BESIM MULAJ
Në arenën ndërkombëtare po rikthehet një formë udhëheqjeje që luan me frikën, ndërsa rivalitetet strategjike po intensifikohen — një zhvillim po ndiqet me vëmendje nga analistë ndërkombëtarë. Qoftë përmes tarifave doganore të vendosura në mënyrë të njëanshme, kërcënimeve për luftë të shprehura në 280 karaktere (në platformën X) apo aleancave të trazuara nga kapriçot diplomatike, logjika duket e qartë: të impresionosh përmes paparashikueshmërisë. Kjo qasje, shpesh e përmbledhur me shprehjen “Teoria e të Çmendurit” (Madman Theory), nuk është aspak një shpikje moderne. Nga Sun Tzu te Nixon, përmes Makiavelit, Hobbes, Clausewitz dhe madje Foucault-së, historia është e mbushur me mendimtarë që kanë kuptuar se frika, mashtrimi dhe perceptimi janë ndonjëherë më të fuqishme se çdo ushtri.
Kur Richard Nixon ndërmori strategjinë e tij të famshme të “teorisë së të çmendurit” në vitet 1970, qëllimi ishte të bënte Bashkimin Sovjetik dhe Vietnamin e Veriut të besonin se ai ishte në gjendje të merrte vendime ekstreme, madje irracionale. Duke kultivuar këtë imazh, ai shpresonte të detyronte armikun të tërhiqej nga frika e një përshkallëzimi të pakontrolluar. Këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Henry Kissinger, e përpunoi këtë logjikë, i frymëzuar edhe nga puna e ekonomistit Thomas Schelling, fitues i çmimit Nobel, i cili shkruante në librin “The Strategy of Conflict” (1960) se, “iracionaliteti i dukshëm mund të jetë një mjet shumë i fuqishëm në negociata”.
Kjo është e njëjta logjikë që shohim edhe te Donald Trump, i cili shpesh ka alternuar kërcënime tregtare me ftesa për dialog, sidomos me Kinën, Ukrainën, Iranin apo Korenë e Veriut. Shfrytëzimi i rrjeteve sociale, qëndrimet e papritura, sulmet ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe flirtimi me regjime autoritare nuk janë rastësi të një politike kaotike, por pjesë e një strategjie të menduar mirë për të formuar perceptimin publik.
Por shumë kohë para Nixon-it, strategjia e frikës ka rrënjë të thella në mendimin kinez të lashtë. Në “Artin e Luftës”, Sun Tzu shkruante: “Nëse armiku yt është i zemëruar, ngacmoje; hiqu i dobët që ai të bëhet arrogant”. Dhe më tej: “Kulmi i mjeshtërisë është ta nënshtrosh armikun pa luftë”. Mashtrimi i qëllimshëm, paparashikueshmëria dhe manipulimi i emocioneve të armikut janë në zemër të strategjisë së tij. Qëllimi është të provokosh reagime për të fituar kontrollin.
Niccolò Machiavelli, në “Princi” (1513), i këshillonte princat të mos ngurrojnë të duken mizorë ose të paqëndrueshëm, nëse kjo shërben për të ruajtur pushtetin. Ai shkruante: “Më mirë të të kenë frikë sesa të të duan, nëse nuk mund t’i kesh të dyja”. Makiaveli e sheh frikën si një përbërës thelbësor të pushtetit politik dhe paralajmëron kundër udhëheqësve naivë që mbështeten vetëm në virtyt apo transparencë.
Më vonë, në shekullin XVII, Thomas Hobbes e justifikon në “Leviathan” nevojën për një pushtet absolut me frikën nga kaosi. Sipas tij, rendi mbështetet në frikën nga sovrani; pa të, shoqëria rrezikon të rrëshqasë në anarki. Ai shkruante: “Frika nga pushteti është nëna e paqes”. Carl von Clausewitz, në “Mbi Luftën” (1832), e përshkruan luftën si një “akt dhune që synon të detyrojë kundërshtarin t’i nënshtrohet vullnetit tonë”. Ai nënvizon rolin vendimtar të “fërkimit” – atij elementi të paparashikueshëm dhe të pashmangshëm që shoqëron çdo konflikt – si dhe rëndësinë e dimensionit psikologjik në rrjedhën e luftës. Frika që armiku ka nga ne mund të jetë po aq efektive sa një fitore në terren. Krijimi i një ideje për udhëheqësin si i paparashikueshëm mund të jetë pjesë e këtij arsenali strategjik – jo për të vepruar pa logjikë, por për të shkatërruar llogaritjet e armikut. Kjo qasje pasqyrohet qartë në stilin e Trump, i cili përmes sfidimit të normave tradicionale shtyn kundërshtarët përballë një terreni të pasigurt dhe të paparashikueshëm.
Në shekullin XX, Michel Foucault e sheh pushtetin si një spektakël – një skenografi force. Në Ligjëratat mbi sigurinë, territorin dhe popullsinë, ai vëren se pushteti modern nuk vepron vetëm përmes ligjeve apo dënimeve, por edhe përmes ndërtimit të një imagjinatë kolektive, përmes përhapjes së ideve mbi rrezikun, armikun apo çmendurinë. Trump, në fjalimet dhe postimet e tij, inskenon politikën: ai krijon frikë, dramatizon situatën, dhe më pas ofron një rrugëdalje duke u shfaqur si “bujar” apo “i arsyeshëm”. Pas kësaj loje me role fshihet një strategji diplomatike, që e përdor kaosin si mjet presioni.
Por Trump nuk është i vetmi që mishëron këtë logjikë. Vladimir Putin, duke kërcënuar me përdorimin e armëve bërthamore në fillim të luftës në Ukrainë, u paraqit si një udhëheqës i gatshëm për gjithçka. Kim Jong, duke kultivuar imazhin e një despoti të paparashikueshëm, por të frikshëm, ndjek një linjë të ngjashme. Në botën e sotme, ku perceptimi mediatik luan rol kyç, imazhi i “njeriut të pakontrollueshëm” mund të jetë më efektiv sesa ai i diplomatit të ftohtë e racional. Por kjo qasje diplomatike nuk është pa rreziqe. Siç vëren Joseph Nye, babai i konceptit të soft power, fuqia e qëndrueshme e një vendi mbështetet gjithashtu në aftësinë për të tërhequr, për të ndërtuar besim dhe për të krijuar aleanca të forta. Një strategji e bazuar vetëm në frikë i dëmton partneritetet, shteron besueshmërinë dhe bën koalicione të brishta. Për më tepër, në epokën e ndërvarësive globale, politika e të paparashikueshmes mund të kthehet kundër atij që e përdor. Tregjet reagojnë ndaj pasigurisë, kompanitë ndërkombëtare shtyjnë investimet dhe partnerët kërkojnë aleanca më të qëndrueshme. Mbetet për t’u parë nëse rikthimi i “teorisë së të çmendurit” është veç një episod i lidhur me Trumpin, apo tregues i një transformimi më të thellë në mënyrën si konceptohet udhëheqja sot. Në një botë ku autoriteti i institucioneve shumëpalëshe po zbehet dhe raportet e forcës po shfaqen hapur, gjithnjë e më shumë liderë tundohen të luajnë me frikën dhe pasigurinë, në vend që të ndërtojnë bindje përmes arsyes. Trump nuk e ka shpikur këtë metodë, por e ka modernizuar, personalizuar, mediatizuar. Midis Sun Tzu, Makiavelit, Nixon-it dhe Foucault-së, ai pozicionohet në një traditë të vjetër që e sheh frikën si formë inteligjence strategjike. Pyetja që mbetet hapur është nëse kjo qasje strategjike mund të përbëjë ende një garanci për stabilitetin ndërkombëtar, apo nëse rrezikon të zëvendësojë dialogun e arsyeshëm me logjikën e frikës, duke e shtyrë botën drejt një ekuilibri të brishtë dhe të paqëndrueshëm. /Panorama/