Bëni kujdes nga ata liderë që vijnë nga hiçi!

    Alban Daci

    Historia e shekullit të kaluar është e shkruar nga beteja e vendeve demokratike me vendet me diktaturë! Shekulli i kaluar për shkak të zhvillimit të madh industrial, krijimit të fabrikave të mëdha dhe mundësitë së grumbullimit të punëtorëve në zona të mëdha e të mbyllura krijuan mundësinë e lindjes së partive të masave, por për pasojë lindën edhe përplasjet e para. Mes asaj që ishte njohur si aristokraci që kishte pushtetin e ishte pakicë në numër dhe popullit, që ishin të shfrytëzuar dhe kishin forcën e shumicës, por ndjesinë e shfrytëzimit!

    Krizat ekonomike e fillimshekullit të kaluar me pasoja të mëdha pikërisht te shumica që ishin punëtorë, që i përkeqësuan dhe varfëruan më shumë. Shkëputja e aristokracisë nga realiteti që e rrethonte, dështimi i modeleve klasike të monarkive apo perandorive nxitën në shumë vende të Europës dhe Rusisë lëvizje politike që adreson zgjidhjen vetëm përmes përmbytjeve radikale me aksione politike ekstreme në disa raste të ekstremit të majtë e në disa të tjera të ekstremit të djathtë.

    Thirrjet e tyre ishte për rikthimin e pushtetit te njerëzit dhe po ashtu atdheu duhet ishte i popullit, sepse ai ishte vjedhur dhe kthyer në pronësi të një elite të caktuar politike! Kështu lindën lëvizjet politike fashiste, naziste dhe po ashtu edhe ato të proletariatit të bolshevikëve. Diktatorët në fakt kanë lindur që me lindjen e nevojën e zgjerimit të komuniteteve njerëzore që kërkon nevojën e përfaqësimit dhe delegimit, sepse demokracia plebishitare ishte e pamjaftueshme dhe joefikase! Në shekullin e kaluar patëm shumë diktatorë, që shkaktuan plagë të rënda te njerëzit qoftë me politikat e tyre të brendshme monstruoze, por edhe me politikat e jashtme duke shkaktuar konflikte botërore si Lufta e II dhe jo vetëm!

    Por, çfarë kishin të përbashkët këta diktatorë? Erdhën si shpëtimtarë me mbështetje popullore dhe përfunduan në mostra të pamëshirshme, duke eliminuar këdo që ishte kundër tyre. Populli kishte frikë prej tyre, por frika e tyre ndaj popullit, edhe pse nuk shprehej, ishte akoma më e madhe! Jetuan të izoluar dhe me plot paranoja. Vinin nga shtresa sociale të thjeshta, nga eksperienca familjare të dhunshme dhe të mbushur me inferioritet. Njerëz që kishin dështuar në çdo gjë dhe ishin ndjerë vazhdimisht të bullizuar apo të përjashtuar e të shtypur.

    Pushtetin e konsideruan vetëm si hakmarrje kundër asaj shumice që i kishte nënçmuar, përbuzur dhe po ashtu shpeshherë edhe paragjykuar. Kishin formim nën mesataren profesionale apo intelektuale, por kishin vetëm një objektiv “hakmarrjen” dhe nga kjo buronte guximi dhe energjia e pafundme për të realizuar qëllimet e tyre personale të pushtetit edhe si hakmarrje, edhe si mundësi për të pasur një prestigj social që iu ishte mohuar padrejtësisht, ose që nuk e kishin pasur kurrë për shkak të historive të tyre familjare. Nuk kishin ndjenja dhe ishin të ftohtë, sepse ndjenjat e tyre ishin dhunuar shpesh gjatë fëmijërisë nga prindër të dhunshëm e pijanec e pastaj edhe nga mjedisi social, që i kishte rrethuar për shkak të statusit të tyre inferior social. Shtireshin si të fortë e te guximshëm, por shpesh ishin frikacak të mëdhenj.

    Ata merrnin vendime të forta e te guximshme, sepse nuk kishin çfarë të humbnin në jetë dhe loja e tyre ishte: ose gjithçka, ose asgjë siç kishin qenë në fakt! Shqiptarët duhet të nxjerrin mësime nga historia dhe nuk duhet t’u besojnë atyre personave që vijnë nga këto rrethana e me këto cilësime që iu prezantohen si shpëtimtarë, sepse shpejt do të jenë diktatorë të pamëshirshëm! Historia rrezikon të përsëritet!

    Është e vërtetë se Shqipëria sot nuk ka fabrika, por ka një klasë politike të dështuar dhe po ashtu ka forume e hapësira virtuale që krijon mundësinë për të krijuar forca të mëdha njerëzore, që mund të udhëhiqen nga frustrimi dhe nevoja për të përmbysur aktualen me shpresën me ndërtuar një gjë të re, të ndryshme nga fillimi! Historia rrezikon të përsëritet dhe me të njëjtat pasoja e ndoshta edhe më të rënda! Populizmi në Shqipëri është pas dere dhe në të ardhmen gjithçka mund të ndodh.

    Lajmi Paraprak

    Shqiptarët shtetin e shohin si forcë të huaj!

    Lajmi i rradhës

    Rezistenca e shpirtit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë