ZEJTARËT DHE BIZNESET E VOGLA TË SHQETËSUAR: Tatimet e reja, goditje për biznesin

    Zejtarë dhe bizneset e vogla kanë ngritur shqetësimin e tyre për ndryshimet në pagesën e tatimit në fitim prej vitit të ardhshëm. Me ndryshimet ligjore që gjenden në procedurë parlamentare nga viti 2023 pritet që mbi 50 mijë kompani të vogla dhe zejtarë ndër të çilat edhe sallone ondulimi, tregtarë të vegjël, të mos mund të shfrytëzojnë më lirimin e deritanishëm të pagesës së tatimit në fitim deri në tre milionë denarë apo 50 mijë euro. Përderisa kompanitë që realizojnë ndërmjet tre dhe gjashtë milionë denarë, do të mund të zgjedhin të paguajnë tatim në fitim ngjashëm si kompanitë tjera me dhjetë për qind, apo me një për qind të qarkullimit. Nga Lidhja e Odave ekonomike kërkojnë të mos anulohet lirimi i deritanishëm për tatimin në fitim për bizneset që kanë qarkullim deri në tre milion denarë.

    ZEJTARËT, KUJDES EKONOMISË GRI

    Bizneset e vogla vlerësojnë se ky hap në mënyrë shtesë do të ngarkojë punën e tyre, në kushtet kur mezi mbijetojnë në treg. Andaj sugjerojnë që më shumë vëmendje ti kushtohet qarkullimit që nuk regjistrohet. Shtojnë se pikërisht zejtarët ishin ndër më të goditurit nga pandemia dhe kriza energjetike, ndërsa këto ndryshime do të jenë goditja e radhës për punën e tyre. Nga Oda e zejtarëve thonë se nëse ky ligj miratohet siç është propozuar deri tani, ai do të kontribuojë në rritjen e ekonomisë informale dhe do të mbyllë një pjesë të madhe të veprimtarive të vogla dhe të zejtarisë.

    “Përveç krizave me të cilat u përballëm më parë si ajo e pandemisë dhe kriza ekonomike si dhe krizës energjetike, tani ky ligj i propozuar është goditja e fundit për ne. Anëtarë e odës reagojnë dhe udhëzojnë që në vend se shteti të luftojë ekonominë gri, duke ofruar kushte për veprimtari formale, në këtë mënyrë po ndërmerret një nismë që veprimtaritë formale që mezi mbijetojnë në treg, të kalojnë në ekonominë gri jo të popullarizuar dhe që nuk sjellë dobi për askënd, të ekonomisë gri”, thotë kryetari i Odës së Zejtarëve të Maqedonisë, Agron Fazliji.

    Sipas tij, zejtarët nuk janë kundër tatimeve, por përkundrazi kërkojnë kushte të drejta pune dhe konkurrencë të ndershme. Për veprimtaritë e zejtarëve është me rëndësi të ketë lehtësime tatimore, sidomos për zejtarët që tatohen paushal të kenë 50 për qind më pak tatim në raport me vitin paraprak. Kërkohet edhe zejtarët e tatuar realisht të mos paguajnë tatim deri në tre milionë denarë në vit. Fazliji sqaron se nga viti 2023, zejtarët kanë pritur të rritet tavani i pagesës së TVSH-së nga dy në tre milionë denarë, dhe të lirohen nga tatimi me qëllim që të mund të lëvizin ekonominë. Nga Oda e zejtarëve kanë paralajmëruar se do të parashtrojnë propozimet e tyre lidhur me reformat tatimore.

    LIDHJA E ODAVE, ANULIM I LIGJIT

    Në ndërkohë kanë reaguar edhe nga Lidhja e Odave ekonomike të Maqedonisë duke theksuar se Propozimi për Ligjin për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për tatimin mbi fitimin, në vend  të krijojë kushte për tatim të drejtë, po shkakton goditje të rëndë ndaj kompanive të vogla dhe mikro, kërcënon mbijetesën e tyre dhe stimulon evazionin fiskal apo fshehjen e tatimeve. Nga atje shtojnë se koncepti i tatimit të drejtë do të thotë që sistemi tatimor duhet të përfshijë subjekte të paregjistruara që tashmë punojnë në zonën gri dhe nuk paguajnë asnjë tatim, kështu që do të pushojnë së qeni konkurrencë e pandershme ndaj subjekteve mikro dhe të biznesit të vogël, të cilat nga ana tjetër janë një lidhje e rëndësishme në sistemin ekonomik. Një nga vërejtjet kryesore të këtij propozim ligji, sqaron Lidhja e Odave Ekonomi, është edhe dispozita që parashikon detyrimin për të paguar pesëfishin e shumës së tatimit, në rastet kur obliguesi tatimor nuk dëshmon me dokumente se ka përdorur përjashtimin nga tatimi për investime në mjetet materiale dhe jo-materiale për zgjerimin e veprimtarisë.

    Kjo mënyrë e rregullimit ligjor të procedurës lë hapësirë ​​për vendimmarrje dhe ndëshkim subjektiv, ulje të investimeve në kompani, mundësi për aktivitete korruptive si dhe dekurajim të konsiderueshëm për investime dhe zgjerim të kapaciteteve te tatimpaguesit. Zgjidhja ligjore e propozuar nuk ka dimension zhvillimi, nuk korrespondon me vendime të arsyeshme, sidomos kur lihet në diskrecionin e një inspektori tatimor për të përcaktuar nëse ato investime janë për qëllime zhvillimi të tatimpaguesit apo jo.

    Zgjidhje të tilla tatimore, sipas Lidhjes së Odave, do të rrisin më tej paqartësitë dhe pasigurinë për biznesin. Njëherësh kompanitë më së shumti ankohen se ndryshimet tatimore sillen në një procedurë të shpejtë pa lënë një periudhë të përshtatjes dhe planifikimit nga ana e kompanive. Ndryshe, pritet që më zbatimin e Propozim ligjit për ndryshime dhe plotësim të Ligjit për tatim në fitim do të ketë ndikim pozitiv ndaj arkës së shtetit prej afër 872 milionë denarë apo afër 14 milionë euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Një Këshill për parandalimin e drogës në shkollat e Tetovës

    Lajmi i rradhës

    Dyqanet me rroba të përdorura, alternativë për qytetarët e Maqedonisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë