A mund të ofrohen zgjidhje për të ardhmen me filma portmonto?

    Anjeza Xhaferaj Rreli

    Më 22 maj të këtij viti në Venecia u hap Bienalia e Arkitekturës 2021 me temë ‘Si do të jetojmë së bashku?’. Bienalia do të vazhdojë të qëndrojë e hapur deri më 21 nëntor të këtij viti dhe në të marrin pjesë 61 vende e ndër ta edhe Shqipëria. Kuratori i Bienales, Hashim Sarkis, Dekan i Shkollës së Arkitekturës dhe Planifikimit në Institutin e Teknologjisë në Masacuset (MIT) shprehet: “Kemi nevojë për një kontratë hapësinore. Në kontekstin e thellimit të ndarjeve politike dhe rritjes së pabarazive ekonomike, i bëjmë thirrje të gjithë arkitektëve të imagjinojnë hapësira në të cilat në mund të jetojmë bujarisht të gjithë së bashku”.

    Kjo pra ishte ftesa për arkitektët ndër ta edhe ata shqiptarë: si të krijojmë një hapësirë ku të gjithë të mund të jetojmë së bashku në të ardhmen. Dhe mesa duket prezantimi i Shqipërisë tentoi t’i japë përgjigje edhe pse për suksesin e përgjigjes nuk jam fort e sigurt. Prezantimi është një montazh dy minuta e gjysmë filmash shqiptarë që ‘festojnë’ fqinjësinë e mirë të njëherë e njëkohshme dhe të humbur tashmë. Tematika e prezantimit është “Në shtëpinë tonë” dhe shoqërohet nga teksti shpjegues: Në Shqipëri, më pak se 20 vite më parë fqinjët e derës ngjitur ishin shpesh më të afërt sesa të afërmit/kushërinjtë. Sot, vetëm një gjeneratë më vonë, të zhytyr thellë në ujërat e globalizimit edhe ne kemi lëvizur drejt një indiference dhe pasigurie izoluese. Duke hedhur dritë simbolikisht mbi atë ç’ka ndodhet përtej mureve të apartamentit tonë, pavilioni të fton të kapërcesh muret dhe të ri-zbulosh dhuratën e kësaj lidhjeje. Tre apartamente fqinje, ndajnë së bashku një hapësirë që mund të vijë në jetë vetëm nëse fqinjët janë të gatshëm ta zbulojnë”. Brenda vetë montazhit gjejmë një tekst të tillë (gjithmonë në të njëjtën linjë sa më sipër): “Njëzetë vite më parë fqinjët ishin më të afërt sesa kushërinjtë. Sa fqinjë njihni sot? A guxoni t’i kapërceni muret?”

    Në pamje të parë duket poetike. Por ka një sërë problemesh këtu, dhe serioze madje. Prezantimi bëhet në Bienalen e Arkitekturës dhe zgjidhja do të duhej të ishte ose së paku të ishte edhe arkitekturore. Por prezantimi shqiptar nuk i futet fare këtyre “detajeve”. Prezantimi shqiptar nuk e gjen zgjidhjen në një vizion të ri të ndërtimit të hapësirës dhe komunitetit, por i bën thirrje botës së brendshme të njerëzve, që jo shumë kohë më parë (vetëm 20 vjet kanë kaluar apo jo) guxonte t’i ‘kapërcente muret’ në emër të fqinjësisë së mirë. Dhe kësaj i thonë ta heqsh barrën nga vetja dhe ta zhvendosësh tek njerëzit e thjeshtë, ata për të cilën do të duhej të ofrohej edhe zgjidhja.

    Problemi i dytë me prezantimin shqiptar ka të bëjë me inkoherencën e imazheve me kohën që mëton të na kujtojë, sikurse edhe me vetë imazhet. Ndonëse mesazhi na thotë “20 vite më parë”, imazhet që na ofrohen nuk janë të 20 viteve më parë. Të gjithë filmat e paraqitur i përkasin në fakt kohës së komunizmit, viteve ’70-të dhe ’80-të. Konkretisht kemi montazh të filmave “Mimoza llastica” (1973), “Në shtëpinë tonë” (1979), “Një vonesë e vogël” (1982), “Dritat e qytezës” (1983), “Familja ime” (1987), “Pas takimit të fundit” (1989) dhe “Edhe kështu edhe ashtu” (1989). Nuk di pse ka ndodhur ky gabim, por problemi qëndron se shikuesit, të paktën ata shqiptarë i lidhin fortësisht këta filma me periudhën e komunizmit dhe në një farë mënyre prezantimi lidh fqinjësinë e mirë me sistemin komunist, i cili më tepër se sa krijues i një fqinjësie të mirë ishte një “Big Brother” që kapërcente muret (pikërisht ato që nuk guxojmë t’i kapërcejmë sot) për të parë se ç’ndodhte në hapësirën private, me shumë gjasa jo-ekzistuese. Jo më kot, Jonila Godole, drejtuesja e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë shprehet se “skenat idilike të një filmi propagandistik nuk rrëfejnë dot kurrsesi atë realitet të hidhur gjatë diktaturës, ku edhe “muret kishin vesh”, ku fqinji të denonconte, ku këshilli i lagjes të demaskonte dhe të priste “biletën” për burg a internim, dhe ku “patronazhistët” e caktuar nga partia vigjilonin edhe brenda anëtarëve të familjes”.

    Natyrshëm mund të lind pyetja se pse nuk u përdorën filma të fund-viteve ’90-të dhe fillim-viteve 2000 për të ilustruar tematikën e fqinjësisë së mirë (edhe pse përdorimi i filmave nuk më duket ekzaktësisht ideja më e mirë për të ilustruar fqinjësinë e mirë)? Përgjigja ka të bëjë me faktin e thjeshtë që në filmat shqiptar të këtyre viteve vështirë të shfaqen sekuenca fqinjësie të mirë. Një specialist filmash mund të flasë më shumë dhe më saktë për këtë, por edhe një shikues i thjeshtë i filmave të kësaj periudhe e di se skenat ku njerëzit takohen nëpër shkallët e pallatit dhe përshëndeten me njeri-tjetrin teksa po shkojnë në aksionin e misrit, pijnë kafe nëpër ballkone, i huazojnë fustanin blu fqinjës që do shkojë në dasëm, përdorin telefonin fiks të fqinjit të vetëm në shkallë që e ka një të tillë apo të fëmijëve që bëjnë detyrat dhe i konsultojnë me njeri-tjetrin duke dalë në ballkon, janë skena që nuk i përkasin viteve 2000 dhe as atyre ’90-të, dhe për pasojë nuk mund të gjenden në filmat e këtyre viteve. Por nëse nuk mund të gjenden, besoj se mund të xhirohen për të ilustruar idenë, andaj edhe ideja e keq-përdorimit (në kontekst dhe kohë) e filmave të komunizmit është e gabuar dhe për më tepër tregon mungesën e investimit nga pala shqiptare për të bërë një prezantim të denjë.

    Problemi i tretë me prezantimin është thjeshtëzimi në analizën që i bëhet fqinjësisë së mirë. Na thuhet se fqinjët ishin më të afërt se të afërmit (në njërin nga filmat, personazhi kryesor qante hallin me fqinjën e mirë, por nuk njihte kunatin, vëllain e burrit), ata të lidhjeve të gjakut dhe kjo na jepet si një fakt i ditur dhe i mirëpranuar nga të gjithë. Por në fakt, janë zhvendosjet e njerëzve nëpër kantiere dhe uzina nga njëri qytet në tjetrin që i ndau njerëzit nga të të afërmit e mishit dhe gjakut që mund të vazhdonin të jetonin aty ku kishin lindur, ose kishin lëvizur në kantiere të tjera. Janë pikërisht këto lëizje (tipike edhe në botë) që sollën pranë fqinjin e panjohur që u bë ‘si vëlla’ apo si ‘motër’. Sigurisht edhe ky është një shpjegim simplist, por ideja është që nëse do të festosh idenë e fqinjësisë së mirë, duhen bërë analiza të mirëfillta për të kuptuar fillimisht nëse ka patur vërtetë një të tillë dhe nëse po pse nuk është më (nëse nuk është më sigurisht). Dhe duhen bërë ca analiza akoma më të mira për të kuptuar se ç’duhet të bëjmë në të ardhmen. Pyetjes se si do të jetojmë së bashku në të ardhmen nuk mund t’i japësh përgjigje duke hedhur sytë me nostalgji në të shkuarën. Pyetjeve që i përkasin ndarjes së hapësirës së përbashkët dhe krijimit të komunitetit duhet t’u kushtohet një vëmendje serioze me qasje multidisiplonore dhe jo të përdoren filma portmonto.

    Lajmi Paraprak

    Disa mënyra për të qëndruar të hidratuar

    Lajmi i rradhës

    Rreziqet potenciale nga marrja e përditshme e multivitaminave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë