Si i thelloi pandemia ndarjet në vendet perëndimore

    Kerry Boyd Anderson
    “Arab News”

    Teksa Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane po përpiqen të dalin nga pandemia e sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi i ri, qytetarët e tyre po ndihen më të ndarë se kurrë më parë. Në mbarë botën, pandemia i ka përkeqësuar tendencat dhe sfidat ekzistuese, përfshirë tensionet shoqërore dhe politike.

    Një studim i fundit i Pew Research Center mbi 17 ekonomitë më të zhvilluara në Amerikën e Veriut, Evropë dhe rajonin e Azi-Paqësorit, zbuloi se mesatarisht 61 për qind e njerëzve besojnë se vendet e tyre janë më të ndara tani sesa para shfaqjes së pandemisë.

    Në secilin prej vendeve të Amerikës së Veriut dhe Evropës të përfshirë në këtë sondazh, një shumicë e të anketuarve e shohin si më të përçarë vendin e tyre. Sondazhi i Pew Research Center, ofron të dhënat e mundshme për t’i shpjeguar këto perceptime.

    Masat kufizuese për ta ngadalësuar përhapjen e pandeminë, si mbajtja e maskave dhe distancimi sociale, mbeten një burim polemikash. Ndërsa shumica në secilin prej vendeve të Amerikës së Veriut dhe Evropës, u shprehën se kufizimet e qeverive të tyre ishin të drejta, apo se duhej të kishte më shumë kufizime të tilla, një pakicë domethënëse në shumicën e vendeve donte më pak kufizime.

    Studimi zbuloi se qytetarët që donin më pak kufizime, kishin më shumë të ngjarë që të bëheshin pjesë e partive politike të krahut të djathtë, dhe po ashtu kishin më shumë të ngjarë që ta shihnin shoqërinë në vendin e tyre si gjithnjë e më të përçarë.

    Po ashtu, ata që e perceptojnë se ekonomia e vendit të tyre e ka shumë të vështirë rimëkëmbjen, kanë më shumë gjasa që ta shohin si të ndarë vendin e tyre. Sondazhi tregon se amerikanët e perceptojnë si më akute ndarjen, me 88 për qind e të anketuarve që thonë se shoqëria e tyre është më e ndarë sot sesa para pandemisë, më shumë se sa çdo vend tjetër i përfshirë në sondazh.

    SHBA-ja ishte tashmë thellësisht e ndarë edhe përpara pandemisë, dhe kjo për shumë arsye, përfshirë ndryshimet shumë të rëndësishme demografike, rënien e besimit tek institucionet dhe lidhjen në rritje të shumë mediave me pikëpamje të ndryshme ideologjike apo politike. Popullsia është bërë më e polarizuar, ku shumë amerikanë zgjedhin tani të jetojnë në komunitete ku shumica e njerëzve pajtohen me pikëpamjet e tyre politike, kulturore dhe fetare. Presidenca Trump po i thellonte me tej këto ndarje kur ia behu pandemia e Covid-19.

    Pandemia po ushtron presion mbi këto vija ndarëse. Ajo u politizua që në fillim. Presidenti i atëhershëm Donald Trump, shprehej se pandemia do të “zhdukej” shumë shpejt, teksa snoboi mbajtjen e maskave dhe i kritikoi masat bllokuese.

    Gjatë gjithë pandemisë, demokratët kanë tentuar që ta shohin krizën si serioze, duke favorizuar kufizimet për të frenuar përhapjen e virusit, ndërsa republikanët kishin më shumë të ngjarë të vinin në dyshim ashpërsinë e pandemisë dhe të kundërshtonin kufizimet.

    Po ashtu, sondazhet treguan se demokratët kishin më shumë gjasa sesa republikanët të mbanin maska. Kriza ekonomike i ndau më tej amerikanët, si në aspektin e përkatësisë politike, ashtu edhe nga ndikimi, me punonjësit me paga më të ulëta që u prekën më shumë sesa shtresa e profesionistëve.

    Në Evropë, 66 për qind e të anketuarve thanë se vendet e tyre janë më të ndara tani sesa para pandemisë, duke filluar nga 53 për qind në Suedi, deri në 83 për qind në Holandë. Ashtu si në SHBA, pandemia i thelloi ndarjet që ekzistonin më herët.

    Kontinenti po përballej tashmë me ndryshimet demografike dhe rënien e besimit tek institucionet. Disa vite para pandemisë së Covid-19, partitë tradicionale të qendrës që qeverisnin shumë vende evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore, ishin përballur me sfida serioze nga partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë.

    Pandemia i intensifikoi këto sfida. Ajo e goditi rëndë Evropën, me nivele të larta infeksionesh dhe të vdekurish. Pandemia tregoi si nevojën për një bashkëpunim evropian, ashtu edhe limitet e institucioneve të Bashkimit Evropian.

    Përhapja e ngadaltë e programit të vaksinimit në BE-së, shkaktoi zemërimin e qytetarëve. Aktualisht ekzistojnë shqetësime të mëdha për ekonominë në disa vende, sidomos në Francë dhe në vendet e Evropës Jugore. Në fakt, kriza ekonomike dhe reagimi i gabuar ndaj pandemisë në Francë, ka krijuar shanse të mira për kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, që të fitojë potencialisht zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

    Ndërsa shumë evropianë thonë se qeveritë e tyre, kanë vendosur sasinë e duhur të kufizimeve apo se duhej të kishin bërë më shumë, evropianët e krahut të djathtë kanë më shumë të ngjarë të thonë se kufizimet shkuan shumë larg; edhe pse ndarja politike mbi reagimin ndaj pandemisë është më i vogël në Evropë sesa në Shtetet e Bashkuara.

    Brexit e kishte përçarë shumë Britaninë që para ardhjes së pandemisë, duke theksuar akoma më tej një krizë të thellë identiteti midis shumë britanikëve, duke ripërtërirë tensionet në Irlandën e Veriut, dhe duke ringjallur mundësinë e pavarësisë së Skocisë nga unioni.

    Gjithsesi, ndërsa 54 për qind e të anketuarve britanikë thanë se vendi i tyre është më i ndarë se sa para pandemisë, 42 për qind thanë se vendi është më e bashkuar, një diferencë më e vogël se në shumicën e vendeve të tjera të përfshira në studimin e Pew Research Center.

    Kjo mund të pasqyrojë realitetin se në fillim vendi u përça. Por nga ana tjetër mund të pasqyrojë nivelin e lartë të mbështetjes për kufizimet në kuadër të pandemisë, programin e suksesshëm të vaksinimit, panoramën e përgjithshme pozitive të reagimit pandemik të vendit, dhe optimizmin relativ për rimëkëmbjen ekonomike.

    Ndërkohë, pandemia i thelloi tensionet në vendet jashtë Amerikës së Veriut dhe Evropës. Vende si Brazili dhe India, të cilat përjetuan përndarje të mëdha para pandemisë, kanë vuajtur ndjeshëm dhe në mënyra që i thellojnë akoma më tej dallimet shoqërore dhe politike.

    Në studimin e Pew, shumë qytetarë në Korenë e Jugut dhe Japoni thanë se vendet e tyre janë bërë më të përçara. Bota ndodhet ende në mesin e një pandemie, dhe ndarjet politike mund të pengojnë reagimin, duke e minuar politikë-bërjen dhe dëmtuar mesazhet e autoriteteve të shëndetit publik.

    Në një plan afatgjatë, ndarjet e thella mund t’i ndërlikojnë përpjekjet për të hartuar një kurs të ri të ecjes përpara pas fundit të kësaj pandemie. Gjithsesi, shoqëritë duhet të pranojnë gjithashtu edhe fushat ku kanë dallime thelbësore, dhe të zhvillojnë diskutime të ndershme, të cilat mund të ndihmojnë në formësimin e një të ardhme më të mirë.

    Lajmi Paraprak

    Guximi për të mbetur vetvetja, mes zemërimit dhe vuajtjeve

    Lajmi i rradhës

    Haxhilerët mblidhen për Haxh në Arabinë Saudite

    Lajme tjera

    Tirana…

    Monika Stafa Ajri është i thatë, i ngrohtë ndërsa era e Shirokës nuk shkulet prej xhamave derisa të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë