Kryqi i Kuq: Rriten rastet e dhunës fizike dhe psikike ndaj migrantëve në RMV

    Emigrantë / Foto Arkiv, 2021

    Për t’i transferuar nga kufiri jugor me Greqinë në kufirin verior me Serbinë, trafikantët u marrin migrantëve – që kryesisht vijnë nga vendet e Afrikës së Veriut, Siria, Iraku, Pakistani dhe Afganistani – nga 800 deri në 1.000 euro. Kështu i tha Radios Evropa e Lirë Kryqi i Kuq në Maqedoninë e Veriut.

    Suzana Tuneva, nga kjo organizatë, thotë për REL-in se ekipet e Kryqit të Kuq që veprojnë në terren hasin gjithnjë e më shumë raste ku migrantët janë viktima të dhunës fizike dhe psikike nga trafikantët.

    “Në terren hasim në shumë raste ku është ushtruar dhunë ndaj migrantëve, të cilët kanë shenja në trup nga rrahja. Madje, kemi raste që kanë humbur pjesë të gjymtyrëve gjatë aksidenteve të automjeteve të drejtuar nga trafikantët që i transferojnë ata nga një pjesë e territorit në një pjesë tjetër”, thotë Tuneva.

    Sipas saj, këta migrantë nuk janë të interesuar të qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut, veç atyre që për shkak të lëndimeve trupore apo problemeve shëndetësore, nuk arrijnë të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

    “Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut ndodhen 13 migrantë, vetëm dy gra nuk kanë lëndime, derisa atë tjerët kanë lëndime trupore ose kanë humbur ndonjë gjymtyrë gjatë rrugës, ose dhe kanë plagë të tjera. Kështu, ata janë detyruar të kërkojnë azil në vendin tonë për të vazhduar mjekimin”, tregon Tuneva.

    Prania e FRONTEX-it, ul lëvizjen e migrantëve

    Organizatat joqeveritare, të cilat veprojnë në terren në ndihmë të migrantëve thonë se aktivizimi i agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian-FRONTEX, në kufirin e Maqedonisë së Veriut , ka ulur numrin e migrantëve që ilegalisht synojnë të kalojnë territorin e vendit.

    “FRONTEX, duke qenë si një mbështetje e fuqishme e strukturave të sigurisë së Maqedonisë së Veriut, ka mundësuar të kenë epilog shumë raste me trafikimin e migrantëve, por njëkohësisht shërben dhe si masë parandaluese”, thotë Jasmin Rexhepi nga organizata joqeveritare LEGIS – që ndihmon migrantët.

    Që nga prilli, në Maqedoninë e Veriut ka filluar zyrtarisht operacioni i agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian-FRONTEX, që do të ndihmojë autoritetet vendore për mbrojtjen e kufijve nga migrimi i paligjshëm.

    Operacioni do të zgjasë deri në janar të vitit 2024, me mundësi të vazhdimit.

    Lajmi Paraprak

    ZBEHET KULTIVIMI I KANABISIT NË RMV | Pa eksport nuk ka leverdi

    Lajmi i rradhës

    Cili do të ishte rezultati i partive më të vogla, në rast se në vend të kishim vetëm një Njësi zgjedhore!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë