Furnizimi (jo) i plotë me libra!

    Më shumë se 90 për qind e teksteve shkollore janë dorëzuar për klasat e para, të dyta, të katërta dhe të pesta – klasa në të cilat fëmijët mësojnë sipas planprogrameve të reja sipas Konceptit për arsimin bazë nga viti 2020, tha ministri Jeton Shaqiri dhe njoftoi se këto ditë po dorëzohen edhe tekstet e fundit shkollore që mungonin. Vitin e ardhshëm me planprograme të reja sipas Konceptit, do të mbulohen klasat e treta dhe të gjashta, ndërsa Shaqiri siguron se të gjitha tekstet do të dorëzohen më 1 shtator, përkatësisht do të respektohen afatet. Në fillim të vitit shkollor 2022/2023, për shkak të vonesës së teksteve, nxënësit e këtyre paraleleve morën materiale mësimore për tremujorin e parë.

    “Nuk është miratuar për shkak të disa procedurave ligjore, vërejtjeve të komisionit recensues dhe komisioneve të tjera të përfshira në procedurën për miratimin e një teksti shkollor. Për të vazhduar botimin, duhet të kalojë në një proces ankimimi brenda 15 ditëve nga autorët e tjerë nëse nuk janë të kënaqur me vendimin për përzgjedhjen e tekstit shkollor”, tha Shaqiri, i cili gjithashtu theksoi se për klasën e parë janë dorëzuar tekstet për të gjitha lëndët dhe për të gjitha gjuhët, përveç lëndës së Shoqërisë, e cila këtë javë është miratuar nga Komisioni Kombëtar për Tekste shkollore. Për klasën e dytë janë shpërndarë të gjitha tekstet, përveç lëndëve Matematikë dhe Shoqëri, të cilat tha ai, sot dhe nesër do të dërgohen në të gjitha shkollat. Për klasën e katërt, siç tha ai, janë dorëzuar të gjitha tekstet, ndërsa për të pestën, përveç gjuhës maqedonase. Për këtë lëndë, sqaroi ministri, në dy shpalljet e Komisionit Kombëtar të Teksteve dhe Shërbimit Pedagogjik nuk është regjistruar asnjë autor dhe është formuar një grup autorësh.

    Për vitin e ardhshëm shkollor, sipas Konceptit, duhet të ketë planprograme të reja për klasat e treta dhe të gjashta dhe sipas tyre të përgatiten edhe tekste të reja. Për korrigjimet në tekstet shkollore në përdorim, për të cilat MASH-i ka hapur adresë elektronike për reagime nga publiku dhe raportim gabimesh, është përgjigjur se janë marrë vërejtje për dy tekste – për shkurtesën BDI në tekstin shkollor për lëndën e gjuhës shqipe për klasën e pestë. Ai tha se është marrë vendim për korrigjim nga Shërbimi Pedagogjik dhe është bërë korrigjim në formën elektronike të tekstit dhe se do të gjendet mënyra që të sigurohet material shtesë për korrigjimin e teksteve në formë të shtypur që janë te nxënësit.

    Kujtojmë që ky vit akademik në shtator kishte filluar pa libra për shumë nxënës të shkollave fillore. Për disa herë radhazi, ministri Shaqiri kishte dhënë afate të ndryshme për furnizimin me libra mirëpo asnjë nga këto premtime nuk ishte realizuar në kohë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Deputeti i partisë së Vuçiqit shikon serial, gjersa po debatohej për Kosovën

    Lajmi i rradhës

    “Harresa e vogël” që i kushtoi Qeverisë 11 milionë denarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë