Ata nuk ishin 14!

    Autori Kujtim Shabani

    1.
    Ata nuk ishin 14! Ata ishin njerëz me emër dhe mbiemër. Ata u shkrinë gjatë arratisë me shpirt nëpër dhëmbë nga gjuhët e flakës së ferrit të 8 shtatorit në kthinat e një aneksi të improvizuar spitalor të Tetovës. Ata ishin njerëz të lidhur me njëmijë e një fije me të parë dhe të mbramë të tyre, për të cilët edhe u flijuan atë natë. Ata me fatin e tyre të hidhur kanë lënë gjurmë të paharruara në jetën tonë. Ata e kanë prekur një popull të tërë.

    2.
    Një popull i tërë kërkon hesap për atë se si u shuan për pak minuta kaq shumë JETË! njerëzish që prisnin ta merrnin veten nga dergja e virusit. Ata pyesin: Kishte, a s’kishte zjarrfikës në ambientet e spitalit? Kishte, a s’kishte kujdestarë aty? Kishte, a s’kishte dalje emergjence? Sistem alarmi? Ç’janë kto bombola gazi që te ne po shpërthejnë si minat e luftërave botërore në fushat e ish betejave? Ç’është kjo teknologji që më shumë merr se shpëton jetë?

    3.
    Numri i jetëve të humbura nga virusi në Maqedoninë e Veriut sugjeron një bilanc lufte! Vendi është kampion me JETË! njerëzish të humbura në ditë. Kush s’po e bën punën si duhet? Pse të zgjedhurit për t’u kujdesur për mirëqenien e qytetarëve nuk siguruan vaksina kur, si dhe sa duhet? Pse s’ia mbushin mendjen gjindjes? Pse krerët e institucioneve në këtë vend me ambicie integrimi në Unionin Evropian duhet gjithmonë të jenë njerëz të partive në pushtet?

    4.
    Një popull i tërë ka rënë në heshtjen e zisë së mortit. Një grusht njerëzish ka rënë në heshtje fajtori. S’kanë një fjalë që zë vend. Asnjë fjalë që të ngushëllon. Asnjë të dhënë që i takon për hatanë që bëri vaki. Asnjë qëndrim të mirëqenë. Prej tri ditësh flasin për 14 të vdekur. Prej tri ditësh nuk japin dot një emër viktime. E pra ata nuk ishin 14! Ata kishin emër dhe mbiemër. Ato ishin 14 JETË! njerëzish. Ata u prehshin në paqe!

    Autori Kujtim Shabani

    Lajmi Paraprak

    Arifi: Sot në Tetovë ka arritur një ekip hetuesish gjermanë në lidhje me zjarrin që u shkaktua në spital (Video)

    Lajmi i rradhës

    Video e një zjarri në spital po përhapet me thirrjen “Lutuni për Tetovën”, por është nga viti i kaluar në Indi

    Lajme tjera

    Lufta te pragu?!

    MONIKA STAFA  Izraeli dhe Irani, në një rajon të nxehtë siç është Lindja e Mesme kanë njohur së…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë