Qyteti i së ardhmes

    ING. ANETA WOLTER

    Qytetet zënë vetëm dy për qind të sipërfaqes globale të tokës. Por ato konsumojnë 75 për qind të burimeve botërore dhe janë përgjegjëse për rreth 85 për qind të gazeve serrë globale. Më shumë se gjysma e të gjithë njerëzve në botë jetojnë në qytete dhe në zonat metropolitane. Bile në Evropë janë tre të katërtat e popullsisë që jetojnë në zonat urbane-me tendencë në rritje. Ne Gjermani, mbi 70 për qind e banorëve jetojnë në qytete me mbi 20.000 banorë e më shumë. Pra, zhvillimi i botës në të ardhmen është njëkohësisht një detyrë urbane, pasi forma dominuese e jetës të së ardhmes në vazhdim do të jetë jeta urbane.

    Sfidat tashmë janë kudo të dukshme dhe urgjente: Ndryshimet e klimës, reduktimi i CO2, sfidat e energjisë, ndryshimet demografike, konfliktet për hapësirën e paktë të jetesës, trafiku, zonat problematike sociale, flukset e migracionit, ngushtimi i hapësirës financiare për veprim, rritjen e dixhitalizimit dhe mekanizimit.

    Por si do t’i përballojë qyteti i së ardhmes këto sfida?

    Strategjitë urbane për qytetin e së ardhmes përmbajnë përveç parametrave të njohur si cilësia e ajrit, transportet publike, distancat për të arritur një destinacion etj… gjithmonë edhe këto dy vlera matëse:

    – Sipërfaqet e ndërtimit dhe organizimi i tyre

    – Sipërfaqet e gjelbra

    Fillojmë me të dytën.

    Këtu duhet të përmendim patjetër të dy elementet e saj: Sipërfaqen e gjelbër në përqindje brenda kufijve të qytetit si dhe sipërfaqen e gjelbër për banor.

    Në Gjermani, p.sh., qyteti me më shumë gjelbërim brenda vijës së tij kufitare është qyteti i Hamburgut me 71, 2 % të sipërfaqes së qytetit me gjelbërim. Më pas vjen Dortmundi me 70 % dhe i fundit ne radhë, sipas statistikave gjermane, është Lejpzig me 42,2 % sipërfaqe të gjelbëruara në qytet.

    Qyteti me sipërfaqe me të gjelbër për banor në botë është Reykjavik, Island, me 410,84 m2 sipërfaqe te gjelbër për banor. Por edhe Roma bën pjese te 10 vendet e para me 166, 5 m2 sipërfaqe të gjelbër. Hamburgu ka 113 m2 sipërfaqe të gjelbër për banor (sipas Infografik të Statista).

    Siç është raportuar nga Enti Federal i Statistikave (Destatis) për vitin 2018, 14 qytetet më të populluara në Gjermani me më shumë se 500,000 banorë kishin mesatarisht 25 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër për frymë (banor). Në vitin 1996 ishin vetëm 18 metër katror/banor.

    Për sqarim: Hapësirat e gjelbra përfshijnë parqe, zona të gjelbra rezidenciale, kopshte botanike, kënde lojërash si edhe kopshtet agrokulturore të qytetarëve.

    Pra, sipërfaqja e gjelbër brenda vijës kufitare të qyteteve dhe sipërfaqja e gjelbër për banor do vazhdojnë të mbeten dy parametra bazë të strategjive dhe planeve urbanistike të qytetit të së ardhmes. Të dyja trajtohen me prioritet, pasi përfitimi shëndetësor, ekonomik dhe social është i vërtetuar në shumë studime dhe ndikon direkt në mirëklasifikimin e qyteteve dhe stabilitetin ekonomik të tyre.

    Duke u kthyer te pika e parë, po marr përsëri shembullin e Gjermanisë, meqë e njoh më mirë.

    Gjermania ka gjithsej një sipërfaqe prej 357.600 km2, ku 14,5 % pra, 5,2 milionë hektarë është e zënë nga ndërtimet për banim, industri, biznes, parqet ndërmjet tyre, rrugë dhe shina.

    Rritja e përvitshme e kësaj sipërfaqeje në vitet e fundit ka qenë mesatarisht 54 ha/ditë. Me strategjinë kombëtare për mbrojtjen e klimës ajo synohet të reduktohet deri në vitin 2030 tek 30 ha në ditë.

    Por si do të plotësohen nevojat e qytetarëve për banim, të cilat edhe sot janë shumë të larta e që do rriten më tej në të ardhmen? Në këtë situatë, qytetet edhe ai i imi, u janë drejtuar zgjidhjeve urbane alternative miqësore mjedisore, ripershtatjes dhe optimimit të ndërtesave ekzistuese, koncepteve inovative arkitektonike që pakësojnë betonimi e qytetit, aplikimin e sipërfaqeve kompensuese, e më tej.

    Dukshëm, sfidat e shumta që lidhen me qytetin e së ardhmes edhe për shkak të ndryshimeve klimaterike, sociale dhe demografike vlerësohen si shumë të rëndësishme si nga banorët e qytetit, edhe nga ne vendimmarrësit, si edhe nga administrata jonë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Serbët vendosin të largohen nga institucionet e Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Pse po arratisen shqiptarët?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë