Arsyet pse duhet braktisur standardi i vitit 1972

    Lekë Tasi

    Zvarritja e  zgjidhjes së problemeve, karakteristike e periudhës postdiktatoriale, i dha dorë Standardit të vitit 1972 të zërë vend më masivisht nga sa i druheshin ata që e duan shqipen me tërë pasurinë e saj dhe jo të dëgjuar shumë a pak në një degë të saj. Të  shkruarit sipas traditës së vetë përqëndrohet ende relativisht në pak pena gege, kurse të folurit  reziston por vetëm tek të pashkolluarit ose në momente të pavetdijshme të intelektualëve të konfirmuar.  Kjo  zbrapsje e dialektit më  të pasur me folklor epik e  letërsi  të  hershme,  është një fatkeqësi më thelbsore se emigracioni masiv, i cili e ka  edhe një  anë pozitive, ndikimin direkt ose indirekt mbi gjendjen e vendit, me përmirsime  së largu falë arsimit cilësor, me ndihma të buxheteve familjare, dhe ca më  mirë me rikthim e investim  në vendlindje. Kurse harresa e të folurit verior prej ndikimit  të shkollës siç e konstatojmë për çfo ditë  nëpër  intervista, po  rrezikon të bëhet  një proces i rëndomtë, duke shtuar çdo ditë  rrezikun e  një varfërimi të pakthyeshëm.  Çështja  në tërësi ka të  bëjë  jo vetëm me  imponimin mbi shumicën  (3/4 të shqiptarve) të një modeli  që nuk është i tyre,  çështja qëndron tek humbja e pariparueshme e bukurisë  së shqipes,  e cila pa asnjë dyshim  banonte në Veri : morfologji e lokucione lakonike, fonetikë muzikale (me kontraste zanore/bashktingllore), veti  këto që nëse merren masa  për t’u ruajtur, sjellin dobi të shumta, të cilat do t`i trajtojmë më poshtë. 

    GOJA E POPULLIT REAGON. DUHET MBËSHTETUR. Le ta shohim çështjen nga një pozicion tjetër. Standardi, pavarsisht nga  qëllimi i fshehur politik për ta eklipsuar dialektin  geg  në kuadër të  luftës së klasave dhe më gjerë, pati edhe një efekt pozitiv, atë të njohjes  të toskërishtes në Veri. Procesi i përkundërt siç  porositën antarët  më largpamës  të  komisionit 72  (pajisje e gjuhës letrare  me fjalor e konstrukte  edhe veriore) u zbatua shumë  pak. Megjithatë   veprimi i vetvetishëm në gojën e popullit e ka luajtur një farë roli: pranë të shkruarit  konform standartit si inerci e  cenzurës edhe në liri, populli i ka përzier  mjaft dy të folmet jo vetëm në Veri siç thamë , por edhe në Jug  (kjo ka rëndësi), falë një kontakti më të dendun se në të kaluarën mes popullsisë. Kjo përzierje në praktikën e përditshme i shqetson standartistët më striktë, por është kjo që do ta sjellë  integrimin e të  gjitha resurseve gjuhësore sot në zbehje, nëse  huazimi reciprok  nxitet zyrtarisht sot e tutje. Parakusht  i domosdoshëm është të kalohet  nga shkrimet gati ilegale gege tek  a) dekretimi i bashkjetesës së të dy llojeve të mënyrave të shkrimit në letërsi, siç ndodhte deri në vitin 1972, me tipar të ri guximin që autorët e dy degëve të huazohen reciprokisht, dhe b)  rikthimi i gjuhës zyrtare të para 1945-ës,  një gegnishte e moderuar sikundër cilsohej dikur. Këta  hapa njëherazi pasurues dhe unifikues, do të  rijetësonin  paskajoren  dhe  rrokjet e gjata  me anë theksi. Përfshirja e tyre në programet shkollore  dhe në fjalorë, sigurisht has në rezistencë, pasi çdo ndryshim i statu quo-s  mbrohet me xhelozi në çdo fushë; kokëfortsia konservative e  akademisë fsheh një ndjeshmëri  nevralgjike që ka të bëjë me interesa përtej vogëlimave si reforma gjuhësore; episodi i përkujtimit të Martim Camajt, i  përshkruar nga Primo Shllaku e dëshmon. Por  shumëkush është i bindur sinqerisht që efekti i standardit  gjatë 50 e sa viteve ka qënë dhe mbetet  pozitiv. Sido që të argumentohet kjo, rreziku i varfërimit të shqipes po bëhet prore me i mprehtë; alarmin e kanë dhanë prej vitesh një numër intelektualësh me shkrime e aktivitete të organizuara  në drejtim të ndaljes së tij.                                                     

    Pas ligjësimit  të  paskajores, zanoreve të gjata dhe rivendosjes së gegnishtes gjuhë zyrtare, siç ishte  para diktaturës, do të duhej një platformë edhe ma e gjerë  me mundësi  të reja integrimi të njëkohshëm të resurseve dialektale. Fjala  njëkohshëm  është  sinjali kyç i një pasurimi  që do të  përdorte baraz të gjitha  llojet e pjesores  (uem- ue- (u) –uar- ose  bamun, – bamë, – bërë, – ba, – bë, dhe po ashtu alternimin e n me r – shtetnor-shtetëror, duke i nda të parat  si zyrtare, por pa përjashtuar të dytat për kërkesa të veçanta stili, madje edhe zëror kundrejt zanor-zanore  që dominon edhe në standard). Pra, ndërsa gjuha e shkresave do të jetë gegnishtja në njëfarë kodifikimi, ajo letrare do të ketë një larmueshmëri që  do t`i shërbejë sipas  shkruesit dhe rastit  herë stilit  herë muzikalitetit, herë të dyave njëherësh. Një shembull: mbretnia e qiejve (soleme),  mbretëria e ujrave/gjelbërisë/blerimit (onomatope ). Këtë zgjerim mjetesh në gjuhën letrare e  mundëson praktika e sotme  që po e zbehë ndjeshmërinë  e mëparshme ndaj përzierjeve  dialektore;  ndihet ky proces në çdo nivel (paskajorja ka hyrë dhe ndër jugorë- me shkutue e nisur.  Te shkrimtarët e vjetër kemi pasë  uom- uam,   ndërsa sot gjejm në Veri edhe –ua).                                                                                                                             

    Kur thamë që bukuria e shqipes banon në Veri kemi parasysh kryesisht  epërsinë e  a-së gege mbi  ë-në toske. Dendësia në një faqe libri të këtyre rasteve e përligj këtë pohim.  “Ti ke pas kenë nji zoje e randë/ burrat e dheut të quejshin nanë“- le të provojmë ta kthejmë këtë varg në toskërisht, dhe do ta kemi demonstruar këtë epërsi. Favori tjetër  i gegnishtes është shkurtësia (shkoj n`kambë- vete në këmbë , dy rrokje kundrejt pesë). Nga ana tjetër me larmueshmëri të mjeteve nënkuptojmë si bashkëqenien ashtu dhe profilizimin  e  dy formave, pra një hap më përpara  drejt njësimit si deri në vitin 1972: integrim në afat të gjatë të dy dialekteve e jo zëvendsim  të njërit nga tjetri.  Zyrtarizimi në vitin 1972   i vetëm trajtës –uar   linte jasht variantet e lashta dhe  i hiqte  gjuhës letrare  resurse të pasura  poetike (rimat), kurse prozës  nuanca historike e  muzikalitet.  Me  kriterin gjithpërfshirës që  përmendëm si të duhur  në letërsi, dhe  me ripohimin  e gegnishtes së  Elbasanit si normativë zyrtare ( duke i shtuar theksin hundor që ajo e ka sjellë), do të ruhen edhe disa trajta toske me një profilizim kuptimor të tyre sipas asaj që evokojnë. Ato gege kanë më solemnitet, Lum për ty o i madhi Zot, se s`jem kan` e na ke ba, por ka raste që përmbysin këtë kriter pro-geg për hir të traditës ose solemnitetit, shembull :  mësues  do të jetë thjesht mësimdhënës, kurse Mësonjës  –udhëheqës shpirtëror. Me një  ndjeshmëri të hollë ky profilizim do të pikasë sugjestionin që kemi prej  tingëllimit, vjetërisë o rrallësisë së trajtave për t’i dhënë nuancën kuptimore ; kështu prapashtesa —onjës mund të jetë në tërësi e një stili të lartë:   ekzistonjës – filosofike, kurse ekzistues– e natyrës  statistike; çponjës-psikologjike  (metaforikisht), kurse çpues-efekt mekanik, hetonjës-gjyqësore, kurse hetues-psikologjike (me sy hetues). Të tilla profilizime të trajtave  që do  të rekuperonin tërë pasurinë morfologjike veri-jug  mund  t`i operojë me kohë gjuha letrare gjatë  përdorimit, por edhe nën kompetencën e një komisioni  krijuesish e gjuhëtarësh  me ndjeshmëri estetike (e jo ndjekës striktë të rregullit). Poetët edhe në të kaluarën nuk kanë ngurruar të zgjedhin fjalë në dialekte të ndryshme nga i veti. Janë rrallësia, përjashtimi, licenca që i japin frymë  letërsisë, pra dhe që krijojnë nuancat, aq sa të fitojnë të drejtë për të hyrë në fjalor.

    NORMA –  NJE TERM MË I GJERË DERI SOT. Do  të ishte mirë që  vetë koncepti normë të nënkuptonte një përzgjedhje në një fondi  përkatsishë të ndryshme, ashtu si vetë  standardi i ka  lënë në raste të veçanta liri  shkruesit të zgjedhë mes dy o tre varianteve  (shembull patur-pasur-pasë). I tërë ky proces s`mund të kuptohet pa një përforcim të profilit filologjik të lëndës së gjuhë-letërsisë  në shkolla, dhe sigurisht shtimin e numurit të orëve në programin javor. Kjo do të ishte baza, mbasi ngre interesin për gjuhën tek moshat e reja dhe shton lëndën leksikore prej nga do të dalin trajtat me vështrime të diferencuara.  Kur theksojmë nevojën e kthimit tek  liria e para vitit 1972, dhe njëherazi  ruajtjen e trajtave paralele, nënkuptojmë një trajtë zyrtare gegnishte të moderuar siç ka qënë normë për tri dekada pas pavarsisë, dhe një tjetër krahas saj  por të përzier gego-toske si po e prodhon Tirana metropol. Nuk përjashtohet që poetë apo shkrimtarë të veçantë të përdorin  toskërishten o shkodranishten e vetë, të pastërta, sepse janë të dashuruar pas traditës tyre. Publiku i kulturuar i shijon të gjitha, vetëm pedantët e kapur pas rregullit shqetsohen. E natyrshme që profilizime  kuptimore të dy  varianteve  dialektore  do ketë edhe në folje, mbasi mbiemrat janë në pjesën më të madhe pjesore të një foljeje, dhe interkursi  vjen  vetëvetiu :  Kështu  -uem më solemn, ue   dhe uar –të rëndomta. Po të kalojmë te përemrat, Ai dhe aj,  do jenë të rëndomta, ay si më arkaik do jetë edhe i lartë po edhe disi historik o arkaik ( e gjejmë edhe tek Cikli  i Mujit). Përsëri me foljet: Askush pothuaj në Tiranë nuk thotë më shoh, por shofshife , ashtu dhe jo ue, por –u ,-y (kam shku, u kry). Por pranëqenia njohje -njofje- njohuri -njoftuni –   nuk do shkaktojë bezdiDo të ishte shumë e dobishme  të hartohet  rast për rast ky profilizim  sipas vëzhgimeve, në veçanti në zonën metropolitane që jep tonin, atë qytetse dhe suburbane të kryeqytetit, profilizim që do të na jepte një tablo të prirjeve që prodhojnë larmi vështrimesh  për fjalë të cilat, kur shkruhen e fliten siç figurojnë në fjalor, ngjajnë përherë e më të  vjetëruara, pra nuk preferohen në një letërsi që kërkon pulsin  e jetës. Të pasurit e një gjuhe të lartë dhe e një bisedore, të dyja të ligjësuara, u jep dorë gjuhëve të zhvilluara për një shprehje letrare  shumë të pasur.                                                                                                         

    Brenda këtij procesi  çdo tkurrje (veti gege) ësht pozitive, si kalimi  fëmijëri-fëmini-fmini, ose  ndajfoljet e  pashqiptueshme e për t’u fshirë nga fjalori – rastësisht ngushtësisht, qartësisht,  për të riprurë në jetë në vend të së parës  njërrokshen gan ose gand, dhe heqjen e mbaresës absurde-sisht për të tjerat, duke e kthyer në thjesht : ngusht (shembull: le ta marrim ngusht teknikisht, kuptimi del qart, qartazi e konceptuar)).  Reduktimi ka funksion eufonik dhe prova më e dukshme ësht a  (me theks hundor në vend të asht,  për të shmangë  dy sh rresht (asht shtrenjt, që afërmendsh  bëhet: a shtrenjt) po edhe ë, siç e do kënga : s`ë për mua e për ty/po për gjithë Shqipëri. Po ashtu, kujdesi për një shprehje të rjedhshme do të hyjë në mësim si disiplinë me tekste,  për të mos përsëritur b.f. një bashktingëllore në fjalën pasuese : gjer te dera kundrejt deri te gjuri  .

    DOBITË QË RRJEDHIN .Tkurrja në pak rrokje e frazës, siç e kemi te gegnishtja,  i vlen poezisë, filmit, teatrit. Ka  gjuhë të privilegjuara që e kanë në natyrë reduktimin (anglishtja), dhe kjo veti u shërben  shumë në kinema apo teatër, ku kërkohet koncentrim;  ndërsa të tjera,(spanishtja, italishtja, greqishtja etj.)  duke qënë shumërrokëshe, u duhet të shtojnë shpejtësinë e shqiptimit të  rrokjeve, e kjo i kushton dramaticitetit,  që kërkon fjala të ketë peshë, pra replika të shkurtra.

    Vijmë tek ndryshimi tjetër i dy dialekteve: Përdorimi i  n apo i nëmbaresa,  një vështirësi  që duhet zgjidhur  kur tashmë ka hyrë gjthandej e dyta (Shqipëri  e jo Shqipni ).  Kjo ka të bëjë me eufoninë, dhe sigurisht është n që fiton, sidomos kur  në rrokjen  pasuese  kemi  një ; ndaj  duhet shtetnor, fminor , e jo shtetëror, fëmijëror, mullini e jo mulliri (ngaqë shumsi bën mulli(n)jt ). Gegnishtja alternon si rregull n me r,  kurse Toskërishtja i kthen të dyja në r , ndaj ka dalë nevoja të adoptohet zanore e jo zërore si ma eufonike. Por ekzistenca e dy o tre varianteve  krijon larminë, në këtë rast larmi muzikale, që mund të kthehen herë-herë në nuanca kuptimore. Nuk na duhet koherenca  dialektore  por loja estetike bashktingllore-zanore, pra del më e pëlqyer të  kemi përzjerje  kur kriteri eufonik  krijon  brenda fjalisë  lehtësi  tingëllimi me fjalë përkatësie  të ndryshme dialektore. Kështu  fondi i  gjuhës  duhet  trajtuar  si një serrë  me filiza të disponueshme  prej çdo këndi të territorit. Serrë  ku kryesisht poeti/shkrimtari zgjedh e propozon dhe autoriteti gjuhësor me sens kritik mbi të gjitha pro shqiptimit të bukur konfirmon ose refuzon  pas  një kohe të mjaftueshme për të provuar suksesin e tyre në masën e kulturuar.  Tek eufonia  përfshihet  shqiptueshmëria  por kësaj i hapen  probleme për shkak të kriterit thjesht  gramatikor që sundon dhe bën shpesh të detyrueshme  cezurën mes fjalisë:..me kusht//shtetëzimin, heq pothuaj nga përdorimi formën s`e dua ose  shton zanore fundore të paqena për të lehtsuar shqiptimin  – është shtrenjtuar. Kjo  përbën një kapitull të madh mbi  rjedhshmërin, të cilin gjuhët e kultivuara e kanë zgjidhur me kohë. Shkrimtari ynë (kush e ka atë kërkesë..)  duhet të ndalet e ta zgjidhi or` e çast gjatë punës tij; ndaj duhen kodifikuar se si përballohen përplasjet e padëshiruara mes bashktinglloresh, ashtu si apostrofi  zgjidh zanoret që trondisin ritmin.                                                                                                                                    


    Përzgjedhja në  pasurinë dialektore bëhet me sens krijues e jo me konformim të rregullit të ngushtë, përjashtues; duhet pra të prijë  shija, fantazia, që nuk përfillin  skrupujt e drejtshkrimit  zyrtar – shtrati  prokrustian  ku  tepër gjatë redaktori mbajti nën zotërim dhe masakroi  autorin edhe në gjuhë, e jo vetëm për brendinë ideologjike. Frut i këtij procesi përzgjedhës/miratues që e ruan fjalorin mbarëshqiptar do të jetë një fjalor sinonimik në sensin që thamë më lart, të nuancave kuptimore që do t’u jepen  varianteve ortografikisht të ndryshme të së njëjtës fjalë.                       

    DËMET QË DUHEN SHMANGUR. Provë flagrante  e  triumfit në dekadat e diktaturës e mësuesisë mendjengushtë mbi intuitën  kreative, ka qënë botimi tash vonë në shqipe standarte e teksteve arbreshe pa origjinalin pranë. Në to i jepet lexuesit  “kuptimi” i poemave dhe u hiqet poezia. Një efekt  rënues . Këtu na pruri dekadenca e shijes që rezultoi nga ngurtësia e standardit, e planifikuar dhe e zbatuar pa asnjë lëshim, si një letërsi shkruesish, që vetëm duke iu  bindur  korrektorëve  letraro-përmbajtsor  do të  siguronin të drejtën e  botimit.

     Reforma e viteve 70 solli  në fakt triumfin e  uniformizimit dhaskalist, aty ku larmia dhe afërsia mes dialekteve ekzistonte dhe duhej harmonizuar me pasuri trajtash. Duhet tani e kundërta. Të vihet në program së pari përvetësimi nga gjenerata e re e pasurisë gjuhësore që gjejmë tek shkrimtarët e vjetër e të cituar përmbledhtaz nga Kristoforidhi , e poezisë popullore (Eposi i Veriut etj), asaj Jugore, Arbreshe, dhe e kontributit të krijuesve të mëvonshëm, sigurisht pas një qëmtimi të rreptë për të nxjerrë vlerat letrare, e pa donjë detyrim të madh kundrejt  autorëve me emër por që s`paraqesin vlera artistike. Duke qenë geg vetë por në kufi të Toskërise, Kristoforidhi me dy dhjata, së pari gegnisht, pastaj toskërisht dhe me Fjalorin, del babai i gjuhës letrare moderne. Kontributi i tij si autor mbeti panjohur për publikun e sotëm (?). Duke  cituar në fjalor dialektet dhe autorët e vjetër, ai sikur na jep qysh atëhere orientimin që theksuam më lart, të një harmonizimi-integrimi  me kohë të dy dialekteve. Ai  jep landën e plotë të leksikut që duhet të shërbejë si bazë. Disa qindra fjalë të vjetra, arbreshe e dialektale janë asgjë për trurin rinor, jo vetëm, por me një program të studiuar që  përzgjedh ato më me vlerë, fondi i  memorizuar do të përbëjë një kapital të vërtetë për letrarët e ardhshëm. Deri edhe në shkolla profesionale nxënësit t`i njohin majat e poezisë sonë ashtu si janë,  t`i  recitojnë dhe t`i nxëjnë përmendësh, kurse  ata  të gjimnazit të zgjerohen mbi  to. Më shumë se  leksionet historike, ose së bashku me to por të nënshtruara kritikës  moderne, poemat  origjinale dhe burimore, ngrejnë  ndërgjegjen  estetike të nxënsit, rritet  aftësia e tij evokative mbi vargjet që dëshmojnë situata historike të vërteta, në vend të atyre të rrumbullosura apo të sajuara të derisotme, retorike dhe shpesh false. Kur i riu  i njeh ngjarjet historike nëpërmjet  gjuhës origjinale të poetëve, dhe gojës së anonimëve popullorë, kur ndien dhimbjen që i përshkon, në vend të fryrjes  bosh që u jep shpesh historiografia,  do të krijohet  lidhja   e vërtetë me  të kaluarën dhe  kështu rekuperohet njësimi me atë kohë, deri sot i shmangur për shkak të problemeve që i nxjerr tezës shqiptari pa faj- fajtorë janë të tjerët.. Dhe kështu brezi i ri fiton një ndjeshmëri reale mbi historinë, si një nisje për vetformim serioz.

    Lënda e gjuhë-lëtërsisë  për një komb  si i yni dhe në kushtin tepër delikat të momentit duhet  të përbëjë shtyllën kurrizore të shkollës; përmes letërsis burimore, mitike dhe historike, dhe një kulture të hollsishme mbi  gjithçka  arbërore e shqiptare, me  të mirat e sidomos të hidhurat e historisë, brezi që rritet t`i njohë vlerat reale dhe jo sajesa që me kohë bien poshtë duke e lënë pa një vetëdije të mirëfilltë komëbtare. Dobia e një mësimi të tillë  do të pasqyrohet te krijimet e  nesërme, të një sinqeriteti  shpresojmë që i shkon  kohës së sotme në botë, rrënjësisht kritike ndaj falsitetit të  mbivendosjeve pseudovetëvlerësuese. Jemi të vonuar  në këtë kthesë autokritike, por më negative është fryma nihiliste që po e mbushë momentin dhe çon  krizën tonë të identitetit në kufinj të rrezikshëm.  Vlerat duhen kërkuar te humbjet tona historike, një humbje e tërë tejpërtej, por duke zbuluar çka ka rezistuar brenda saj dhe mbi të gjitha psenë e humbjes dhe të rezistencës.  Gjëra këto që e tejkalojnë  materializmin me të cilin janë edukuar dy brezat e fundit dhe vë në pah gati inkoshjencën, instinktivitetin  e atyre  më  të hershëm. Ato gjenden dhe do të zbulohen te këngët burimore nëse bashkë me to do të shfletojmë studimet e  të huajve mbi to.   E tillë ësht rryma e sotme  kudo në botë, më profesionale, kështu edhe  bagazhi i plotë  gjuhësor letraro-historik, me të vërtetat e përimtësuara  të gjithshkaje burimore, do të na rreshtojë te  formimi bashkohor e kritik i vetdijës. 

    MBI Të GJITHA  LOGJIKA KREATIVE. Është edukimi me shije të lartë që vepron  mbi psikikën e të riut,  me bukurinë e tingllimit dhe evokim të historisë, e jo  i derisotmi   që e  quan të papjekur të  riun, pra  të paaftë  për ta ndjerë dramën tonë kombëtare në shekuj , dhe  e mbush me sajesat që thamë,  që synuan dhe ia dolën  të rrisnin  breza të dëmtuar qysh në nisje. Çështja pra qëndron të luftohet doktrina  materialiste që e vendos  kutin e pedagogjis te masa mediokre e jo tek  individi inteligjent; sot jemi në momentin  që  të veprojm në drejtim të kundërt, dhe ta “ngarkojm” trurin e të riut me detyra të shumfishta.  Fjalët e rralla tek poemat na lidhin me fazat që ka kaluar gjuha, dhe kjo lloj lidhje frymëzon  me vjetërsitë që bart, diçka përtej të  kuptuarit,  që merret gjoja me ngjarjet historike  por s` lidhet dot me atmosferën  dhe dramën e tyre. Duhet rindërtuar lidhja me anën e gjallërimin e fjalorit. Nga krahu tjetër  autori aktual  ka një botë për të  shprehur, dhe një prej mjeteve të tij më të forta ësht liria e tij me  gjuhën, organizm i gjallë isaj. Ato mjete, të hershme në trashgimi, dhe ato aktualet në individualitetin krijues,  mund të duan  një proces  të vështirë përvetsimi e njohjeje nga publiku, por ato gjithsesi e zgjerojn  horizontin estetik të  lexuesit, dhe ashtu letërsia jonë  bën  hapat drejt  kultivimit, finesës, kusht për tu rreshtuar  në krah të shoqeve të saj  më të privilegjuara prej  fatit historik.  Pa veçansitë gjuhësore  që e plotsojn  fondin tonë me këmbëngulje të varfër  aktual, s`mund të  bëjm përzgjedhje të  goditura. Vlejn si  përzjerja e mjeteve, e elaboruar nga shija e hollë, ashtu dhe pastërtia e tyre kur e kërkon ndjeshmëria  nazike. Vjen vetiu  që për rastin e dytë,  ribotimet janë të domodoshme, një shembull nga të shumtët: titulli i librit Z.Zorbës, ashtu si duhet ta ketë  konceptue: Buzë të ngrime n` gaz ( jo të ngrira). Këto hollësi që tashti konsiderohen heretike në tregun  tonë letrar, do të lejonin  përveç natyrsis në sektorë  si teatri, filmi dhe vetë letërsia (e dëmtuar rëndë deri sot), edhe rritjen e kuptueshmëris së letërsis sonë klasike me anë të kulturës  filologjike që fitohet , po ashtu të asaj të vonë veriore thuajse krejt të përjashtuar, sidhe të  ciklit epik, që përbëjn të gjitha edhe pse të pakta, një blok tepër  të rëndësishëm  për  t`ia lënë   zbehjes  ose  vetëm  specialistëve dhe një publiku të ngushtë.  Sot duhet  e kundërta e  procesit që   familjarizoi  tek veriorët për 50 vjet  toskërishten  nën fytyrë standardi,  me një  afrim  tash  të jugorëve me Rapsoditë e ciklin mitik verior, me Fishtën e  poetët  gegë, pra një zgjerim  ndjeshmërie e njohjeje kudo e me gjithçka që ka të bëjë me atë trashëgimi . Për të mos qënë i njëanshëm, në shkolla diçka mësohet, fjala është për një zgjerim të madh të lëndës me shtesë orësh e trajtime të hollësishme  (edhe përmendsh siç thamë) të autorëve dhe folklorit kulmor. Në kushtet e garës globale nuk ka pasuri më me rëndësi për ne se gjuha, dhe s`ka mjet më efikas për ta mbrojtur e kthyer në pjellore  se sa një shkollë me profil të theksuar filologjik. Vërtet talenti është primar, por për t’u kultivuar ai, njohja  me hollësi e të gjitha vlerave të krijuara deri sot merr rëndësi parësore. Degët  e së njejtës rrënjë  të promovuara paralelisht, kanë një fuqi frymëzuese të pandier,  kurse norma e vendosur nga gjuhëtarët , aq më keq mbi një bazë paraprakisht të  ngushtuar, ua kalon atë si parzmore poetëve e prozatorëve siç po e konstatojmë shum shpesh; ajo bëhet  veçanërisht  penguese për ata shkrimtarë  që i tërheq më shumë tingëllimi  sesa brendia kuptimore.(Të mos harrojmë formulën e Verlainit : “De la musique avant tout chose” ).

    Vetë idea e një stadardi tek ne  ka qënë  edhe e parakohëshme edhe  varfëronjëse. Po të heqim gjuhën e shkresave që kërkon qartësi  për të shmangur keqkuptime me  dëm praktik (në veçanti në zhargonin gjyqsor), e tërë sfera që mbetet, letërsi, teatër, film, poezi, vetëm dobi do ketë prej të folmeve  popullore dialektale e madje argove, dhe doemos prej modeleve ekzistuese tek poetët më të suksesshëm. Kjo praktikë njihet kudo në botë, ajo krijon pasurinë e fjalorit, nuancat kuptimore, sinonimet që i japin dorë shkrimit me fantazi. Guximi krijues ka shumë për të nxjerrë prej  licencave të goditura.  Shkolla  duhet t`ua bëjë të njohur fëmijve  letërsinë  më të vlefshme të të gjitha trevave, ashtu siç është,  veprat e shkrimtarëve kudo ku shkruhet  shqip.  Kthimi i shkrimtarit e lexuesit  tek folklori  dhe tek  shkrimtarët  e lashtë mund të jetë e vështirë  veçanërisht pas karantinës ndaj çdo gjëje që lidhet me fenë, por do ta shtojë  e thellojë njohjen e shpirtit arbër e shqiptar; shkollës  i bie  të jetë në vendin e parë të kësaj  detyre.

    PENGESA QE DUHEN KAPERCYER.  Mund të paraqesë problem se si leksiku i panjohur bëhet i pëlqyer te lexuesi mbasi ka tërhequr  poetin e prozatorin autor me ekzotizmin/nostalgjinë e tij . Ajo lloj  poezie  e vëmendshme veç te përmbajtja, e shmang fjalën pak të njohur nga frika  e tronditjes së komunikimit,  ajo  don  që  tingëllimi të kthehet  në kuptim sakaq.  Zgjidhja e problemit vjen indirekt, nga  prurja  e shumëzuar prej botimeve,  që kthehet në njohje-pëlqim-përdorim   sipas shijës së  autorit, pra do një farë kohë, dmth një proces familjarizimi. Por mjafton të kujtojmë  se si  i bëjmë tonat edhe fjalë të panjohura prej  vlerës së kontekstit që na rastis të na magjepsë.  Shkurt duhet të pasurohet  tregu  letrar, dhe për këtë duhet më parë krijuar interesi për letërsinë nëpërmjet leximit e recitimit, teatrit cilsor në shkolla dhe mjedise të ndryshme. Të propagandohen  të  gjitha tekstet me vlerë që ofrojnë burimet   gjuhësore të  Veriut, Jugut, dhe atyre jasht kufijve e diasporave, dhe të mënjanohen nga programet ato pa vlerë. Kurse pjesa teorike e mësimit, ( ç` janë rrymat, klasicizmi, romantizmi  etj), nxënsi i merr dhe i vlerëson  po qe i interesuar nga veprat.  Primare ësht  magjepsja nga forma, dhe forma  varet shumë nga pasurimi paraprak  me gjuhën e kohërave. I riu  përvetson gjithçka, sado ta ngarkosh, kështu na mëson psikologjia. Shkolla e çdo niveli duhet të  përqëndrohet pra  te mjetet, shqiptim – recitimi, sintaksa, gramatika, por me një metodë praktike, duke i nxjerrë ato prej teksteve, pra me një konkretësi që bashkon  zbulimin e rregullave me kënaqësinë. Shembujt novatore në shkelje krijuese të sintaksës ose licenca të tjera të jenë të rrethuara me kornizë tek faqja e librit, për t’u fiksuar në tru. Kjo përbën përparësinë absolute në gjendjen stanjante që jemi.  Politika arsimore  e deridjeshme ka bërë të kundërtën, ka reduktuar larminë tek rregulli, madje  ka hequr fare  lëndën e gjuhës, me pasoja  rënduese për aftësinë  shprehëse të qytetarëve, rënien poshtë të nivelit letrar në masa   (shkrimtaria masive e reduktuar në formula, romantizëm  demode, moralizëm  të hapur, libra komercialë etj), ndërkohë që ai i krijuesve të veçantë është rritur shumë por pa merituar vëmendjen e duhur ; pikërisht  ndodhin procese të kundërta nga ai kur ishim nën diktat. Mundet ky polarizim dije-padijë  ndodh kudo në botë prej dekadencës   së leximit në favor të lojërave kompjuterike  e zbavitjeve të tjera. Vetëm nëse do të arrijmë të nxisim leximintek qytetarët e më shumë tek rinia, teatrin cilësor në shkolla, do të vijë kthesa.Dhe atëherë do të ketë vend për të hyrë në garë me letërsinë e huaj, gjë që në afat të gjatë vlen po aq sa ekonomia e mirë dhe jeta metropolitane për afirmimin e Shqipërisë si një kënd origjinal i Evropës . Do arrijmë pjesmarrjen në garë kur identiteti  ynë të ofrojë vepra, art, mënyrë jetese interesante  që tërheqin publikun sepse gjen aty tiparin e vet vendës të zbuluar artistikisht, dhe bëhet tërheqës edhe për të huajt.

    PURIZMI DHE HUAZIMET. Lartësimit të nivelit letrar i  duhet shtimi i larmishëm në fjalor. Ky është një problem i madh, pasi has me purizmin patriotik mjaft të përhapur. Mendimi purist  preferon një shqipe të pastër  (por sa e pastër është ajo?)  kundrejt asaj që thuhet vazhdimisht së jashtmi terma e fjalë që i mungojnë krejt ose që i vlejnë si sinonime. Prirja  për t`i shmangur  bëhet shkak që me kohë ato të hyjnë dhunshëm e pa kulturë.  Mënyra më e  mirë  për një pasurim real  është të ligjësohen me autoritet  ato huazime që  sigurojnë jo vetëm zërin e duhur për një koncept ose objekt  që na mungon, po edhe  sinonime për nuanca në psikologji dhe larmi stili në romanet tona. Që letërsia të bëhet   më e fuqishme në  kuptime dhe më elegante në mjete. Shkollës i duhet vënë kujdesi  edhe për  sintaksën që e  ka pasë dikur lëndë me vete, për një logjikë të fjalisë , por edhe për një liri në poezi duke e shkelur normën e ligjëruar me sens krijues. Kryesor mbetet  rreshtimi i  fjalëve  në mënyrë që suksesioni zanore-bashkëtingëllore të jetë  i  një  shqiptimi të këndshëm, si dhe që  fondi  dialektor, nga i veçantë  të shndërrohet në të përbashkët, pa na e vrarë më veshin  pranësia gege-toske . Aktualisht  të inkurajon që e folura e rrugës  e bën këtë,  konstatohet kudo, deri në parlament  –  parasëgjithash trajta  paskajore,  e përdorur nga jugorë, (me e kujtu) dhe aq më mirë,  e pasuar shpesh nga pjesore  jugore (tue harruar ) . Pra po hyn ajo përzierje, ai unifikim   veri-jug i mjetit më efikas  gjuhësor  për të shprehur parime, të cilin  akademia jonë  (instituti i gjuhësis, kongresi i 72) e dënoi  me vdekje përsëgjalli.  Mendja e shëndoshë e popullit  reagon. E dyta : zanoret e  gjata, një pasuri e gjuhës që dikur shtrëngonte  veriorët të përdornin në shkrim   zanore  të dyfishuara , dhe që fatkeqësisht  i  ndien sot më rrallë. Fajtor direkt ësht standardi që ka ligjësuar  ë-në si rrokje, e cila i kthen në të shkurtra të gjitha zanoret, nëpërmjet  shtimit të  një  ë- je pas çdo mbarese të gjindores, kallzores etj . e duke i  numuruar si  rrokje. Shembull: nëse  i-a fundore e fjalës liri  shqiptohet e gjatë  në emnore, në rasat e tjera, lirisë, lirinë etj. përfundon e shkurtër . Gjuha jonë i ka  zanoret dy llojesh: I par ( e gjatë, që ne e shkruajm i parë), kurse a tek ar , e shkurtër. Ky  dëmtim i madh fonetik ,  erdhi  nga  standardi,  që jo vetëm bazohet   tek toskërishtja, por  me shtimin e ë-së si më lart, zyrtarizon dialektin juglindor (kryesisht korçar , sikur të ishim ende në shekullin e XIX).  Gjuhëtarët  tanë kanë shenjtëruar këtë prirje konservatore  por lokale ,  megjithse qysh në vitet `20 e deri në vitet e para të pasluftës, kemi pasë një interval  mjaft të gjatë me gjuhë zyrtare një gegnishte të moderuar me theksa, e cila e zgjidhte problemin. Ajo mund të vazhdonte po të mos qe motivimi politik i fshehur nën reformën. Argumenti kryesor  i tyre – përjashtimi i theksave ( dmth jo lirin –me theks mbi i-në fundore, por lirinë, për të bërë theksimin e saj ndryshe nga liri (bimë)me theks paroksiton. Por ç` rëndësi  ka ky komoditet kur shqipja i ka të natyrës saj, pra të domosdoshme  zanoret e gjata për të qëne shqipe e zëshme, dhe shkurtimi i tyre me anë të ë-së,  denatyron të folurën në pjesën më të madhe të territorit?     

    EPERSIA FONETIKE E GEGNISHTES. Dialekti verior është në masë të madhe  ma i zëshëm (përfshirë këtu edhe  rreshtimin  e bashktinglloreve, më  estetik se toskërishtja  ( zhbij, zhgatrroj, i mpijt, kundrejt çfaros, çkatërroj, i mbirë).  Duke qenë kryesisht njërrokësh, po edhe me zanore te gjata/shkurtra, dialekti verior  ka theksa të shpeshtë, gjë që paraqet  një avantazh të shumfishtë,  kuptueshmëri dhe tingëllim. Mund të thuhet se gegnishtja artikulohet, kurse toskërishtja mërmëritet. Një  krahasim i guximshëm  ky por mjaft afër së vërtetës, që mund të provohet statistikisht me krahasime në faqet e librave: sa  më e pranishme ësht  zanorja  dhe  diftonget  ku a-ja  prin ( ai ) në Veri dhe sa në Jug.

     A-ja konsiderohet kudo si  zanorja ma e bukur. Ajo dominon në Veri: Bajm, bëzajm, hana, hajn, që në Jug i gjejm: bëjmë,bëjmë zë,hënë, vjedhës.  Le të krijojm një fjali tipike në dy variante do të na e jepte më dukshëm ndryshimin: Ledhat e bajn fminin ma t`kandshme, kundrejt Përkëdhelitë e bëjnë fëmijërinë më të këndëshme. Thuajse 18 rrokje kundrejt 9. Rastet janë gjithandej. Eleganca e gegnishtes duket  p.sh te dinamizmi i tipit ndejun kundrejt ndënjur,- hajes- ngrënies   e panumur të tjerash.                                                                                                                                          Prej kohësh po zhvillohet diskutimi rreth ë-së , dhe ka shumë gjuhëtarë,shkrimtarë, e sidomos poetë, që këmbëngulin për suprimimin zyrtarisht të  saj në disa raste ku standardi e ka fiksuar.  Kundërshtimi i autoritetit zyrtar gjuhësor nuk lëviz , madje shkolla ka bërë që të hyjë vesi i zvarritjes  me ë edhe atje ku s`ka qënë. Po edhe zhdukjen e saj në vende që duhet pa tjetër si te shumësi dhe te lidhorja ( një skandal që përfshin edhe plot intlektualë, të panumërt!).E pakuptueshme mospjesëmarrja e shumë personaliteteve  nga Veriu, që kanë për detyrë të ringjallin traditën  letrare të konsoliduar me shekuj mbi themelet e shkrimtarëve mesjetarë dhe të folklorit. Pa njohjen dhe performimin e tij të përditësuar me botime e recitime tashmë  të kuptueshme në tërë territorin, gjuha  shqipe dhe  kultura shqiptare hyn në një varfërim të rrezikshëm. Pikërisht këtu shohim nevojën e një shkolle me karakter letrar të përforcuar, qysh në nivelin fillor, dhe me karakter thellues në nivelin e mesëm dhe të lartë. Puna intensive për një fjalor etimologjik  dhe sinonimik jo të thjesht por pasqyrues të gjithë pasurisë leksikore të hapësirës  shqiptare  me nuancat që kanë ose do t’u jepen sinonimeve do të ndihmonte shumë, por edhe guximi i shkrimtarëve për të luajtur prej kësaj pasurie, sado në luftë me ndjeshmërinë  e secilit  për të qenë i natyrshëm sot për sot. Ky ësht një problem serioz ; do të  zgjidhet  vetëm me anën e atij fenomeni  të njohur por me afate të gjata,  të kalimit nga  repulsioni  tek familjarizimi  me të renë. Po përmend  vetëm një shembull  skajor për nga guximi: përkthimin e Simposiumit të Platonit nga  Shpëtim Doda, me termin Bashkëpirje. Mund të pranohet, mundet jo. Por kur hyn e lexon tekstin, fillon të ndiesh se hyrja e  neologjizmave të padigjuara më parë, të krijuara si përkthime drejtpërdrejt nga origjinali ose të nxjerra nga gjuha e ulët, e bën gjuhën një fushë për lojë . Nëse rezultati pëlqehet, qoftë me pakicë, kontributi ësht i vlefshëm.  Kontributet me fantazi, do të jenë një  temë plus për diskutim, e rëndësishmja  ësht të kenë  nivel estetik, por edhe efektin befasi  që hyn si përbërës në stile me kërkesa të veçanta. Po në atë libër kemi edhe orientalizma. Masa se sa duhen përdorur ato luhatet historikisht mes maksimales së Bejtexhive, purizmit absolut të Naimit,  ringjalljes së tyre mjaft të theksuar nga Noli ( te Don Kishoti e jo vetëm) , dhe sot  në masë të moderuar te Doda, që i ka marrë prej të folurës së gjallë ende sot. Ato mbeten një mjet për tu pasur në konsideratë.

    SI PERFUNDIM, niveli i shijes që zgjedh/dominon mjetet  ngrihet dhe përsoset  brenda një shkolle ku gjuha shqipe dhe letërsia zë vendin e parë si shqetësim intelektual i shoqërisë. Sepse me atë vendosje  shprehja (letrare dhe shkencore) pranimi ose skartimi i termave, do të vijë  si në të kaluarën, prej pëlqimit të atij që bëhet e përdorshme ngaqë miratohet prej elitës së vërtetë e jo të emëruar.  Pra, duhet të vendosë shija e rafinuar e poetëve dhe prozatorëve, jo ajo e gjuhëtarëve. Dhe kriter i padiskutueshëm është shkurtësia. Atë na e siguron  dialekti verior./ KultPlus./

    Lajmi Paraprak

    Trishtim

    Lajmi i rradhës

    Liberalizimi i vizave në një fazë vendimtare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë