Bllokimet, praktikë e përhershme opozitare

    Sefer Tahiri

    Kuvendi përveç se është institucioni më i lartë i politikës, në gjuhën shqipe ka simbolikë të veçantë semantike! Është një agorë a një vendtubim, në të cilin debatohet hapur e shtruar për çështjet e jetës publike!

    Sipas teorisë politike, Kuvendi kudo në botë është institucioni më i rëndësishëm i pushtetit dhe që ndikon në modelimin e pushteteve tjera. Në demokracitë e zhvilluara është mbi pushtetin legjislativ dhe e kanalizon dialogun politik. Në demokracinë tonë në zhvillim e sipër, që nga vitet 90-ta, më tepër shërben si institucion për qërim hesapesh mes pushtetit dhe opozitës.

    Kuvendi i parë shumëngjyrësh partiak

    Pas zgjedhjeve të para parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ulëset në Kuvend për kah ngjyrat partiake ishin laramane! Në Kuvend atëherë ishin të përfaqësuara Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë – Partia e Transformimit Demokratik (Lidhja Socialdemokrate e sotme), VMRO-DPMNE-ja, Partia e Prosperitetit Demokratik në koalicion me Partinë Demokratike Popullore, Partia Liberale, Partia Socialiste, Lidhja e Romëve, ndërsa si për reminishencë e së kaluarës së ish sistemit ishte një deputet i cili i takonte Partisë së Jugosllavëve! Meqë Kuvendi ishte i tillë, pra kolorit, asnjëra parti parlamentare nuk kishte shumicën për formimin e qeverisë. VMRO- DPMNE-ja, siç ka pohuar vetë ish lideri historik i kësaj partie, Lubço Georgievski, edhe pse ishte partia m më shumë deputetë nuk arriti të formojë qeverinë, pasi për shkak të politikës nacionaliste antishqiptare kishte hezituar të bëjë koalicion qeveritar me një parti, e cila i përfaqësonte shqiptarët. Gabim trashanik politik, por i kuptueshëm për kontekstin ndëretnik dhe politik të asaj kohe, meqë VMRO- DPMNE-ja narrativin e saj politike dhe mediatike e ndërtonte mbi antishqiptarizmin dhe mbi maksimën e njohur “Maqedonia e maqedonasve”!

    Meqë kjo nuk u bë, zgjidhja politike e kohës ishte formimi i qeverisë së ekspertëve, e para dhe e fundit në Maqedoninë e Veriut, Kuvendi nga viti 1991 deri në vitin 1992 funksiononte pa probleme dhe pa bllokime!

    Në vitin 1992 bie qeveria eksperte dhe formohet qeveria e parë politike, e përbërë nga LSDM-ja, liberalët, socialistët dhe PPD – PDP! Në këto dy vite të jetës parlamentare, VMRO-DPMNE-ja me grupin e saj parlamentar ishte vetëm opozitë e zhurmshme dhe ndonjëherë edhe komike, meqë pjesë e këtij grupi ishin edhe deputetë, që spikasnin me humor!

    Në 1994 opozita bojkoton jetën parlamentare

    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1994, VMRO-DPMNE-ja për shkak të dyshimeve të saj se procesi zgjedhor ishte i falsifikuar nga pushteti, vendosi të ndërmarrë edhe një hap që në historinë bashkëkohore politike të vendit, poashtu konsiderohet hap i gabuar! Madje, ka teoricienë, të cilët bojkotin e zgjedhjeve, e cilësojnë si gabimin më të madh që e ka bërë kjo parti ndonjëherë.

    Ky bojkot i hapi rrugën jetës së qetë dhe “idilike” parlamentare midis LSDM-së dhe PPD-së e PDP-së. Ishte një Kuvend, në të cilin kritikat bëheshin brenda pushtetit, në relacionin midis socialdemokratëve dhe ppd-istëve. Jo, që s’kishte hapësirë për përplasje, por sikur ato ishin të parapërgatitura dhe ishin pjesë e skenarit, që Kuvendi të mos jetë institucion inert.

    Viti 1998: Opozita si “dekor” parlamentar

    Pas zgjedhjeve të vitit 1998, gati se njëjta storje parlamentare ishte si në vitin 1994, me dallimin se opozita e përbërë na LSDM-ja dhe PPD-ja nuk i bojkotoi zgjedhjet, ndërsa ishte pjesë e dekorit demokratik parlamentar. Ishte një Kuvend me debate të shumta, por pa e përdorur mekanizmin e bllokimit, madje edhe në momentin kur këtë ka mundur ta bëjë opozita me mekanizma parlamentarë. Në vitin 2000, pas largimit të Alternativës Demokratike të Vasil Tupurkovskit nga qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe Partisë Demokratike Shqiptare, kabinetin qeveritar e mbijetuan 7 deputetë të PPD-së. Ka pasur spekulime atëbotë se në kundër – shërbim të votës kanë marrë para të majme! Për të gjykuar drejt, duhet thënë, që një fakt i këtillë nuk është verifikuar asnjëherë.

    Viti 2002: Opozita bëhet “zhurmuese”

    Në zgjedhjet e vitit 2002, pushtetin e marrin sërish socialdemokratët, por kësaj radhe jo me PPD-në, por me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), parti e dalë nga ish Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e cila ishte formacion ushtarak i shqiptarëve, që kundërshtoi sistemin e shtetit.

    Për shkak të rezultatit të dobët që kishte VMRO-DPMNE-ja në këto zgjedhje, Kuvendi ka qenë i qëndrueshëm, edhe pse nuk kanë munguar asnjëherë kundërshtimet e partisë djathtiste maqedonase. Kjo ka ndodhur sidomos kur janë miratuar dy projekte thelbësore për shqiptarët: Ligji për ndarjen (organizimin) territoriale të vendit dhe Ligji për zyrtarizmin e Universitetit (Shtetëror) të Tetovës, i cili pas 10 viteve funksionim si jolegal arriti të bëhet pjesë e organizmit institucional arsimor të shtetit. Deputetët e VMRO-DPMNE-së duke tentuar të pengojnë miratimin e këtyre ligjeve, që avanconin statusin e shqiptarëve, lexonin fjalimet e njëjta disa herë. Kjo, për shkak, se Rregullorja e atëhershme e Kuvendit nuk kufizonte kohën e fjalimeve të deputetëve.

    Vitet 2006 – 2008: PDSH-ja në qeveri, BDI-ja bllokon Kuvendin

    Viti 2006, do të jetë precedencë në aspektin politik, meqë për herë të parë qeveria formohej nga një parti maqedonase, fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe një parti shqiptare, e cila kishte mungesë legjitimiteti. VMRO-DPMNE-ja dhe PDSH-ja formuan qeverinë, por BDI-ja, e cila ishte fituese e zgjedhjeve tek shqiptarët, në emër të legjitimitetit politik bllokonte Kuvendin, sidomos në segmentin e respektimit të parimit të Badenterit. Pa deputetët e BDI-së vështirë arrihej zbatimi i këtij parimi në Kuvend, që njihet si shumica e dyfishtë e që nënkupton se përveç shumicës së deputetëve, Kuvendi miraton ligje dhe vendime tjera edhe me shumicën e deputetëve që u takojnë komuniteteve joshumicë.

    Viti 2012: Shumica bëhet bllokuese

    Që opozita ta bllokojë Kuvendin është në natyrën e politikbërjes, mbase ballkanike më shumë, edhe pse nuk është metodë konstruktive. Por, në Maqedoninë e veriut ka ndodhur që shumica parlamentare ta bllokojë veten! Precedencë politike edhe kjo!

    Bashkimi Demokratik për Integrim, në vitin 2012 tentonte të bllokojë miratimin e Ligjit për të drejta të veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë apo siç njihet në diskursin e këtushëm politik “branitellave”. Pikërisht, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri, i cili aktualisht në vitin 2022, angazhohet me të gjitha mekanizmat kundër bllokimit të Kuvendit, 10 vite më parë, bojkotonte Ligjin e “branitellave”, duke heshtur dhe lexuar poezi, siç ishte poezia “Heshtje” e Aco Shopovit!

    2017- Kuvendi “pushtohet” me dhunë

    Pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në dhjetor të vitit 2016, në 27 prill të vitit 2017 u zgjodh kreu i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi. Në këtë ditë ndodhi “atentat” ndaj demokracisë parlamentare, pasi një pjesë e simpatizuesve të VMRO – DPMNE-së, me mbështetjen e disa huliganëve dhe fatkeqësisht edhe shumë deputetëve të partisë së ish liderit Nikolla Gruevski, dhunshëm “pushtuan” Kuvendin, me ç’rast sulmuan deputetët e shumicës parlamentare. Ndërsa liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela e sulmuan, duke e lënë në ambientet e Kuvendit si i vdekur! Ai i mbijetoi atentatit politik, por sulmi i 27 prilli mbeti njollë e zezë e demokracisë.

    Bllokimet, praktikë e përhershme opozitare

    BDI-ja, duke qenë pjesë e pushtetit, nuk e ka bllokuar Kuvendin vetëm në vitin 2012, por edhe në vitin 2019, ndërsa dihet se nga viti 2017 është në koalicion me LSDM-në . Duke kundërshtuar propozimin e partive më të vogla politike për ndryshime në Kodin zgjedhor, sipas të cilave vendi do të bëhej një njësi zgjedhore, grupi i saj parlamentar në njërën anë dhe ai i VMRO-DPMNE-së në anën tjetër dorëzuan rreth 14 000 amendamente.

    Institucioni ligjdhënës i Maqedonisë së Veriut është bllokuar edhe në mars të vitit 2021, kur opozita shqiptare nuk lëshonte pe dhe kërkonte me çdo kusht miratimin e Ligjit të shtetësisë. Si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të këtij ligji nga opozita maqedonase, opozita shqiptare, pjesë e së cilës atëherë ishte edhe partia Alternativa, dorëzoi mbi 2 000 amendamente ndaj një ligji tjetër, siç ishte ai për kundërvajtje.

    Së fundmi, nga maji i vitit 2022, opozita maqedonase ka nisur procesin e bojkotimit të Kuvendit, si tendencë për të ndikuar ndaj shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Deputetët e opozitës nuk sigurojnë kuorum, ndërsa kryeparlamentari Xhaferri ka ndërmarrë veprime që opozita i quan sjellje si të një “komandanti” të Kuvendit. Në fakt, Xhaferri njëherë ka drejtuar fjalë fyese ndaj të punësuarve në shërbimet profesionale të Kuvendit dhe në rastin tjetër ka mbyllur dyert që deputetët e opozitës të mos mund të dalin nga salla e seancave plenare.

    Edhe pse VMRO-DPMNE-ja përdor bllokimin parlamentar si metodë krejtësisht legjitime dhe demokratike, e njëjta mund të bëhet praktikë e vazhdueshme! Nëse raporti i forcave parlamentare pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare është i ngjashëm me atë të Kuvendit aktual, cila do qoftë nga partitë nëse kalon në opozitë do të përdor këtë mekanizëm. Do thirret tek demokracia dhe e drejta e shprehjes së pakënaqësisë politike e aq më shumë tek veprimi i opozitës së sotme. Kështu, institucioni ligjdhënës do të sillet në një rreth vicioz. Ata që do të pësojnë do të jenë qytetarët, të cilët në vend që të presin veprime pozitive nga deputetët, do të jenë spektatorë të “spektaklit parlamentar”. Kuvendi në vend që të jetë në shërbim të interesit publik të qytetarëve, sikur është bërë institucion, që është në shërbim të interesave të partive politike. Varësisht nga pozicionet që i kanë, në opozitë ose në pushtet! Populli thotë, sipas vendit bëhet edhe Kuvendi! /KDP/

    *Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit.

    Lajmi Paraprak

    S’ka dru për ngrohje, pritet shtrenjtimi i tyre

    Lajmi i rradhës

    50 vjet nuk mund të marrë shtetësi të Maqedonisë! MPB e konsideron si të rrezikshëm për shtetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë