultatet e regjistrimit të popullsisë treguan se shqiptarët në Komunën e Gazi Babës përbëjnë më shumë se 20% të popullsisë së kësaj komune, andaj tashmë komuna në fjalë ka detyrim ligjorë që si gjuhë të dytë zyrtare të ketë edhe shqipen. Nga Komuna e Gazi Babës thonë se do të bëhet një plan veprimi, mirëpo nuk japin më shumë detaje.

    “Lidhur me rezultatet e regjistrimit të popullsisë në komunën e Gazi Babës, është mbajtur një takim ndërmjet përfaqësuesve të komunës dhe Agjencisë për Gjuhët, në të cilin është rënë dakord që në periudhën e ardhshme të bëhet një plan veprimi për zbatimin e dispozitave ligjore. Gjithçka që është përcaktuar ndërmjet Agjencisë dhe komunës dhe është e nevojshme të zbatohet do të realizohet në përputhje me afatet e përcaktuara”, njoftojnë nga Komuna e Gazi Babës.

    Qytetarët që vizitojnë faqen zyrtare të kësaj komune mund të kuptojnë të njëjtën vetëm nëse janë njohës të gjuhës maqedonase, pasi edhe faqja zyrtare e kësaj komunë funksionon vetëm në gjuhën maqedonase. Nga Ministria Për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, thonë se komunat nuk duhet të presin njoftim nga institucionet tjera që të zbatojnë Ligjin e Gjuhëve, por të bëjnë zbatimin e tij.

    “Nuk duhet askush t’i njoftojë komunat për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por ato duhet ta respektojnë këtë ligj, sepse ligji vlen për të gjitha komunat e Shkupit”, thonë nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

    Zbatimi i ligjit në fjalë fillimisht duhet të jetë në rend ditë në seancën e Këshillit të Komunës së Gazi Babës, ku 17 këshilltarë janë nga VMRO-ja, 7 nga LSDM-ja, 2 nga E majta dhe 1 nga BDI-ja. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 20.3% të numri të përgjithshëm të banorëve në këtë komunë. Në regjistrimin e vitit 2002 kjo përqindje ishte 17.21. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Renegati

    Lajmi i rradhës

    Kasami premtoi 425 vendparkime në Tetovë, janë bërë vetëm 130

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë