Saratsin: Maqedonia e Veriut nuk ka kohë për të humbur, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë

    Maqedonia e Veriut nuk ka shumë kohë për të humbur, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë. Nëse tani hapni klasterët pas ndryshimeve kushtetuese, rruga e vendit drejt BE-së është e pakthyeshme. E dimë se është e vështirë, por ndërmerreni këtë hap së bashku me ne, mund të konsideroni se Gjermania do të jetë bashkë me ju në këtë rrugë, ka thënë në video intervistën për AIM i dërguari special i Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, përcjell Nistori.

    “Ju keni bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe të gjithë e dinë që vendi juaj do të inkuadrohet, nuk e dimë se sa shpejt, por askush nuk mund ta kthejë më vendin prapa. E shohim se çfarë po ndodh tek fqinjët e juaj dhe sa është kjo e rrezikshme, ku protesta të dhunshme po ndodhin në rrugë pas shumë vitesh dhe çfarë do të thotë kjo për ndjenjat e qytetarëve të këtij rajoni. Kjo tregon: aderoni sa më shpejt, jini sa më afër Bashkimit Evropian, bëjeni këtë rrugë të pakthyeshme tani në mënyrë që të jeni më të sigurt në zhvillimet e mundshme në të ardhmen, ndërsa nuk e dimë se çfarë të presim në javët dhe muajt e ardhshëm”, ka thënë diplomati gjerman i pyetur se sa e rëndë është situata në Kosovë dhe a është i mundur destabilizim i rajonit.

    Ai shton se një rezultat pozitiv nga votimi për ndryshimet kushtetuese do të ishte i një rëndësie të madhe për vendin, por edhe për rajonin, duke pasur parasysh problemet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

    Në vazhdim intervista e plotë për AIM e të dërguarit special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin me video-material dhënë në margjinat e Forumit të Prespës për dialog në Strugë.

    Z.Saracin, Bundestagu dje (16.06.2023) miratoi një rezolutë në mbështetje të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Çfarë do të thotë kjo rezolutë për ne dhe çfarë efekti prisni me këtë dokument këtu, por edhe në BE në përgjithësi?

    “Së pari, nuk duhet nënvlerësuar fakti që Bundestagu ka marrë kohë për të përgatitur këtë dokument dhe ka një konkluzion të veçantë për Maqedoninë e Veriut, sepse në Parlamentin gjerman dhe në koalicionin qeveritar ekziston një rregull që shtetet individuale të mos trajtohen më me rezoluta, dhe një përjashtim i tillë është bërë për Maqedoninë e Veriut. Muajt në vijim janë vendimtarë për Maqedoninë e Veriut, por edhe për frymën e zgjerimit të BE-së dhe të gjithë rajonit. Kështu, kjo përfaqëson një angazhim dhe një premtim. Deputetët më thanë se kanë ardhur disa herë në Maqedoninë e Veriut dhe shumë politikanë, por edhe njerëz që kanë takuar u kanë thënë se kanë një ndjenjë të keqe në stomak dhe kanë frikë për çështjen e identitetit, për rolin e gjuhës në të ardhmen në BE, për kulturën. Shumë njerëz na kanë kërkuar që të bisedojmë me fqinjët tuaj për këtë konflikt dypalësh. Sigurisht, ne mundohemi të jemi pozitivë dhe të ndihmojmë, por është shumë e rëndësishme të thuhet “dëgjoni, Gjermania ka një qëndrim të qartë për këtë, Gjermania vlerëson kulturën, gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe ju mund të mbështeteni në këtë. Ky është një premtim nga Parlamenti gjerman, organi më i lartë në politikën gjermane, për të gjithë në Maqedoninë e Veriut, një premtim të cilit mund t’i besoni dhe Gjermania do ta mbështesë këtë herë edhe në BE. Sepse për ne, Bashkimi Evropian është një bashkim i diversitetit pasi Maqedonia e Veriut është një vend i diversitetit. BE-ja i pranon të gjitha gjuhët, identitetet dhe kulturat e ndryshme dhe i ushqen ato, ndaj jemi të sigurt se rruga e Maqedonisë së Veriut, rruga e identitetit, kulturës dhe gjuhës maqedonase drejt BE-së është shumë e realizueshme. Gjermania premton të qëndrojë në këtë rrugë.

    Në dokument thuhet se “Bundestag-u gjerman e njeh kulturën, identitetin dhe gjuhën maqedonase. Në Bashkimin Evropian, i cili karakterizohet nga një larmi e madhe gjuhësh dhe kulturash, gjuhët janë pjesë përbërëse e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. Gjuha dhe kultura maqedonase do ta pasurojnë edhe më shumë këtë diversitet”. Gjermania nuk ka kundërshtuar kurrë asnjë nga sa më sipër, a po i drejtoheni drejtpërdrejt Bullgarisë me rezolutën?

    “Ky është një mesazh për maqedonasit, që mund të mbështeteni tek ne. E kuptoj që kur sheh dikë që mohon diçka që është e rëndësishme për ty, përqendrohesh më shumë në këtë dhe përpiqesh ta provosh dhe madje të debatosh për këtë. Por ju keni miq që nuk ju mohojnë dhe mund të jetë më mirë të përqendroheni më shumë tek ata që ju mbështesin dhe ju japin besimin dhe njohjen e tyre të ngrohtë. Bullgaria është gjithashtu një mik i rëndësishëm dhe i mirë i Gjermanisë, ne kemi marrëdhënie të mira dypalëshe me Bullgarinë dhe më vjen mirë që vendi është anëtar i BE-së. Prandaj, ky nuk është një mesazh për Bullgarinë, ne besojmë se situata më e mirë për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë është nëse të dyja do të ishin pjesë e Bashkimit Evropian. Rezoluta nuk është diçka negative, por pozitive, dhe ne duam t’i përfshijmë të gjithë në Maqedoninë e Veriut, në një mënyrë pozitive përmes saj.

    Ju ishit në Shkup më pak se një muaj më parë dhe tani jeni këtu në Strugë, keni pasur një takim edhe me kryeministrin Kovaçevski dhe atëherë dhe tani na keni thënë që ta shfrytëzojmë momentin dhe të fokusohemi në obligimet që dalin nga Korniza Negociatore, e cila parashikon ndryshime kushtetuese dhe përfshirjen e minoritetit bullgar përpara takimit të dytë ndërqeveritar dhe hapjes së klasterëve. Po sikur Maqedonia e Veriut të mos zbatojë amendamentet kushtetuese?

    “E kemi të qartë se Bashkimi Evropian ka nënshkruar një marrëveshje në të cilën thuhet se do të miratoni ndryshimet kushtetuese për të hapur grupimet apo klasterët e parë. Ky parakusht është vendosur. Është një iluzion të besosh se kjo marrëveshje mund të rinegociohet dhe një iluzion akoma më i madh të besosh se ajo që u ra dakord vitin e kaluar me propozimin francez mund të rinegociohet për të arritur një marrëveshje më të mirë. Ne presim që Maqedonia e Veriut të japë rezultate, megjithëse e dimë se kjo pritje nuk është e lehtë dhe nuk është e lehtë për vendin të japë të njëjtën gjë. Nëse Maqedonia e Veriut dështon ta bëjë këtë, ne me siguri do ta respektojmë atë vendim. Nuk jemi ne ata që vendosim për Kushtetutën tuaj, por deputetët e Kuvendit të Maqedonisë. Megjithatë, kjo për ne nënkupton se në këtë moment, Parlamenti juaj nuk është gati të ecë përpara në rrugën evropiane.

    Në disa raste i keni rekomanduar VMRO-DPMNE-së opozitare që deri në shtator të pranojë amendamentet kushtetuese. Së fundmi është mbajtur takimi i kryesisë së kryeministrit Kovaçevski dhe liderit të opozitës Mickoski, me sa duket ka progres, por ende ka kushte. Sa realiste janë kërkesat e opozitës për efekt të vonuar të ndryshimeve kushtetuese?

    “Nuk kam folur me z. Mickoski për përmbajtjen e saktë të këtij propozimi dhe për këtë arsye nuk mund të komentoj. Mund të them vetëm se ne do t’i përmbahemi kornizës negociuese dhe propozimit të dytë francez dhe nuk shoh hapësirë për të shkuar përtej kësaj. Kështu që ju do të duhet ta bëni atë ose ta bëni këtë pyetje pasi të kem pasur mundësinë të flas në një takim të veçantë me z. Mickoski për propozimin.

    A mund të marrë Maqedonia e Veriut një kornizë të re negociuese apo ndoshta një garanci se nuk do të ketë kushte të mëtejshme historike nga Bullgaria?

    “Nëse fillojmë të flasim për dy vende që bëjnë propozime për një kornizë më të mirë negociuese, atëherë herën tjetër Ukraina dhe Polonia do të bëjnë propozime të caktuara, atëherë Hungaria dhe Ukraina do të bëjnë të njëjtën gjë, ose ndoshta duhet t’i kërkojmë Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë të bëjnë propozime për kornizën negociuese dhe më pas gjithë BE-së? Unë do t’ju them këtë. Korniza e negociatave u miratua unanimisht nga 27 shtetet anëtare të Këshillit të BE-së dhe ne nuk do të rihapim procesin për marrjen e një vendimi të tillë. Është bërë dhe nuk ndryshohet. Kjo përfaqëson një garanci për Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të ndryshohet lehtë, në mënyrë që Bullgaria të mos vendosë më tej kushte të reja në të. Ishte gjithashtu një nga pikat kyçe të propozimit vitin e kaluar. Prandaj, është krejtësisht joreale të pritet që ne ta rihapim atë. Gjermania do të jetë kundër rihapjes së kornizës negociuese.

    Nisma e shtatë vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë, për përdorim më të madh të shumicës së cilësuar në vendimmarrje në BE, vlen edhe për zgjerimin. Cilat janë perspektivat për këtë lloj vendimmarrjeje, sa reale është që nisma juaj të pranohet?

    “Ne e dimë se ky është një diskutim i vështirë në Bashkimin Evropian që nga Traktati i Lisbonës dhe madje që nga Akti Unik Evropian dhe nuk është kurrë i lehtë. Në dekadat e fundit ne kemi qenë gjithnjë e më shumë në gjendje të arrijmë një shumicë të kualifikuar dhe do të ishte vërtet e rëndësishme të ndërmerreshin hapa të mëtejshëm për aftësinë e Bashkimit Evropian për të marrë vendime të shpejta në nivel global. Ne duhet të flasim për këtë me miqtë dhe partnerët tanë, dhe ka shumë vende, jo vetëm në Evropën Lindore, të cilët janë skeptikë për këtë, sepse vendet e vogla kanë frikë se fuqia e tyre do të margjinalizohet.

    Por në rastin e Maqedonisë së Veriut, ne shohim se kjo mund të dëmtojë proceset pozitive. Nuk mund të parashikoj se cili do të jetë rezultati, por Gjermania po përpiqet ta shtyjë këtë marrëveshje përmes bashkëpunimit, për të marrë sa më shumë vota të shumicës së cilësuar përmes këtij propozimi.

    Po rriten tensionet në Kosovë. Thirrje të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare për qetësim, por edhe thirrje për zgjedhje të reja në veri të Kosovës. Sa serioze është situata dhe a është e mundur të destabilizohet rajoni, duke pasur parasysh zhvillimet aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë?

    “Herën e fundit që isha në Shkup, u përpoqa të shpjegoj se Maqedonia e Veriut nuk ka shumë kohë për të humbur, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë. Tani është një moment ku Bashkimi Evropian po ju thotë “ejani një hap më afër”. Nëse i hapni grupimet apo klasterët tani pas ndryshimeve kushtetuese, mendoj se rruga e vendit drejt BE-së është e pakthyeshme. Ju keni bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe të gjithë e dinë që vendi juaj do të aderojë, nuk e dimë sa shpejt, por askush nuk mund ta kthejë më vendin prapa. E shohim se çfarë po ndodh në lagjen tuaj dhe sa e rrezikshme është, ku protesta të dhunshme po përsëriten, pas shumë vitesh, në rrugë dhe çfarë nënkupton kjo për ndjenjat e qytetarëve të këtij rajoni. Kjo nënkupton “qasje sa më shpejt, jini sa më afër Bashkimit Evropian, bëjeni këtë rrugë të pakthyeshme tani, në mënyrë që të jeni më të sigurt në çdo zhvillim të ardhshëm”, dhe ne nuk dimë se çfarë të presim në javët dhe muajt në vijim. Muajt në vijim do të jenë vendimtarë për rajonin dhe një rezultat pozitiv i votimit për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut do të ishte me rëndësi të madhe për vetëbesimin e njerëzve se rajoni do të shkojë drejt Bashkimit Evropian. Do të ishte një dritë pozitive në rajon duke pasur parasysh problemet në fqinjësinë tuaj. Kjo është arsyeja pse ne përpiqemi të jemi, ndoshta nga njëra anë, jo miqtë më të mirë të Maqedonisë së Veriut, sepse ndonjëherë jemi edhe kritikë, por miq të vërtetë të Maqedonisë së Veriut dhe si miq të vërtetë ju ftojmë që të bëni këtë: “E dimë se është e vështirë, por ndërmerrni këtë hap së bashku me ne, në këtë rrugë mund të mbështeteni tek Gjermania”.

    Lajmi Paraprak

    A rrezikohet Maqedonia e Veriut nga një sulm i mundshëm bërthamor rus?

    Lajmi i rradhës

    PDSh shënoi 30 vjetorin e angazhimit politik – u ekspozuan fotografi të rrugëtimit të Menduh Thaçit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë