E keqja në Universitetin e Tetovës të shpallet me emër dhe mbiemër!

    Mislim Zendeli

    Mislim Zendeli

    Janë vetëm dy forca që i bashkojnë njerëzit: frika dhe interesi. (Napoleon Bonaparta)

    Një ‘stuhi’ ngjarjesh vërtetë të bujshme që është shumë vështirë për t’u ndjekur, kanë ndodhur këto dy dekada të fundit në Universitetin publik të Tetovës. Opinionit të gjerë shpesh i është dashur të ballafaqohet me njoftime për keqpërdorime e keqmenaxhimin e Universitetit nga një grup njerëzish të lidhur në baza nepotike (farefisnore), klanore, dhe politike, dhe si për çudi pa ndonjë përfundim me domethënie korrektuese e korrigjuese.  

    Pavarësisht se Vullnet Ameti u tërhoq nga funksioni i rektorit, pasi u bë bujë pas zgjedhjeve të disahershme të zhvilluara lëmsh e në mënyrë të jashtëligjshme për postin e rektorit, ai paraprakisht i kishte planifikuar vetes postin e Kryetarit të senatit. E gjithë kjo pasi për gati dy vjet universiteti funksionoi jashtë çdo kornize ligjore dhe për pasojë edhe organet e sotme janë të paligjshme. Këtë e arriti përmes senatorëve të cilët të gjithë e dinë se si u zgjodhën. Shumë kritikë të rektorit nën hije ende nuk guxojnë të parashikojnë se ai do të pushojë institucionalisht edhe pas pensionimit siç ka ndodhur me Serafim Tomovskin i cili qëndroi në postin e  prorektorit edhe pas moshës 80 vjeçare edhe pse ligji këtë nuk e lejonte, por kush pyet për ligj se? Në fakt, ligjet, rregulloret, aktet tjera nënligjore përpilohen sipas kërkesës së një grupi të njerëzve që aktualisht janë në pushtet.

    Edhe pse pushoi së qeni rektor Vullnet Ameti ngeli rektor nën hije. Për vite me radhë fjala e tij ishte zakonisht e para dhe e fundit, madje flitet  me hajgare, se senatorët në rastet e votimit orientim i kanë gishtat e dorës së tijë! Kjo vërehet në çdo manifestim apo foto të cilat i publikon Universiteti i Tetovës mbase shihet edhe gjatë lëvizjes së tij brenda oborrit, ku më tepër njerëz e përcjellin dhe e shoqërojnë atë se rektorin formal, të cilit ia lanë në duar pataten e nxehtë, ndërkaq ky i mjeri e i gjori s’di ç’bën!

    U pa qartë në periudhën e fushatës për zgjedhje të rektorit se strukturat kriminele në institucionin e arsimit të lartë të themeluar me gjak e kanë shndërruar  në pronë private. Dhe se ata deri në pafundësi do të udhëheqin me të sipas tekave, qejfeve, simpative të tyre dhe kjo nuk paraqet risi. Tre kandidatët e tjerë për rektor duke parë se bëhet një luftë e pistë u tërhoqën nga gara në mënyrë dinjitoze dhe akademike për të mos i bërë dëm institucionit dhe epilogun e dimë të gjithë. U zgjodh rektori ‘de jure’ kurse ‘de facto’ apo prapa perdes ngeli i forti pehlivani Vullnet Ameti.

    Çka nuk ndodhi në Universitetin tonë këto dy e më tepër dekada, keqpërdorime fondesh, plagjiatura të dokumentuara titujsh, punësime të familjarëve, tenderë, avancime pa baza ligjore dhe akademike deri tek shpërfillja e ligjit të arsimit të lartë dhe atij marrëdhënie të punës stafit, ku rektori disa herë u zgjodh e u rizgjodh në poste të ndryshme me tentativa të ndryshimit të ligjit vetëm e vetëm për të ngelë ai rektor dhe puthadorët e tjerë në poste të cilat aspak nuk i meritojnë. Më keq akoma heshti inspektorati i kapur, prokuroria e ministria njashtu e karvani ecën rrugës së shkatërrimit, në theqafje, të këtij institucioni dhe jo vetëm.

    Shkrimi im në fakt ka të bëjë me një padrejtësi që u bëhet personave që flasin hapur për problemet dhe gjendjen në universitet dhe mënyrat e reagimit revanshist që bënë strukturat menaxhuese për “të padëgjueshmit” . Kjo para një viti i ndodhi edhe Prof. Petrit Pollozhanit, njërit nga profesorët më kontribuues të Universitetit e veçmas të fakultetit ekonomik që nga themelimi. Ndërmora hapin të njoftoj opinion e gjerë me një sihariq të radhës së menaxhmentit të Universitetit të Tetovës. Është fakt se klani i Universitetit publik të Tetovës vazhdon me avazin e vjetër, mosrespektim ligji, revanshizëm, nëpërkëmbje e baltosje  të njerëzve të denjë dhe të guximshëm për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, dhe të ngjashme.

    Siç dihet ligji për marrëdhëniet në punë vetëm stafit akademik ia mundëson të vazhdojë kontratën edhe pasi personi t’i ketë mbush 64 vjet, moshë e paraparë për pensionim, poqe se ai është i aftë të plotësojë kërkesat e vendit të punës. Dhe për këtë personi që plotëson këto kushte, duhet të parashtrojë kërkesë në afat të caktuar. Unë sikur dhe prof. Etem Hiseni, prof. Gjylnaipe Bexheti, prof. Harun Tairi dhe prof. Jasna Teofilovska, kam shtruar kërkesën në kohë dhe formë të përshtatshme e përkatëse, dhe pritja siç ka ndodhur çdoherë, kjo kërkesë e shtruar të aprovohet. Por çka ndodh? Dekani nën hije i fakultetit ekonomik Brikend Haziri mban mbledhje të çuditshme ‘online’ edhe pse nga vendi i punës me një pikë të rendit të ditës në të cilën unë për shkaqe shëndetësore nuk mora pjesë dhe lexon lejen e Këshillit të Rektoratit i cili aprovon vazhdimin e katër kandidatëve duke më injoruar, pa më njoftuar në asnjë formë, se mua, më është refuzuar kërkesa për vazhdim. Kolegët duke ditur se edhe unë kam shtruar kërkesë më informojnë  për rastin. Unë marr në telefon sekretareshën e fakultetit Arbëresha Neziri e cila u konsultua me të a.q. sekretar të klanit të UT, Adem Beadini dhe më përcjell një përgjigje, sa konfuze aq qesharake në stilin: Unë s’e di, ai e di… të thashë më the, do thoshte populli.

    Kërkova takim me dekanin i cili më tha se është vendim nga Rektorati. Këtë përgjigje puthadorët e niveleve të ndryshme në universitetin tonë e kanë në majë të gjuhës. Thuajse ata “të Rektoratit” janë mbretër e perëndi. I shkreti duke menduar se të tjerët hanë bar jep përgjigjen mjerane nuk faji im (Sic!) dhe se ai nuk paska dorë këtu! Gjithçka vendos Rektorati madje edhe për një p…. Ndërkaq në takimin që pata me rektorin, ‘pro forma’, Jusuf Zejnelin i cili rrudhi krahët se nuk di gjë, e që  ndërmjet rreshtave kuptova se është punë e kurdisur nga Vullnet Ameti. Po ky, një ditë më parë, gojarisht më tha se tani një kohë të gjatë paskam shkruajtur shkrime kundër tij vetë dhe mbase edhe kundër Universitetit.

    Pyes para së gjithash organin më legjitim të Uuniversitetit a është e drejtë dhe nuk është diskriminim i llojit të veçantë nga pesë kandidatë vetëm njërit t’i merret e drejta ligjore? A ju duket e arsyeshme të largohet nga programi i Turizmit, njeriu që e ka themeluar programin dhe të mbahet Jasna Teofilovska, e cila ligjëron në gjuhën maqedonase, dhe për të cilën disa herë studentët janë ankuar se gjatë ligjëratave nuk e kuptojnë?  Apo është dhe kjo një mësim për profesoratin se duhet të jenë të dëgjueshëm, të mos bëzajnë, e t’u shkojnë  për shtati një klani që gati është duke e shkërmoqur Universitetin me dallavere, e skandale të llojit të paparë në këto troje, vetëm për të qenë në pushtet dhe për të vjedhur e plaçkitur pronën e institucionit publik? Apo edhe anëtarët e Këshillit, Senatit, etj. janë të kapur? Nëse përgjigja është pozitive, atëherë ç’punë bën Inspektorati i arsimit të lartë? Ministria e Arsimit, Prokuroria….Ku janë gazetarët? Por para së gjithash mendoj se është detyrë e gjithë komunitetit akademik të Universitetit të Tetovës, dhe jo vetëm, të zgjohet nga gjumi nëse synon ta shikojë veten në sy. Dhe t’iu thotë stop të gjitha këtyre ndodhive jo të hijshme dhe joetike që ndodhin në tempullin e dijes, në Universitetin tonë. Populli thotë: “ç’ka ke në komshi, prite në shtëpi”.

    Me fjalë të tjera, sot mua, nesër ty, poqë se ti do të jesh vetvetja! Apo mos pret një episod të ri, më të bujshëm që siç duket do t’i jep këtij institucioni grushtin e fundit për shkatërrimin sistematik të rendit institucional, ligjor dhe faktik dhe veçanërisht shkatërrimin e atyre institucioneve, autoriteteve dhe vlerave që janë të rëndësishme për identitetin kombëtar dhe kulturor. Fundi i fundit universiteti ekziston falë të gjithë taksapaguesve, atyre shqiptarë dhe nuk është pronë e askujt, pra as e pehlivanëve ‘basha’!

    *Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    A do të ketë BDI president dhe kryeministër?

    Lajmi i rradhës

    IDEA: Posta e Maqedonisë së Veriut në krizë të thellë financiare dhe e paaftë të garojë në tregun e lirë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë