Zelensky i kërkon BE-së që t’i ndalojë vizat për rusët

    Presidenti i Ukrainës ripërsëriti thirrjen e tij për anëtarët e Bashkimit Evropian që të ndalojnë vizat për qytetarët rusë.

    Ndërsa një diplomat rus paralajmëroi se çdo veprim i SHBA-së për ta shpallur Rusinë një “shtet sponsor të terrorizmit” mund të rezultojë në ndërprerje të plotë të marrëdhënieve diplomatike.

    Kievi dhe Moska vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për rreziqet e luftimeve pranë centralit bërthamor të Zaporizhjas, për të cilin Kombet e Bashkuara thanë se duhet të çmilitarizohet zona rreth tij.

    Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë dhe në të gjenden gjashtë nga 15 reaktorët që gjenden në Ukrainë.

    Forcat ruse e kanë nën kontroll këtë central që nga ditët e para të pushtimit në Ukrainë.

    Vendet perëndimore i kanë bërë thirrje Moskës që të tërheqë forcat e saj nga Zaporizhja.

    “Objekti nuk duhet të përdoret si pjesë e ndonjë operacioni ushtarak. Në vend të kësaj, nevojitet një marrëveshje urgjente në një nivel teknik për një perimetër të sigurt të çmilitarizimit për të garantuar sigurinë e zonës”, tha më 12 gusht, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

    Në fjalimin e tij me video të natës më 12 gusht, Zelensky përsëriti thirrjen e tij për ndalimin e vizave të BE-së për qytetarët rusë, duke thënë se është e nevojshme që blloku të mos bëhet “supermarket”, i hapur për këdo që do të hyjë në BE.

    “Duhet të ketë garanci që vrasësit rusë ose bashkëpunëtorët e terrorit shtetëror të mos mund të përdorin viza Shengen”, tha ai.

    Viza Shengen është vizë që u jep njerëzve mundësi të udhëtojnë në Zonën Shengen, e cila përfshin 22 nga 27 shtetet anëtare të BE-së.

    Disa vende të BE-së, përfshirë tri shtetet baltike dhe Republikën Çeke, kanë lëvizur tashmë për të kufizuar udhëtimin dhe vizat e punës për rusët, dhe ministri i jashtëm çek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, ka mbështetur thirrjet për një ndalim të tillë në mbarë bllokun.

    Përpjekja, megjithatë, ka fituar pak mbështetje deri tani mes anëtarëve të tjerë të BE-së.

    Ministria e Jashtme ruse i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin do të dëmtoheshin keq dhe madje mund të ndërpriteshin nëse Rusia shpallet “shtet sponsorizues i terrorizmit” nga Senati i SHBA. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Trump nën hetim për spiunazh: Zbardhet urdhri i kontrollit i FBI-së

    Lajmi i rradhës

    MPB ndalon dy persona nga Shtipi, për veprën penale “kontrabandim me migrantë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë