Çfarë duhet të bëjë PD-ja për të ardhmen?

    Foto: A2 CNN

    REDI SHEHU

    Pas më shumë se tri dekadave, e djathta shqiptare e gjen veten në pozicionin më të keq në të gjithë historinë e saj. E ndarë në disa grupime, të cilat nuk kanë shumëçka të përbashkët me njëratjetrën, përveç faktit se vijnë nga e njëjta e shkuar, ato i ngjajnë një fasade xhami të thyer, kokrrizat e së cilës treten në mënyrë të rastësishme në bulevard. Si ka mundësi që e djathta shqiptare, e cila do të duhej të mbante mbi shpatulla nocionet më të thekura të strukturës morale me të cilën kjo forcë politike i bën rezistencë sistemit, të thërrmijëzohet në këtë mënyrë? Si ka mundësi që tri dekada aktivitet i pasur politik në qeverisje dhe opozitë, të avullojnë pa lënë një trashëgimi apo një kod etik me të cilën ajo ruan dhe mirëmban vetveten? Kjo na bën të mendojmë se trauma me të cilën e djathta përballet sot, në thelbin e saj nuk është krizë politike, por është një krizë morale, e cila u mbajt në gjendjen e ngrirjes së thellë për dekada nga autoriteti dhe imponimi i liderit.

    Në kohën kur autoriteti i tij u lëkund dhe pastaj ra, e gjithë kiza morale e së djathtës shqiptare u shpërfaq dhunshëm, duke u shndërruar nga gjendja e ngrirjes së thellë në pikën më të lartë të vlimit. E gjithë kjo që po ndodh me të djathtën ka të bëjë me faktin se, që në ngjizjen e saj, ajo nuk u nis nga premisa e djathtë politikisht. Rrënjët e krizës së sotme të Partisë Demokratike duhen kërkuar më herët se sa e tashmja politike e saj. Historia e PD-së është historia e një lëvizjeje revolucionare, e cila vetambalazhohej me etiketa të djathta. Në fakt, e gjithë kjo periudhë e saj duhet parë si një periudhë dyzimi të brendshëm, një periudhë e një dileme mes pyetjesh ekzistenciale të tipit “përse jam i djathtë?” nga njëra anë dhe aksionit politik nga ana tjetër, i cili ishte më majtas se të majtët. Është pikërisht ky gjallim dyjar brenda së djathtës, kjo luftë e brendshme, e cila në fund të fundit i ka bërë politikanët e kësaj partie të zgjedhin gjithmonë të atypëratyshmen dhe pragmatizmin në vend të idealit dhe kauzës.

    Konservatorizmi si bindje dhe praktikë ishte i alienuar në një Shqipëri postkomuniste ku nuk kishte asgjë për të konservuar, përkundrazi, ikja ndaj realitetit të shëmtuar të asaj kohe ishte e vetmja shpresë dhe e vetmja zgjidhje. Partia Demokratike u shfaq si lëvizje, e cila me të drejtë e përshpejtoi këtë ikje nga e shkuara drejt një të ardhmeje të re të panjohur, por njëkohësisht të domosdoshme. Si e tillë, ajo u profilizua si lëvizje e djathtë vetëm për faktin se qëndronte përballë trashëgimtarëve të së majtës komuniste, e jo për shkak të bindjeve, ideologjisë apo artikulimit konservator.

    Aq e vërtetë është kjo, sa kundërshtarët e parë të kësaj partie u bënë shtresat realisht të djathta të përfaqësuara nga ish-persekutuarit, ish-pronarët apo edhe stofi moralo-qytetar i familjeve të mëdha që vinin nga e kaluara. Kjo parti gjatë gjithë kohës së tranzicionit është karakterizuar nga një sforco e brendshme e të vetëshpallurit ndryshe nga çfarë ishte në të vërtetë, pra një hipokrizi politike, e cila synonte më shumë pushtetin se sa të ndërtonte një mendim dhe praktikë politike të djathtë. Krejt ndryshe nga e majta, e cila i qëndroi konsistente ideologjikisht idesë së trashëgimtares së social-komunizmit shqiptar. Sot, për herë të parë pas tranzicionit, Partia Demokratike përballet me sfidën postBerishë. Çfarë është PD pa liderin e saj? Çfarë duhet të bëjë ajo për të ardhmen? A di ajo si ta ndërtojë këtë të ardhme?

    Askush nga e djathta, përfshirë edhe Lulzim Bashën, nuk di t’i japë një përgjigje kësaj, sepse shkolla politike e së djathtës shqiptare ka qenë konceptuar vetëm me një klasë dhe vetëm me një mësues. Ajo na ka mësuar si të duam liderët e forte, karizmatikë, të pushtetshëm dhe imponues dhe nuk ka kultivuar frymën se si të ndërtojmë dhe duam sistemin brenda të cilit lideri është vetëm mekanizmi i radhës që e vë në punë atë. Për hir të së vërtetës, e njëjta shkollë prodhoi edhe kulturën e majtë të përzgjedhjes së liderit, ku sot kryeministri Rama merr vota për shkak të cilësive personale dhe jo për shkak të sistemit që ka ngritur, për shkak të “portopolitikës” (politikës së portokallisë) dhe jo për shkak të efikasitetit të administrimit publik dhe luftës ndaj korrupsionit. Është interesante të shihet se si do të fragmentarizohej e majta shqiptare në rastin hipotetik të rënies së liderit të tyre.

    Në këtë pikë të gjithë krahët e politikës shqiptare, me parti të vogla dhe të mëdha, krijuan kultin e individit mbi partitë e në disa raste edhe kultin e familjes mbi partinë. Rënia e individit, rënia e liderit, përfaqëson njëkohësisht edhe rënien e të gjithë sistemit politik tek ne. Sfida më e fundit e Partisë Demokratike nuk është bashkimi, është ngritja e sistemit, mekanizmat e të cilit garantojnë bashkim. Si mund të bashkohen grupimet e PD-së kur ndarjen e tyre e kanë bazuar referuar qëndrimit ndaj liderit dhe jo kulturës së institucionit. Diskursi politik sot në PD lidhur me bashkimin është i atillë që rrotullohet përsëri te masa e distancës në raport me Berishën, sepse sistemi për një kohë të gjatë ka qenë vetë ai. Që bashkimi të ndodhë, duhet së pari të këtë ndryshim të qasjes në raport me gjënë. Perspektiva me të cilin një forcë e djathtë duhet të ndërtojë sistemin e vet, është ajo bazuar mbi normat moralo-politike.

    Një sistem i ngritur mbi këtë premisë përbën edhe kutin matës së çdo lideri në të ardhmen. Kështu, forca politike nuk e përcakton aksionin e saj bazuar tek ajo se çfarë lideri thotë dhe bën, por mbi atë se si lideri sillet në raport me sistemin moralo-politik që kjo forcë ka ngritur. Vlerat moralopolitike sot janë shumë të dëshiruara nga i gjithë elektorati, i cili përballet me degradimin e tyre. Këto vlera gëzojnë konsensusin e të gjithëve në kohën kur korruptimi jo vetëm ekonomik, por edhe i qëllimeve politike është në kulmin e tij, kur familja është në pikën më kritike të shpërbërjes së saj, kur besimi tek institucionet është në avullim e sipër, kur ndarja e pasurisë kombëtare është në nivelin e plaçkës së luftës politike, kur bjerrja morale dhe vaniteti i shoqërisë është në gjendje përhershmërie, kur burimet ekonomike dhe shpërndarja e të mirave materiale janë nën selektimin e më të fortit dhe grupeve kriminale, kur gënjeshtra është kthyer në sistem dhe nuk i ka më këmbët e shkurtra, e shumë e shumë deformime, të cilat kanë nevoje për zgjidhje të menjëhershme.

    Mirëpo që e djathta të ndërtojë sistemin e vet moralopolitik, do të duhej që të përfaqësohet nga personazhe, të cilët nuk zhvlerësojnë ngjarjet politike. Jo nga individë, të cilët për shkak të shkuarës së tyre nuk gëzojnë besueshmërinë për të denoncuar të gjitha anomalitë që përmendëm më sipër. Në qoftë se lidershipi i PD gjithë këtë kohë ka dështuar të ndërtojë sistemin e vet të vlerave, këtë e ka bërë elektorati i djathtë. Që nga zgjedhjet e 2017-tës e deri tek këto të fundit të 14 majit 2023, të djathtët refuzuan edhe më shumë hipokrizinë e gjoja luftës për të vërtetën, duke ndëshkuar në formë të paprecedentë elektoralisht PD-në, gjë që nuk e kemi parë te të majtët, të cilët kanë ruajtur ekzaktësisht të njëjtat kuota ndër vite. Në të gjitha rastet qëndrimi i votuesve të djathtë ka qenë qëndrim refuzues moral, i cili tregon thelbin e djathtë të tyre, ato që nuk i kanë ndjekur në këtë sistem moralo-politik, kanë qenë përfaqësuesit e tyre. Në këtë mënyrë, votuesi i djathtë na shfaqet më i emancipuar se sa ai i majtë, i cili nuk ka arritur të bëjë ndëshkime elektorale mbi bazë morale, gjë që na çon në deduksionin se masa elektorale, e cila mund të garantojë një demokraci më të shëndetshme këtij vendi, është masa e djathtë, e cila nuk pajtohet me imoralitetin dhe korrupsionin politik. Vetëm se nuk ka pasur një rezonancë, përkundrazi ka pasur përplasje mes sistemit të vlerave të votuesve dhe sistemit të ngritur nga lidershipi i djathtë, duke avantazhuar elektoralisht prej kohësh Partinë Socialiste.

    Në këtë kohë, kur Partia Demokratike ndodhet në udhëkryqin e parë të saj të rëndësishëm politik, rikthimi i lidershipit të vet në rezonancë të plotë me votuesit, është i një prioriteti parësor. Shkollën e vet politike tashmë PD nuk ka pse e gjen te figurat e caktuara, por e ka të gatshme te votuesi i saj. Ai personalitet politik që sinqerisht do të restaurojë sistemin e vlerave moralo-politike të elektoratit, në gjuhën, veprimin dhe politikëbërjen e tij, do të arrijë të ketë sukses për të marrë rolin e liderit të së djathtës, duke i ofruar një shërbim edhe gjithë politikës shqiptare. Si çdo proces, ky do kohën e tij e kjo është kostoja, të cilën do të duhet ta paguajmë të gjithë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Liderët e Ballkanit Perëndimor më 22 janar do të takohen në Shkup

    Lajmi i rradhës

    A mund të shkaktojë stresi kancer?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë