Zejtarët në RMV kërkojnë më shumë përkrahje nga shteti

    Tejkalimi i krizave që nuk kanë të ndalur, paraqet problemin dhe sfidën më të madhe për zejtarët. Nga Oda e Zejtarëve të Maqedonisë thonë se kapërcimi i krizës së shkaktuar nga pandemia, asaj energjetike, si dhe ekonomike si dhe mbijetesa e tyre në treg është mjaft e vështirë. Për më tepër thonë se rikuperimi nuk do të jetë aspak i lehtë, shumë dyqane po ofrohen me qira, të tjerë nuk po gjejnë punëtorë apo po mbyllen, andaj edhe kërkojnë më shumë përkrahje nga shteti. Gjithashtu kërkojnë jo pesë, por 50 milionë denarë mbështetje për zejtarët nga shteti.

    Oda e zejtarëve të Maqedonisë kërkon mbështetje nga institucionet në “luftën” kundër ekonomisë gri me subvencione shtesë apo të shumëfishuara për anëtarët e Odës. Njëherësh kërkohet mbështetje nga institucionet për tejkalimin e situatës në firmat mikro dhe të vogla duke zgjeruar subvencionet, duke krijuar vende të reja pune përmes rikualifikimit të punëtorëve. Ato kërkojnë edhe luftë më të madhe kundër ekonomisë gri si dhe rritjen e mjeteve që ndahen nga shteti për zejtarët.

    Sipas kryetarit të Odës, Agron Fazliji , mjetet në vlerë prej pesë milionë denarë të dedikuara për repromateriale dhe vegla për zejtarët për këtë vit nuk janë të mjaftueshme.

    “Në periudhën paraprake ka pasur lloj-lloj krizash dhe gjatë asaj periudhe, Ministria e Ekonomisë ka ofruar subvencione. Tani na duhen më shumë subvencione për të dalë nga situata që zgjat me vite, andaj ne kërkojmë më shumë mjete. Me pesë milionët e paralajmëruar zejtarët vetëm në Çarshinë e vjetër të Shkupit për të blerë një tharëse flokësh do ti shpenzojnë ato mjete. Pra, po kërkojmë më shumë mjete që të mbulohen të gjithë zejtarët”, thekson Fazliji.

    Sipas tij, në këtë mënyrë zejtarët do të arrijnë të kenë likuiditet apo para të gatshme në dorë për të funksionuar për çdo ditë , do të forcohet ekonomia vendore dhe kryesisht do të luftohet ekonomia “gri”, e cila kontribuon në mbylljen e zejtarëve të regjistruar. Lidhur me rritjen e pagës minimale në 20.175 denarë, kjo nuk paraqet problem për zejtarët, në rast se edhe më tej përmirësohet ambienti i biznesit.

    “Ne nuk jemi kundër rritjes së pagave. Për shembull bukëpjekësit kanë paga afër 700 euro, disa ondulistë kanë paga deri në 1000 euro. Mirëpo nëse nuk ulet ekonomia informale, atëherë do të mungojnë të ardhurat. Inflacioni e bën të vetën dhe shërbimet dhe prodhimet tona po shtrenjtohen, andaj duhet të gjithë të bëjmë kujdes me këtë segment. Nëse luftojmë ekonominë gri, nëse klientët, konsumatorët shkojnë te zejtarët e regjistruar dhe kanë qarkullim më të madh, ne nuk do të kemi problem të rrisim pagën, thekson Fazliji. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Sheshi i Tetovës është lënë në harresë, shërben veç për tubime partiake

    Lajmi i rradhës

    Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë