Zgjedhjet e tetorit në RMV, partnerët politik kundër njëri-tjetrit

    Për 80 vende të kryetarëve, aq sa ka komuna në shtet, do të garojnë gjithsej 297 kandidatë të cilët janë propozuar nga koalicionet, partitë dhe nga grupi i zgjedhësve. Sipas statistikës së publikuar në ueb faqen e Komisionit Shtetërorë Zgjedhorë, nga të paraqiturit, 56.13 për qind janë meshkuj, ndërsa 43.87 për qind janë femra. Fushata zgjedhore fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, që do të thotë se për këto zgjedhje, fushata fillon më 27 shtator dhe do të zgjatë deri më 15 tetor. Zgjedhjet e ardhshme të vjeshtës sjellin disa risi që nuk ishin të pranishme në ato të mëparshme. Në këto zgjedhje do të votohet me gjurmët e gishtërinjve dhe do të ketë shumë kandidatët të pavarur për postet e këshillit dhe kryetarit në krahasim me ciklet e mëparshme zgjedhore. Por betejat për vota në disa komuna gjithashtu pritet të jenë interesante.

    BETEJA PËR SHKUPIN

    Gjithsej 12 kandidatë do të tentojnë të fitojnë pozitën e të parit të qytetit të Shkupit. Kryetari aktual Petre Shilegov nga LSDM po kërkon një mandat të dytë. Daniela Arsovska, e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Pero Georgievski Kamikaza si kandidat i së Majtës, pastaj avokati Aleksandar Tortevski nga partia E Jotja, muzikanti Beni Shaqiri si kandidat i koalicionit PLD dhe RDM, Ana Petrovska si kandidate e listës së pavarur Qyteti Human i Gjelbër. Kandidat të tyre për të parin e qytetit kanë edhe Lidhja Demokratike Boshnjake, Partia Komuniste e Forcave të Titos, TMORO, Demokrati dhe Integra. Nga gjithë këto kandidatë, dy do të hynë në rrethin e dytë zgjedhorë. Rrethi i dytë do të mbahet pas dy jave, përkatësisht më 31 tetor. Për shkak të numrit të madh të kandidatëve në Shkupi, pritshmëritë janë se asnjëri prej tyre nuk do të arrijë shumicën e votave në rrethin e parë, andaj do të duhet të shkohet në rrethin e dytë zgjedhorë. Temat që kandidatët pritet të shtyjnë janë në fakt ato që kanë qenë aktuale për vite me radhë në mesin e banorëve të Shkupit – që kanë të bëjnë me ndotjen, mbeturinat, ndërtimet e tepërta dhe të paplanifikuara, transportin publik të qytetit, sipërfaqet e gjelbra dhe të tjera.

    KUSH KUNDËR KUJT NË KUMANOVË

    Kumanova vlerësohet si bastion i LSDM-së. Atje, edhe në periudhën kur në shtet pushteti qendrorë dhe lokal ishte në duart e VMRO-DPMNE-së, kryetarë në këtë qytet ishte nga radhët e LSDM-së. Tani interesante është se kryetari aktual, Maskim Dimitrievsski i cili gjithashtu ishte nga LSDM, tani kandidohet si i pavarur pas disa mospajtimeve me udhëheqësin e partisë në pushtet. Edhe ata dalin me kandidat të vetin, Oliver Ilievskin, kështu që votuesit ndoshta do të jenë të ndarë mes dy kandidatëve që deri dje ishin në një parti. Në këtë qytet, VMRO-DPMNE do të garon me aktorin Toni Mihajllovski.

    TETOVA, BETEJË MIDIS PARTNERËVE TË KOALICIONIT QEVERITAR

    Zjarri në spitalin modular të Tetovës, që ndodhi në Ditën e Pavarësisë më 8 shtator dhe në të cilin vdiqën 14 persona, pritet të ndikojë në debatet mes kandidatëve për kryetarë komunash në Tetovë. Atje prej vitesh temë aktuale është transporti publik dhe ndotja e madhe që çdo dimër e ngre këtë qytet lart në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Interesante për këtë qytet është ka kandidatë nga disa parti që janë pjesë e koalicionit qeveritar si LSDM, BDI, PDSH dhe Lëvizja BESA. Gjithsej do të konkurrojnë shtatë kandidatë. Partneri i koalicionit qeveritarë BDI do të garon me kryetaren aktuale, Teuta Arifi. Lëvizja BESA e cila ishte në koalicion parazgjedhorë me LSDM-në dhe patën lista të përbashkëta parlamentare, ka kandiduar liderin e saj Bilall Kasami. PDSH e cila gjithashtu është pjesë e shumicës parlamentare, do të garon me ish kryetarin e kësaj komune Sadi Bexheti, ndërsa LSDM do të garon me Hamdije Elezoviq. Opozita shqiptare e cila ka bashkëpunim parazgjedhorë me VMRO-DPMNE-në, e kandidoi Vullnet Murselin, ndërsa VMRO-DPMNE nuk ka nxjerrë kandidat në këtë qytet.  Në prag të zgjedhjeve, kreu i LSDM-së Zoran Zaev njoftoi se kishte takime të ndara me udhëheqësit e partnerëve të tij të koalicionit, BDI, Lëvizja BESA dhe PDSH, dhe ra dakord për bashkëpunimin në zgjedhjet lokale, kështu duke e bërë Tetovën një qytet interesant nëse kihet parasysh se të gjithë partnerët e koalicionit të kenë kandidatët e tyre.

    A DO TA MBËSHTET LSDM-ja MERKON NË STRUGË?

    I njëjti numër i kandidatëve si në Tetovë, shtatë, janë paraqitur edhe për Strugën. Kandidatë kanë  LSDM, ASH/AAA, TMRO, BDI, Lëvizja BESA, PDSH, Demokratët, dhe të pavarur. Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në vitin 2017, mbështetja që LSDM kishte për partitë shqiptare nuk ishte aq e fragmentuar, kështu që ata mbështetën kandidatët e BDI-së në raundin e parë atje ku nuk kishin të tyrin, edhe në raundin e dytë atje ku hyrën kuadrot e BDI-së.

    BDI për këto zgjedhje ka kandiduar kryetarin aktual Ramiz Merko, që sipas deklaratave të kryeministrit Zaev, nuk ka qenë në kryetarë i mirë. Ndryshe, Zaevi dhe lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami u morën vesh që vitin e kaluar të garojnë së bashku për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zaev kohë më parë duke folur për bashkëpunimin e atëhershëm me Lëvizjen BESA dhe bashkëpunimin e mëparshëm në zgjedhjet lokale me BDI-në, tha se në vitin 2017 ata qëndruan prapa kandidatëve të duhur në të cilët besuan, edhe pse siç theksoi ai: “u dogjëm realisht me disa kandidatë”.

    NË MANASTIR, MINISTRI KUNDËR LSDM-së DHE VMRO-së

    Në Manastir, është interesante që kandidat për kryetar të komunës është Goran Milevski, ministri aktual i vetëqeverisjes lokale dhe udhëheqës i PLD, një parti që është një partner i vjetër i koalicionit të LSDM-së. Përveç tij, LSDM gjithashtu ka kandidatin e vet, por u vendos që të mos emërohet kryetarja aktuale nga radhët e tyre Natasha Petrovska, por të shkojë me një person të ri, Hristo Kondovski. Kandidati nga VMRO-DPMNE është Toni Konjanovski, ndërsa kandidatura kanë paraqitur edhe Zoran Lazarevski-Paljo i propozuar nga një grup votuesish, Jorgo Ognenovski nga partia Demokratët, Goran Taskovski nga partia “Era Treta Maqedonase”. Edhe në këshillin e mëparshëm komunal, ishin dy këshilltarë të pavarur nga nisma qytetare “Ndryshe” të cilët tani kanë paraqitur një listë të këshilltarëve për këtë qytet. Përveç listës së tyre, ka edhe dy lista të tjera të këshilltarëve të pavarur – një e udhëhequr nga Remzi Medic dhe një tjetër nga Ristenka Altiparmakovska. Fitorja e LSDM-së në zgjedhjet e fundit lokale në Manastir u shënua si e rëndësishme për shkak të qeverisjes së gjatë me këtë qytet nga VMRO-DPMNE. Kryetari i fundit nga kjo parti, aktori Vladimir Taleski, udhëhoqi me qytetin nga viti 2005 deri në vitin 2017.

    SHUMË KANDIDATË TË PAVARUR PËR KRYETARË KOMUNASH DHE KËSHILLTARË

    Këto zgjedhje do ti karakterizon gjithashtu interesi i lartë i kandidatëve të pavarur për kryetarë komune dhe këshilltarë. Mbledhja e nënshkrimeve të nevojshme për kandidatët e pavarur përfundoi më 30 gusht. Deri atëherë nënshkrime mblodhën 30 kandidatë të pavarur për kryetar komune dhe 67 lista të pavarura për këshilltarë. Të gjithë ata do të jenë pjesë e procesit zgjedhor më 17 tetor dhe pritet që në disa komuna të prishin matematikat e disa partive politike. Analisti politik, Selim Ibraimi thotë se digjitalizimi i zgjedhjeve apo fingerpriti ndoshta është e reja që do t’i habisë votuesit, ndryshe programet partiake dhe premtimet e kandidatëve janë të vjetra. Ai thotë se disa kandidatë si emra të rinj që vinë nga pushteti janë pjesë të klaneve financiare dhe atyre vendimmarrëse dhe këtu, sipas tij, nuk mund të pritet gjë prej tyre vetëm se vazhdim të politikave të vjetra të ish kryetarëve të komunave.

    “Opozita do të duhet të sqarojë se si do t’i realizojë projektet dhe jo vetëm me fjalë. Shkurt votuesit janë të dëshpëruar nga premtimet dy dekadëshe ose tre të politikanëve gënjeshtarë që kërkojnë votë tash dhe pastaj e harrojnë votuesin. Si vende ku pritet garë e ashpër në mes partive shqiptare do të thoja janë të gjitha komunat dhe gara tjetër është në komunën e Kërçovës dhe të Strugës. Këtu disa kandidatë kanë gjasa të shkojnë, për shkak të uljes së interesit të votuesve të votojnë për të gjithë. Këtu vetëm BDI, ASH, LSDM dhe VMRO-DPMNE mund të shihen si serioze, tek kandidatët e Lëvizjes BESA në përjashtime kandidimi i tyre mund të shihet si vetëm përçarës dhe për interesa të partisë së Kasamit ose grupit financiarë të tij. Sa vota do të marrë Bilall Kasami në Tetovë? Dhe mund të thuhet se votuesit kanë kandidatë nëse nuk dëshirojnë të votojnë ata të qeverisë si psh në Tetovë prapë dhe në komunat tjera ku BDI ka dështuar dhe i ka shkelur premtimet. Shkurt pa një decentralizim do të jetë vështirë të administrohen komunat që janë shkatërruar nga hajnat”, ka deklaruar për KOHA, Selim Ibraimi, analist./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Në Tetovë familjarët më nuk kujdesen për të infektuarit me Covid-19

    Lajmi i rradhës

    Carovska: Tekstet mësimore digjitale janë plotësisht në përputhje me rregulloret ligjore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë