A rrezikohet Maqedonia e Veriut nga një sulm i mundshëm bërthamor rus?

    Lirim Shala

    Pjesa I

    Armët bërthamore janë më shkatërrueset të krijuara ndonjëherë. Ndikimi i tyre është i vazhdueshëm, përfshi në gjenetikë dhe një e tillë mund të vrasë miliona njerëz.

    Rreth armëve taktike bërthamore

    Mediet ndërkombëtare kanë raportuar që Rusia do të nisë vendosjen e armëve taktike bërthamore në Bjellorusinë fqinje, aleaten e saj më të fortë në luftën e drejtpërdrejtë me Ukrainën. Presidenti rus, Vlladimir Putin tha të premten që një lëvizje e këtillë është e para jashtë Rusisë, qysh nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

    Synimet e Rusisë për një veprim të këtillë u bënë të njohura që në mars të këtij viti, kur Putin bëri të ditur se ishte pajtuar për një lëvizje të këtillë të armëve bërthamore, duke vënë në dukje vendosjen e armëve të tilla nga ana e ShBA-së në disa vende europiane.

    Po çfarë janë këto armë? Sa janë të rrezikshme? A mund të goditet edhe Republika e Maqedonisë së Veriut me këto armë, si një anëtare e NATO-s?

    Teknikisht, sipas Fushatës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Armëve Bërthamore (në anglisht ICAN – International Campaign to Abolish Nuclear Weapons), armë bërthamore taktike është çdo lloj arme që nuk klasifikohet si “strategjike” në përputhje me Marrëveshjen e kontrollit të armëve ndërmjet ShBA-së dhe Rusisë (SALTSORTSTART). Armët e këtilla mund të kenë një rendiment prej deri 300 kilotonësh ose rreth njëzetfishin e bombës që u hodh gjatë Luftës së Dytë Botërore në Hiroshimë.

    Armë të këtilla ishin vendosur në Europë gjatë Luftës së Ftohtë, në rast të një konflikti ndërmjet NATO-s dhe Paktit të Varshavës. Deri në fund të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, në Europë ishin vendosur rreth 7500 armë të këtilla. Reduktimi i njëanshëm i ndërsjellë bëri që ky numër të bie ndjeshëm në vitet e hershme të 90-ta të shekullit të kaluar.

    man in brown jacket standing near green battle tank
    Photo by Andy Cat on Unsplash

    Çfarë ndodh nëse përdoren armët bërthamore?

    Armët bërthamore janë më shkatërrueset të krijuara ndonjëherë. Ndikimi i tyre është i vazhdueshëm, përfshi në gjenetikë dhe një e tillë mund të vrasë miliona njerëz. Përdorimi i armëve të këtilla do të ndikonte në klimën globale, duke shkaktuar edhe uri.

    Në terma afatshkurtër, duhen vetëm 10 sekonda që topi i zjarrit pas shpërthimit bërthamor të arrijë maksimumin e madhësisë, lëshohet sasi e madhe energjie në formë shpërthimi, nxehtësie dhe rrezatimi. Vala tronditëse arrin shpejtësi prej qindra kilometrave në orë. Përpos vrasjes, shpërthimi u shkakton njerëzve dëmtim të mushkërive, veshëve, gjakderdhje të brendshme etj. Rrezatimi termik shkakton avullim të çdo gjëje afër vendit të shpërthimit, shfaqet stuhi gjigante zjarri. Në rrezik janë dhe ata në strehimore sepse mungon oksigjen dhe ka prani të madhe të monoksidit të karbonit.

    Në terma afatgjatë, armët bërthamore prodhojnë rrezatim jonizues i cili vret ose sëmur të ekspozuarit, ndot mjedisin dhe ka pasoja afatgjata shëndetësore, duke shkaktuar kancer dhe dëmtim gjenetik. Përdorimi i gjerë i tyre gjatë testimeve atmosferike kanë shkaktuar pasoja të rënda afatgjata. Midis viteve 1945 dhe 1980 janë kryer shumë teste të këtilla, duke shkaktuar rreth 2.4 milionë vdekje.

    Përdorimi i më pak se një për qind të armëve bërthamore mund të çrregullojë klimën globale, duke kërcënuar miliarda njerëz me uri, ndërkaq përdorimi i mijëra armëve të këtilla mund të shkatërrojë ekosistemin tonë të brishtë. /Horizont/

    Lajmi Paraprak

    Ndahen 2.5 milionë denarë për pastrimin e deponisë në Shutkë

    Lajmi i rradhës

    Saratsin: Maqedonia e Veriut nuk ka kohë për të humbur, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë