Biri im, nesër do ta fillosh shkollën dhe unë ndiej ankth…

    Xhemazije Rizvani / Fotografia: Suhejl Jonuzi — Suki

    Xhemazije Rizvani

    Ankth, sepse jo më larg se dje, në lagjen tonë, një vajzë u dhunua brutalisht nga bashkëmoshatarët e saj. Do të doja që këto pamje të mos i shohin kurrë as prindërit, as fëmijët, as shoqëria. Do të doja që këto gjëra të mos ndodhin askund. Sepse jam e bindur se ata prindër nuk do ta marrin veten kurrë. Dhe nëse tronditet kaq shumë një shikues që nuk është prind, sa e rëndë është për një nënë a baba të shikoj se si dikush godet pamëshirshëm mbi trupin e krijesës më të dashur?

    Këto raste nuk janë të rralla. Ato ndodhin çdo ditë në klasa, korridore, oborre, nevojtore shkollash, sheshe e rrjete sociale. Nganjëherë ka video, e shumë shpesh jo. Por dhuna është aty, fëmijët tanë rrethohen me të. Dhe siç më thotë aktorja Xaka Jonuzi: “Çdo ditë lutem që fëmijët e mi të kthehen mirë nga shkolla.” Edhe unë lutem kështu.

    Lutem bir, të mos bëhesh kurrë viktimë e një grupi që të rrethon dhe të godet trupin tënd të brishtë. Jam e pafuqishme për një skenë të tillë.

    Kam frikë, sepse shpesh ata që nuk çojnë dorë mbi tjetrin janë më të rrezikuar. Shpesh më i edukuari, më i buti, më i miri është ai që bullizohet më shumë.

    Fatkeqësisht, familjen nuk e zgjedhim dot, as nivelin e shkollimit të saj, as statusin social. Por në shkollë ju dërgojmë te njerëz që quhen të shkolluar, që mbajnë diploma dhe janë deklaruar si kompetentë për procesin edukativo-arsimor. E dua të nënvizoj këtë: EDUKATIVO-arsimor! Edukata është e para. Dhe për ata që thonë: “Ne nuk jemi për të edukuar, edukatën e merrni nga shtëpia”, them se gaboheni. Ju jeni aty për të edukuar përmes arsimimit. Për këtë ka mësues, sociologë, psikologë.

    Vogëlush im, ti ende nuk kupton shumë gjëra, prandaj je i lumtur. Mendon se bota jashtë është pasqyrë e shtëpive brenda. Dhe në njëfarë mënyre është, ndaj shëmtia dominon. Ka humbur durimi, nuk kemi kulturë komunikimi. Nuk kemi kohë të japim këshilla, kujdes, dashuri. Jemi shoqëri e lodhur.

    Do të kisha dashur, biri im, që të gjithë të alarmoheshim për mungesën e edukatës dhe sjelljes, po aq sa alarmohemi për mungesën e librave. Se mësuesi i mirë nuk ligjëron vetëm nga libri, por nga zemra.

    Ne kemi shumë gjëra më të rëndësishme për të mësuar që të mos i humbasim fëmijët tanë , si:
    – si të kujdesemi për shëndetin mendor,
    – si të qëndrojmë larg drogës,
    – si ta përballojmë dhunën mes fëmijëve,
    – si të përballojmë jetën, sfidat, dështimet.
    A nuk është shkolla e menduar për të na aftësuar për jetën?!
    E megjithatë, sistemi shpesh funksionon ende si në komunizëm:
    – mëso vetëm çfarë thotë libri,
    – ka vetëm një të vërtetë, nuk duhet diskutuar,
    – nëse hesht, shpërblehesh; nëse flet shumë, dënohesh.
    – ulesh jo me kë dëshiron, por me kë të imponojnë.
    – nuk vonohesh kurrë, nuk ngrihesh pa leje.

    Bir, nesër ti hyn në këtë botë. Dhe unë të këshilloj: mos u bëj konformist, mos e humb zemrën tënde të mirë. Mëso nga libri, por edhe më shumë nga jeta. Respekto të tjerët, por mos lejo të të poshtërojnë. Dhe mbi të gjitha, mbaje dashurinë, durimin dhe guximin brenda vetes edhe po, mos ki frikë se mami ka mjaftueshëm frikë për të dy! /Nistori/

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Më shumë se tre milionë të papunë në Gjermani

    Lajmi i rradhës

    Rajoni i Ballkanit në udhëkryq: Tramp, Putin, Zelenski dhe dilemat e Brukselit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë