Ardhja e kombit sipas teorisë moderniste

    Gëzim Selaci

    Kombet e para kanë lindur dikur nga fundi i shekullit XVIII ose në shekullin XIX në Europën e Revolucionit industrial dhe te kreolet e Amerikës. Me ardhjen e kombeve, shohim një ndryshim rrënjësor në jetën politike dhe kulturore të popujve që do të jetë thelbësore për konceptimin dhe organizimin e pushtetit politik, shtetit dhe sovranitetit. Kombi, si grup njerëzish politikisht të vetëdijshëm me ndjenjë të përbashkët përkatësie në sajë të zhvillimeve të veçanta kulturore të shkaktuara nga moderniteti dhe të fatit e aspiratave të përbashkëta politike në një territor të caktuar, bëhet njësia dhe parimi kyç në politikë. Shtetet kombëtare ose shtetet-kombet formohen gjatë shekullit të XIX dhe në fillim të shekulli XX.

    Ky është boshti i teorisë moderniste ose konstruksioniste, që kombet i sheh si dukuri moderne dhe konstrukte shoqërore. Në teorinë sociologjike, “konstruksion shoqëror” emërton nocione dhe entitete konvencionale të krijuara në kontekste të caktuara kulturore dhe shoqërore. Këto “ekzistojnë” ngase njerëzit besojnë ashtu dhe funksionojnë vetëm në sajë të një marrëveshjeje për pranimin e ekzistencës së tyre.

    Në përpjekje për të kuptuar kombin, teoricienët modernistë zakonisht analizojnë prejardhjen e kombeve të para duke kërkuar të kuptojnë kontekstin socio-historik që nga shekulli XVI, që gradualisht ka zëvendësuar format e vjetra të identiteteve grupore me identitetin kombëtar. Ata argumentojnë se procesi i modernitetit në Europë, nuk u ka lënë vend autoriteteve dinastike dhe fetare dhe ka paraqitur domosdoshmërinë e një forme të re legjitimiteti për autoritetet më të gjera qendrore. Kjo zhvendosje është mundësuar ose nga industrializimi dhe sistemi arsimor i standardizuar (Gellner, 2009), ose nga rënia e “Botës së krishterë” që mbizotëronte në Mesjetë, ose nga “kapitalizmi i shtypit” që mundësoi përhapjen e librave në gjuhët popullore, duke krijuar kështu kultura homogjene, ose nga përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i gjuhëve popullore në komunikime zyrtare (Anderson, 2013).

    Në ballë të teorisë moderniste qëndrojnë antropologu shoqëror dhe filozofi Ernest Gellner, politologu dhe historiani Benedickt Anderson dhe historiani Eric Hobsbawm. Në të vërtetë, kjo qasje teorike përfshin pikëpamje të larmishme, dhe jo një të vetme dhe të njëjtësuar. Sidoqoftë, e përbashkëta e këtyre pikëpamjeve është argumenti se kombet dhe nacionalizmat janë dukuri të modernitetit. Termi “modernitet” përdoret për t’iu referuar organizimit të jetës shoqërore, karakteristike për Europën që nga shekulli XVII e tutje dhe më pas edhe për pjesët tjera të botës, që shoqërohet nga institucionet ekonomike: kapitalizmi, industrializmi dhe institucionet e tjera si: kontrolli i mjeteve të dhunës nga ana e shtetit modern etj. (Giddens, 2013).

    Kombet janë formuar prej ndryshimesh rrënjësore, që kanë pamundësuar vazhdimin e rendit paramodern dhe ka paraqitur domodoshmërinë për forma të reja të organizimit të jetës shoqërore e politike. Studiuesit argumentojnë se në atë periudhë ishte bërë e mundshme dhe e domosdoshme të përfytyroheshin forma të reja të organizimit kolektiv, domethënë të bazuara në përkatësi kombëtare, meqë të vjetrat ishin bërë të pavlefshme për shkak të rrethanave të reja ekonomike, politike e shoqërore, domethënë kapitalizmit, industrializimit, Revolucionit Francez, lindjes së shtetit burokratik, shekullarizimit dhe urbanizimit.

    Sipas këtyre studiuesve, shndërrimet dhe shkaqet janë të ndryshëm: ndërsa për Gellnerin është industrializimi, për Andersonin është “kapitalizmi i shtypit”. Kjo bëri që koncepti i legjitimitetit të ripërkufizohet në kohën kur u braktisën parimet dinastike e fetare të legjitimitetit dhe u krijuan elita të reja. Sistemi arsimor dhe teknologjia e komunikimit u mundësoi këtyre elitave që ta bartin mesazhin e tyre tek popullatat gjithnjë në rritje. Për pasojë, lojalitetet e shkallës më të ngushtë të krijuara nga kontaktet e drejtpërdrejta ndërpersonale, u zëvendësuan me lidhjet në shkallë më të gjerë në shoqëritë jopersonale dhe anonime, të përqëndruara në vendbanime urbane, pjesëtarët e së cilës as do të takohen as kanë dëgjuar për shumicën e bashkëpjesëtarëve të tyre, por vetëm do të mund të imagjinojnë se i përkasin një grupi të njëjtë identitar. Mu në këtë kuptim, Andersoni përdor shprehjen “komunitete të imagjinuara” për t’iu referuar kombeve.

    Në analizën e krijimin të kombeve, Gellneri bën një lidhje shkakësore sipas së cilës rrethanat në modernitet (në radhë të parë industrializmi), kushtëzuan lindjen e nacionalizmit, ndërsa ky kushtëzoi lindjen e kombeve. Pra, nacionalizmi polli kombet dhe jo anasjelltas. Pa dyshim se nacionalizmi shfrytëzoi trashëgiminë e lashtë kulturore, duke përzgjedhur pjesë nga ajo trashëgimi dhe shpesh duke i shndërruar ato rrënjësisht. Me fjalë të tjera, nacionalizmi nuk është ndjenjë e kombeve. Përkundrazi, nacionalizmi krijon kombe që nga e para. Ky “sukses”, sipas Gellnerit, nuk i atribuohet fuqisë intelektuale ose gjenialitetit të idesë nacionaliste, por funksionit të tij përbrenda rregullit të ri moral e shoqëror.

    Hobsbawmi shkon përtej postulatit të Gellnerit se nacionalizmi krijon kombin, duke theksuar se nacionalizmi dhe shteti krijojnë kombin përmes një “inxhinieringu social” duke u shërbyer me praktika, rituale simbolike dhe mite, në një proces që e quan “shpikje të traditës”, funksioni i të cilit është të nënkuptojë vazhdimësinë e kombit me një të kaluar të tij (Hobsbawm, 2012).

    Bie fjala, ai argumenton se historia lineare, domethënë e vazhdueshme dhe e pashkëputur, e kombit është trillim që mbështetet në figura gjysmë-mitike, dokumente dhe simbole të falsifikuara, si flamuri dhe imazhet, që kanë për qëllim të zgjojnë ndjenja nacionaliste. Vetë ideja e prejardhjes së përbashkët kombëtare është më shumë mit sesa fakt. Nuk është e sigurt prejardhja e kulluar e një kombi, nëse marrim parasysh dinamikat demografike dhe kulturore nepër të cilat kalojnë popujt. Njerëzit kanë prejardhje të përzier, kurse idetë e tyre për të kaluarën e përbashkët janë më shumë të imagjinuara, sesa faktike. Historia interpretohet në atë mënyrë që t’i kontribuojë krijimit të simboleve dhe miteve të kombit. Me fjalë të tjera, ngjarjet historike janë lëndë e një procesi përzgjedhës të lëvizjes nacionaliste dhe shtetit që ka për qëllim të trillojë simbole dhe mite mbi vetëdijen dhe prejardhjen kombëtare (Hobsbawm dhe Ranger, 2015).

    Për të përfunduar, ndonëse në teorinë e kombit dhe nacionalizmit, drejtimi modernist gëzon një pozicion gjerësisht të pranuar, ai është kritikuar se nuk vë re lidhjet më të hershme të kombeve moderne me elemente më të lashta të kulturave popullore dhe etnive paramoderne mbi të cilat themelohen ndjesitë kombëtare dhe se gjithashtu zmadhon rolin e lëvizjeve nacionaliste në krijimin e identiteteve kombëtare. /sbunker/

    Referencat

    Anderson, Benedict (2013 [1983]) Komunitete imagjinare: reflektim mbi origjinën dhe përhapjen e nacionalizmit. Tiranë: Dy Lindje dhe Dy Perëndime.

    Gellner, Ernest (2009 [1983]) Kombet dhe Nacionalizmi. Prishtinë: Nisma…

    Giddens, Anthony (2013). Pasojat e modernitetit. Tiranë: UET Press.

    Hobsbawm, E.J. (2012 [1990]) Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780-ta: Programi, miti, realiteti. Tiranë: Toena & Fondacioni Soros.

    Hobsbawm, Eric dhe Terence Ranger (red) (2015 [1983]) Shpikja e traditës. Tiranë: Pika pa sipërfaqe.

    Lajmi Paraprak

    Nëse nuk fitonte para të mjaftueshme, nëna dhe njerku e keqtrajtonin fizikisht

    Lajmi i rradhës

    Zekiri mbështet ministren Sllavjanka: Asnjë grua nuk duhet të jetë shënjestër e gjuhës së urrejtjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë