Ziberi me kritika për UT: Nuk kemi biblotekë, vështirësi në rangimin e universitetit, ngecje në digjitalizim..
Bashkim Ziberi, kandidat për rektor në UT, në “ClickPlus” në TV21 ka kritikuar udhëheqësinë e deritanishme të universitetit, duke numëruar se në universitet mungojnë shumë gjëra.
“Universiteti për momentin ka ngecje për sa i takon digjitalizimit të shërbimeve të universitetit, ka ngecje për sa i takon shtrirjes së rrjetit të internetit në universitet akoma nuk kemi një rrjet optik në hapësirat universitare, kemi vështirësi në rangimin e universitetit prandaj ne së bashku duhet të punojmë në ngritjen e cilësisë në mësimdhënie por edhe në punën shkencore-kërkimore, kjo do të thotë të investohet në laboratorët kërkimore-shkencore, të investohet në përkrahjen e stafit akademik, konferencat ndërkombëtare, punime me faktor impakti. Një element jashtëzakonisht i rëndësishëm është pjesa infrastrukturore që do të ndikonte në të gjithë elementet që të kemi cilësi më të lartë, psh. ne akoma nuk kemi një bibliotekë”, tha Ziberi për TV21.
Ziberi: Jeta studentore nuk është në nivel. Studentët nuk janë në dijeni as për zgjedhjen e kryetarit të Unionit Studentor
Ziberi duke folur për studentët, tha se në program ka një pikë “Studentët kanë botën e tyre”, i cili do ta zhvillojë me studentët brenda hapësirave universitare, qoftë nëpërmjet unionit të studentëve, klubeve tyre, etj.
“E kam dhënë një titull në programin tim “Studentët kanë botën e tyre”, dhe ne duhet patjetër të investojmë që studentët që studentët t’i lejojmë të zhvillojnë këtë botë të tyre brenda hapësirave universitare qoftë nëpërmjet unionit të studentëve, klubeve tyre, thjesht le të ndërtojnë jetën siç duan ata për moshën dhe periudhën dhe situatën në të cilën ata gjenden”, tha Ziberi.
Ziberi shtoi se kjo tani nuk është në nivelin që duhet të jetë dhe siç theksoi ka parlament studentor që ka shumë pak aktivitete dhe studentë nuk janë as në dijeni kur janë mbajtur zgjedhjet për kryetar të Unionit Studentor në UT.
Ziberi: Nga viti 2011 nuk është investuar në asnjë hapësirë laboratorike në UT
Ziberi, duke numëruar se në universitet mungojnë shumë gjëra, duke shtuar se nga viti 2011 nuk ka pasur asnjë investim në laborator.
“Prej 2011 deri në vitin 2023 nuk është investuar në asnjë hapësirë laboratorike të mirëfilltë”, tha Ziberi.
Ziberi shtoi se për këtë duhet pyetur udhëheqësia që për 12 vite nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. /Nistori/