Parku Kombëtar “Mali Sharr” bën të ditur se zjarri mbi fshatin Selcë nuk është i lokalizuar, siç njoftoi MPB-ja dhe thonë se ende është duke u përhapur. Ata kanë publikuar një foto të situatës në orën 18:00, ku shihet tymi intensiv dhe po thërrasin në ndihmë banorët e Selcës.
“Zjarri mbi fshatin Selcë nuk është i lokalizuar, përkundrazi është përhapur. Katër ditë shuarje nga shërbimi roje i PK “Mali Sharr” fatkeqësisht nuk dhanë fryte, ndonëse sot morëm mbështetje edhe nga Forca Ajrore e MPB-së, e cila hodhi 7 kova me ujë, ndërsa në terren kanë edhe zjarrfikësit e Tetovës”, thonë nga “Mali Sharr”.
PK “Mali Sharr” vlerëson se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike situata do të përkeqësohet edhe më tej.
“I bëjmë thirrje banorëve të fshatit Sellcë që të dalin dhe të mbrojnë pronat e tyre. Ju rikujtojmë edhe një herë se ndezja e zjarrit është sjellje e papërgjegjshme dhe pa përjashtim rezulton në fatkeqësi. Vazhdojnë përpjekjet për lokalizimin e zjarrit”, bëjnë të ditur nga PK “Mali Sharr”.
Ndryshe, MPB njoftoi në orën 17:00 se Departamenti i Njësive të Aviacionit të MPB-së dërgoi për qëllime speciale helikopterin M171 nga Njësia e Helikopterëve, gjatë të cilit u hodhën 20 tonë ujë, ndërsa zjarri në afërsi të fshatit Sellcë është lokalizuar./Nistori/